Me 5 shtator 2018 filloi të jetësohet edhe një projekt madhor për Komunën e Ulqinit, projekt i shumëfolur dhe i shumëpritur për ndërtimin e infrastrukturës në Komunën e Ulqinit- Hapja e tenderit për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në lagjet Kodra, Mali i Bardhë, Totoshi dhe Bratica e poshtme.
Është ky projekt i cili do të kushtojë rreth 5 milion euro dhe realizohet me perkrahjen e Bankës Evropiane për Investime dhe Zhvillim . Realizimi i këtij projekti madhor, është tendenca kryesore e Forcës së Re Demokratike që të fillojë zhvillimi i infrastrukturës komunale në Ulqin.
Edhe pse ky projekt disa vite radhazi ka hasur në shumë vështirësi dhe moskuptim nga ana e shumë strukturave, si institucionale ashtu edhe politike, shprehim kënaqësine tonë që më në fund është hapur tenderi dhe shpresojmë se do të ketë sukses në thirrjen e parë, me qëllim që të fillojë realizimi i projektit sa më shpejtë.
Ky projekt do të ndikojë dukshëm në rregullimin e sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimit në komunën e Ulqinit, të cilat me dekada sjellin probleme të shumta infrastrukturore dhe ndikojnë negativisht tek investuesit, por edhe në zhvillimin e mirëfilltë të turizmit.
Një investim i tillë i ka munguar Komunës së Ulqinit dhe shpresojmë që kjo do të gjejë edhe ofertuesin profesional, me qëllim që punimet të realizohen në mënyrë sa më cilësore. Pa dyshim që ky projekt do të ndikojë dukshëm tek qytetarët por poashtu do të ndihmojë që edhe NP “Ujësjellës dhe Kanalizim” të zhvillohet më shpejtë dhe të jetë më rentabile, e sidomos do të ndikojë në zbutjen e problemit shumëvjecare te Port Milenës, më të drejte të quajtur “bombe ekologjike”.
Shërbimi i Medias i Forcës së Re Demokratike