Përfaqësuesja e Kosovës shkroi kapitullin më të rëndësishëm në historinë e saj të shkurtër futbollistike, duke kaluar në “play off” në Ligën e Kombeve, në edicionin e parë të saj.
Skuadra e trajnerit Bernard Shaland mundi me meritë Azerbajxhanin, në një ndeshje ku nuk preferoi të bëjë llogari, edhe pse i mjaftonte barazimi, por asfaltoi 4-0 kundërshtarin dhe tani pret fazën tjetër.
As koha për t’u mësuar me fushën nuk iu la azerëve, pasi Arbër Zeneli prishi ekuilibrat me një gol të bukur që në minutën e dytë. Kosova kishte shanse të tjera për të krijuar një avantazh komod, por nuk mundi ta bënte këtë para pushimit.
Në fraksionin e dytë ishte sërish Zeneli që tundi rrjetën e portierit Agajev, ndërsa stadiumi “Fadil Vokrri” shpërtheu në festë. Në skajin tjetër formacioni mik nuk arriti të rrezikojë seriozisht kuadratin e Muriç, madje la hapësira në prapavijë, duke u ndëshkuar me golin e tretë. Këtë radhë mbrojtësi Rrahmani vendosi emrin në listën e shënuesve në një ndeshje e cila shkoi në rrjedhën logjike, jo vetëm me kaq.
Sulmuesi i Herenven, Arbër Zeneli mbylli mbrëmjen e makthit për Azerbajxhanin me golin e 3 personal, duke mbajtur Kosovën në vendin e parë në grup. / Top Channel/
https://www.facebook.com/Digitalb/videos/260083264626265/?t=0