Gjekë Gjonlekaj/New York
Murgeshat shqiptare ishin shumë të respektuara në shoqërinë tonë. Ato ishin rëndi(order) më i nderuar i gjinisë femërore.Ishin të dalluara për kodin e tyre moral dhe për uniformën shumë serioze. Murgeshat ishin të qeta dhe punonin si bleta natë e ditë. Familjet që dërgonin bijat e veta në këto misione ishin shumë të nderuara. Ato që bënin shërbime në qytete shumë herë punonin nëpër spitale. Për murgeshën tonë të famshme Nënën Tereze kisha dëgjuar nga murgeshat shqiptare të Malësisë dhe Kosovës. Ato flisnin me shumë dashuri e respekt për Nënën tonë të Madhe, siç këndoi më vonë Shkurte Fejza. Murgeshat shqiptare kishin dëgjuar shumë për Nënën tonë të famshme nga meshtarët dhe murgeshat kroate. Pavarësisht se Nëna Tereze ishte bërë e njohur botërisht në vitet 60’ informacionet komuniste e kombeve të ndryshme të Jugosllavisë nuk i kishin dhënë ndonjë rëndësi misionit të saj bamirës. Natyrisht se përkatësia e saj kombëtare mund të kishte qënë një pëngesë që ajo të mos bëhej e njohur në Kosovë dhe në trevat tjera shqiptare në ish Jugosllavi. Në vitetet 60′ dhe 70′ për Nënën Tereze kishin shkruar gazetat dhe revistat më të mëdha amerikane dhe botërore. Pastaj ishin transmetuar dokumentare në kanale të mëdha televizive evropiane dhe amerikane. Ishte pritur e nderuar nga papët e Romës dhe shumë personalitete botërore. Megjithatë propaganda jugosllave qëndronte në heshtje për misionin dhe sukseset e saj. Ata filluan të merren më seriozisht me Nënën Tereze vetem në fund të vitit 1979 kur fitoi Çmimin Nobel për Paqë. Meshtari i njohur shqiptar Dom. Lush Gjergji kishte bërë më shumë se kushdo tjetër për njohjen e saj në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në ish Jugosllavi. Në rininë time të hershme unë kisha fare pak njohuri për veprimtarinë e saj. Në vitetet 70′ këtu në Shtetet e Bashkuara shqiptarët nuk kishim pothuajse asnjë personalitet të përmasave ndërkombëtare përveç Nënës Tereze dhe aktorit John Belushi. Për fatëkeqësinë tonë ky yll i shkëlqyer i artit amerikan u shua papritmas në mars të vitit 1982. Mbetëm vetëm me Nënën Tereze.Tërë jetën prej ditës së parë që kisha dëgjuar e lexuar për murgeshën tonë shqiptare nuk e dijë pse por me ishte ngulur në zemër deshira për ta takuar. Shumë herë të huajt shkruanin se Nëna Tereze ishte jugosllave. Këtë gabim e kishin bërë edhe disa politikanë të njohur të Evropës dhe Amerikës. Bile Presidenti Ronald Reagan me 20 qershor 1985, që i kishte dhënë Medaljen e Lirisë në Shtëpi të Bardhë e kishte quajtur “bijë jugosllave” (Yugoslavian daughter). Kjo kishte qënë fyerje për kombin tonë në përgjithësi dhe për shqiptarët e Amerikës në veçanti. Unë isha kurioz për takimin me Nënën Tereze dhe për mundesinë e bisedës me të në gjuhën shqipe. Ky kuriozitet më kishte lindur nga një thënje e Martin Camaj: “Pse Shën Jeronimi nuk kishte lënë të shkruara tri katër fjali ilirisht. Merre me mend thoshte Martini sa kishin ndihmuar ato fjali për tezën e burimit të gjuhës shqipe nga ilirishtja. Ato fjali ilirisht mbase mund të kishin qënë çelësi i gjuhëtarëve shqiptarë dhe të huaj për lidhjen e ketyre dy gjuhëve”.Edhe fjalët e Eqrem Çabeut: “Aty ku ithonë bukës bukë, e ujit ujë” kishin qënë për mua si një formulë pagëzimi. Kisha vendosur që në takimin e parë do t’i lutesha me shumë sinqeritet dhe butësi për mundësinë e bisedës ose intervistës në gjuhën shqipe. Kisha dyshime se në rrëmujën e shekujëve të ardhshëm do të sajohen trillime për origjinën e saj kombëtare, kështu që fjalët e saj në gjuhën shqipe do të ishin dëshmi e gjallë që kjo ishte bijë e kombit tonë. Më shkonte ndër mend sikur të kishim sot zërin origjinal të Skënderbeut. Ky kishte qënë motivimi im për fjalët e Nënës Tereze në gjuhën shqipe.
Në mesin e qershorit 1988 isha korrepondent i Zërit të Amerikës në New York. Zyra e Zërit të Amerikës është sot e kësaj dite në Federal Plaza. Korrespondenti amerikan i Zërit të Amerikës në Kombet e Bashkuara Michael Dune më bëri telefon atë ditë më 13 qershor 1988 që ishte edhe Dita e Shna Nout dhe më njoftoi se atë ditë Nënë Tereza ishte në Kombet e Bashkuara dhe pas takimit me Seretarin e kësaj Organizate Javier Perez De Cuellar do të mbante një konferencë për gazetarët. Une e kisha porositur disa herë në të kaluarën që të më njoftonte për vizitën e saj në OKB. Vajtja ime atë ditë ishte shumë e vështirë për shkak të disa normave burokratike. Në dhomën e Konferencës për gazetarët në OKB ishin ulur shumica e korrespondenteve. Pas pak hyri Nëna Tereze me një përfaqësues të lartë diplomatik amerikan. Unë iu luta diplomatit amerikan të më jepte mundësinë për të bërë një pyetje dhe shtova se isha korrespondent i Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe. Ai e priti mirë kërkesën time, vazhdo tha ai (go ahead). Vura re se Nëna Tereze u gëzua kur mori vesh se isha shqiptar. Nuk bëri asnjë koment por u duk qartas në fytyrën e saj një buzëqeshje. Pyetja ime ishte: “Nënë Tereze, ju keni vizituar shumë vende komuniste në Lindje, siç ishte Bashkimi Sovjetik, Vietnami dhe Kina, pastaj Kuba. Çka mendoni për mundësinë e një vizite në Shqipëri në atdheun e të parëve tuaj? Gazetarët qeshën pothuajse të gjithë njëzëri lidhur me pyetjen time hipotetike siç e cilësoi njëri nga ata. Ajo nuk bëri asnjë koment për komentet e tyre. Nëna Tereza tha:” Disa herë kam bërë përpjekje për të shkuar Shqipëri, por nuk më kanë lejuar. Lus Zotin që një ditë do të ma plotësojnë këtë deshirë: “Unë dua ta vizitoj Shqipërinë”(I love to visit Albania). Pasi mbaroi konferenca më bëri me dorë për t’u ulur pranë saj dhe biseduam vëllazërisht për punë personale dhe për shqiptarët e New Yorkut. Në fund të bisedës iu luta për mundësinë e takimit me shqiptarët e këtij qyteti. Ajo tha: “Jo nesër, jo pasnesër, por një ditë tjetër. Më dha telefonin e zyrës dhe mu lut që t’i bëja telefon mundësisht pas mesnatës, duke ma shpjeguar se kishte disa takime me autoritetet e qytetit dhe më vonë do të shkonte për vizita në dy spitale. Pak pas mesnate e thirra në telefon dhe pyeta a mund të flas me Nënën Tereze? ” Ajo tha: “Unë jam Nëna Tereze”. Kërkova falje që thirra tepër vonnë, por kjo thirrje kishte qënë porosia e saj. Jo jo tha: “Mos u shqetëso se Unë nuk fle vetëm dy ose tri orë në natë”. E pyeta për mundësinë e takimit me shqiptarët? Ajo tha pasnesër në ora 7 të mëngjezit si zakonisht do të shkojmë në kishën Shën Ritas në East 145 street dhe pas meshës mund të bisedojmë me shqiptarët e këtij Komuniteti. Të nesërmen gjithë ditën bëra thirrje shqiptarëve nga zyra ime e Zërit të Amerikës për takimin me Nënën Tereze. U bëra telefon edhe dy klerikëve shqiptarë: Dom Rrok Mirëditës dhe Dom.Pjetër Popaj. Ata bashkëmeshuan atë ditë me meshtarët amerikanë. Pas meshës në oborrin e asaj kishe shqiptarët biseduan dhe u fotografuan me Nënën Tereze. Ndërkohë të gjithë së bashu mblodhëm nja 10.000 (dhjet mijë dollarë) për të varfërit e saj, dhe ia dorëzova Motrës Nirmala. Nëna Tereze u gëzua shumë për dhuratën tonë dhe shtoi: ‘E dijë që shqiptarët janë bujarë, por nuk e kisha menduar kurrë se janë kaq bujarë”. Motra Nirmala tha shpresoj që nuk ke bërë fushatë për këtë kontribut sepse ne e kemi të ndaluar fushatën për kontribute financiare. Nuk bëra asnjë koment për këtë çështje. Nëna Tereze u gëzua për këtë kontribut, ngase ishte nga vëllazërit e saj shqiptarë. Në atë moment iu luta për një bisedë ose intervistë në gjuhën shqipe?Ajo tha nuk kishte folur shqip për pothuajse 60′ vjet dhe e kishte shumë të vështirë. Por tha, prit pak. U mendua nja 30 sekonda dhe filloi: “Unë lutem për Ju, Zoti kjoft me Ju”. Pas pak filloi uratën e mirënjohur shqitare “Puna e Pendimit”.
Puna e pendimit
O Zoti em
Po më vjen keq
Me gjithë zemër
Për gjithë mëkate
Që kam ba
kam bjerrë parisin
kam meritua ferrin
por ma fort se të kam fye ty
O e mira e pamarueme
Që kaq fort më ke dasht
Mëshirë o Zot
Më fal o Zot
Po të jap fjalën
Me nimë tande
S’kam me të fye ma kurrë.
E tha këtë uratë pa asnjë vështirësi. Të gjitha këto i regjistrova dhe një ditë më vonë u transmetuan në Zërin e Amerikës.
Pas dy tri ditësh mora një letër falënderimi që e ruaj me shumë dashuri tash 30 vjet.
E dashur Ndërmarrja Gjonlekaj
Lavdi Jezusit Shpëtimtarit tonë të Kryqëzuar dhe të Ringjallur. Faleminderit për dhuratën tuaj për Jezusin, i cili jeton me të varfërit e të varfërve. Lutja ime për ju është që ju të ruani në zemrat tuaja gëzimin e dashurisë për Krishtin.Ndani këtë gëzim me gjithë ata që i takoni. Ju lutem, që të mbani ne lutje mua dhe motrat e mia, dhe gjithë të varfërit që ne u shërbejmë.
Zoti u bekoftë.
Nëna Tereze shkruante dhe poezi, ne këtë rast nën fotografinë e saj shkruajti këto vargje:
Çdo punë dashurie, e bëre me zëmër te plotë, gjithmonë sjell njerëzit më afër të Madhit Zot
Fotografia e madhe e shqiptarëvë me Nënë Terezen pas meshës është sot në Muzeun e saj Tiranë. Në atë fotografi shihen shumica e shqiptaro-amerikanëve që morën pjesë në meshë dhe takim. Kjo është fotografi historike. Nëna Tereze ishte pritur me nderime në mesin e viteve 70′ në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”. Meshën dhe pritejen për Nënën Tereze i kishin organizuar Dom.Zef Oroshi dhe Dom.Rrok Mirdita.Kishin marrë pjesë disa autoritete fetare midis tyre edhe At. Arthur Liolini nga Bostoni. Nënë Tereza kishte vizituar edhe Komunitetin e Detroitit dhe ishte pritur mirë në atë qytetet. Por nderën më të madhe ia kishte bërë Rrustem Kupi, djali i Abaz Kupit, sepse i kishte siguruar udhëtimin pa pagesë(gratis) në ndërmarrjen e fluturimeve ajrore PAN-AM më vonë UNITED kudo në botë, bile në klasin e parë. Rrustem Kupi kishte qënë njëri prej drejtorëve ekzekutiv i kësaj ndërmarrje ajrore amerikane. Thënja e saj në Oslo atë ditë që kishte marrë Çmimin Nobel për Paqë: ” se me gjak jam shqiptare”( by blood I’m Albanian) e bëri të dashur për popullin shqiptar përgjithmonë.
Ç’prej 15 qershorit të vitit 1988 e deri atë ditë që u largua nga kjo jetë më 5 shtator 1997, kisha mbajtur lidhje telefonike, takime dhe korrespondenca, por jo aq shumë sepse Nëna Tereze ishte tepër e zënë. Ajo ishte supër korrekte mbase njeriu më korrekt që kisha parë ose dëgjuar në jetë kur është fjala për sakësi dhe përgjegjësi. Ajo të falënderonte me shkrim edhe për dhuratën më të vogël. Në një rast më kishte falënderuar nga India për një fotografi të saj që ishte botuar në gazetën shqiptaro-amerkane “Ilyria”. Për korrespondencën e saj prej dhjetëra mijëra letrash nuk kishte sekretare. Ajo vet i shkruante të gjitha. E bënte këtë për të treguar respektin dhe perzëmërsinë e saj. Letrat e saj ishin si letrat e Shën Palit. Ishin ungjillore me një frymë gëzimi, bekimi e optimizmi. Në një rast më shkruante se lutet për mua dhe për qëllimet e mia(I pray for you and your intentions). Shume herë në vështirësitë e jetës dhe rrëmujat e ndryshme i lutesha në vetmi “O Nënë Tereze lutu për ne”. Pavarësisht se emëri Tereze tani në këtë kohë nuk është modern, për dashurinë e saj u kisha dhënë emërin e Nënës Tereze tri vajzave të lindura në familjen time. Bile edhe vajzës sime i kisha dhënë emërin Tereze. Për mrekulli të tri këto vajza kanë pas fatin e mirë. Në vitin 2010 i kisha dërguar meshtarit përgjegjës për shejtërimin e saj. Dom.Brian Kolodiejchuk një ese prej 10 faqesh në mbështetje të shejtërimit të saj. E bëra këtë pasi që njerëzit kishin dërguar dhjetëra mijëra faqe në përkrahje të shejtërimit. Desha që të jem dëshmitar i kësaj kauze të shejtë. Në atë shkrim e kisha lidhur me emërin e saj me shpëtimin e popullit shqiptarë të Kosovës në fund të viteve 90’. Bile i kisha dërguar edhe lutjet e uratën e saj në gjuhën shqipe “Puna e Pendimit”. Ai e kishte dëgjuar dhe më kishte dërguar një letër falënderimi ku mes tjerash thoshte se kjo do të ruhet në arkivat e Vatikanit atje ku ruhet i gjithë dokumentacioni për shejtërimin e saj.