Nga Frank Shkreli
Në takimin e nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor organizuar nga “Miqtë e Europës” në Bruksel këtë javë, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama u ankua se Evropa nuk po ngutet të antarësojë Shqipërinë në Bashkimin Evropian dhe deklaroi se përveç integrimit në Bashkimin Evropian, për Shqipërinë dhe për Ballkanin, ka edhe alternativa të tjera. Ndër “alternativat” tjera, ndoshta sipas tij të pranueshme për të dhe për vendin që ai përfaqëson, për ndryshe pse do t’i përmendëte, kreu i qeverisë shqiptare tha se ato alternativa përfshijnë Rusinë, Turqinë dhe Kinën dhe islamin radikal. Ja deklarata që bëri Z. Rama në Bruksel, në lidhje me këtë çështje:
“Nuk jam shumë dakord apo tërësisht me miken tonë këtu që përmendi Turqinë, Rusinë, Kinën si vende që s’kanë ç’të ofrojnë. Po, po kanë shumë të ofrojnë. Rusia për shembull ka një rrugë shumë të lehtë për të ofruar. Harroni shtetin e së drejtës, harroni institucionet, mbaje pushtetin për gjithë jetën dhe nuk është pa interes. Dhe kanë para që të mund t’i derdhin dhe nuk është se ka ndodhur në ndonjë pyll në Siberi, ka ndodhur në mes të Evropës që qeveria, që kryeministri gjatë zgjedhjeve u kërcënuan me vdekje dhe kryeministri gati u vra dhe kjo ndodhi në Malin e Zi, një vend që negocion në BE.
Pra, rreziku është real, është rrezik i pranishëm, siç do thonin kolegët tanë amerikanë. Por që Kina mendon në afat të gjatë, për 20 vite të tjera, ndërkohë që këtu mendojmë për 4 vjet megjithatë nuk mund të themi që nuk kanë asgjë për të ofruar, dhe ju harruat edhe një forcë tjetër që është islami radikal. Në rajonin tonë ne jemi shumë etnikë, shumë fetarë, shumëçka dhe tashmë me gjithë këtë shumëllojshmëri ne duam BE. Në qoftë se BE nuk do të vrapojë, të presë, por të vrapojë të na kapë, atëherë më besoni do të kenë një larmi problemesh të tjera që do të nisin dhe do të jetë shumë herë më e kushtueshme që të martoheni me ne.”
Që të jemi të drejtë, Z. Rama nuk është as i pari as i mbrami ndër udhëheqsit shqiptarë që kanë bërë deklarata të tilla, megjithse ky vet i ka përsëritur disa herë këto “alternativa”, si opcione të mundshme,ose si mënyra trysnie, për të mos thënë shantazh ndaj Bashkimit Evropian. Është e vështirë të konstatohet nëse me këtë deklaratë dhe të tjera si kjo, Z. Rama ka në mend të kërcënojë evropianët apo është një flirtim i tërthortë me Putinin, Erdoganin e kinezët, për të tërhequr ato që ai i quan “alternativa” dhe influencën politike, ushtarake dhe ekonomike të këtyre vendeve në Shqipëri dhe në rajon, nëqoftse BE-ja, sipas tij, “nuk vrapon për t’i kapur” ato, duke ofruar integrim të plotë euro-atlantik për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ndërkaq, as komentet e kryetarit të opozitës shqiptare Z. Basha, dhënë një gazete ruse — të raportuara nga disa portale shqiptare pothuaj në të njëjtën kohë – nuk i bëjnë nder atij, partisë që ai përfaqëson dhe as Shqipërisë dhe as nuk ndihmojnë Shqipërinë në rrugën e saj drejtë integrimit evropian. Nëqoftse Z. Basha pret simpati për Shqipërinë e shqiptarët nga lexuesit e një gazete pro-qeveritare ruse, ai gabohet rëndë.
Bashkimi Evropian mund të ketë bërë gabime gjatë kësaj periudhe të tranzicionit në Shqipëri. Por Bashkimin Evropian dhe zyrtarët e tij nuk mund t’i akuzojë askush se nuk kanë qenë të qartë dhe transparent me Shqipërinë mbi kushtet që kërkohen, përsa i përket antarësimit të Shqipërisë në BE, ashtu siç u është kërkuar të gjitha vendeve anëtare dhe siç u kërkohet të gjithë atyre të mbetura jashtë, e që aspirojnë antarësimin e tyre në Bashkimin Evropian. Rregullat dhe kushtet për antarësim në BE, janë të njëjtat për të gjithë dhe të tilla janë edhe për Shqipërinë.
Por pse këto kushte të BE-së nuk i kanë zbatuar qeveritë shqiptare gjatë viteve, kjo është diçka tjetër. Zyrtarët evropianë kanë qenë kryesisht transparent dhe konsekvent në kërkesat dhe kushtet që duhet të plotësojë gjithnjë Tirana zyrtare, për antarësim. Të gjithë e dinë se Shqipërisë i kërkohen rezultate konkrete si dhe plotësimi i pesë kushteve të përcaktuara nga komuniteti evropian. Por është pikërisht mos plotësimi i këtyre kushteve, gjatë 27 viteve post- komunizëm nga klasa sunduese shqiptare, ai që ka ngadalësuar dhe që po vonon procesin e integrimit të plotë të shqiptarëve në Evropë, më shumë se një çerek shekulli pas rënjes së Murit të Berlinit.
Kryeministri Rama citohet të ketë thenë në Bruksel se Turqia, Kina dhe Rusia, “Po, po kanë shumë të ofrojnë (Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit)…kanë para që t’i derdhin…” — sikur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nuk ka derdhur mjaft para në Shqipëri gjatë 27 viteve të fundit. Duket se autoritetet shqiptare e shikojnë Bashkimin Evropian si një thes me plot para, që me antarsimin në BE do të derdhën në Shqipëri. Fatkeqsisht, ky është problemi. Autoritetet shqiptare e kanë shikuar vazhdimisht antarësimin në BE si një përfitim ekonomik, që në të vërtetë do të ishte, por për vendet anëtare është diçka më tepër se kaq. Besohej se antarësimi në BE për Shqipërinë dhe për shqiptarët duhej të ishte diçka më shumë se një “derdhje parashë”. Me shembjen e një regjimi komunist, ndër më mizorët në botë, shqiptarët shpresonin dhe u deklaruan se e donin Shqipërinë si gjithë Evropa. Nënkuptohet, jo vetëm për parat dhe ndihmat që mund të derdheshin aty nga Evropa, por mbi të gjitha për vlerat perëndimore, për lirinë dhe demokracinë, për drejtësinë, për të drejtat e njeriut, për respektin për jetën e njeriut, e të tjera. Tiranës zyrtare gjatë gjithë kësaj periudhe, fatkeqsisht, i ka munguar vazhdimisht ndërmarrja e veprimeve konkrete dhe serioze për një transformim rrënjësor demokratik të vendit dhe si rrjedhim ka munguar edhe zbatimi i reformave që kërkohen nga Evropa si kushte për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në këtë pikë, nuk mund të mburren as pozita as opozita se njëra apo tjetëra palë kanë bërë më shumë në procesin e integrimit. Fakti është se as njëra palë politike, në pushtet ose në opozitë në Shqipëri, nuk e kanë kuptuar ende se kanë përgjegjësi të përbashkët, jo vetëm për integrimin, por për mbarë mirëqenjen e popullit shqiptar dhe të kombit në përgjithësi. Kjo klasë politike ende nuk ka mësuar se një nga përgjegjësitë ndaj popullit, në një demokraci të mirëfilltë, është dialogu serioz politik midis palëve kundërshtare, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe konstruktiv, duke përfshirë edhe respektimin për rolin që duhet të luajnë media dhe shoqëria civile në një vend demokratik. Me fjalë të tjera, për çështjet madhore të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar duhet të ketë një konsensus politik midis palëve. Një ndër këto çështje madhore të kombit është edhe integrimi i i vonuar i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në përgjithësi, në Bashkimin Evropian.
A ka evropianë që ndoshta nuk e duan Shqipërinë dhe shqiptarët në organizmat evropiane? Edhe mund të ketë. Por është kjo klasë politike shqiptare, me mos veprimin e saj, ajo që ua ka bërë qëndrimin e kundërshtarëve të integrimit të shqiptarëve në Evropë, më të justifikueshëm dhe më të lehtë për ta mbrojtur. Pa dyshim se Evropa ka përgjegjësitë dhe fajet e saja aktuale dhe historike ndaj shqiptarëve, por janë udhëheqsit shqiptarë të post-komunizmit, ata të cilët kanë vonuar, me qëllim e pa qëllim ndoshta, antarësimin e plotë të Shqipërisë në organizmat euro-atlantike. Atyre dhe vetëm atyre duhet t’u kërkohet përgjegjësia, nëqoftse “alternativat” ruse, turke e kineze, për të cilat flet Kryeministri shqiptar në forume ndërkombëtare si në takimi i javës që kaloi në Bruksel, bëhen realitet. Ky do të jetë faji i kësaj klase politike dhe jo i Evropës dhe aq më pak i popullit shqiptar, i cili është përcaktuar me kohë se ku dëshiron ta ketë vendin e tij.
Mendohej se Shqiptarët e kishin vendosur në fillim të 1990-ave se e donin Shqipërinë si gjithë Evropa. Madje megjith zhgënjimet e politikanëve shqiptarë gjatë këtyre dy-tre dekadave për të plotësur më në fund këtë dëshirë historike, shqiptarët e thjeshtë — gjatë kësaj periudhe — e kanë përcaktuar qartë alternativën e tyre të preferuar: Me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara dhe jo me “alternativat” dhe opcionet e mundëshme që përmendi Z. Rama në Bruksel: Rusinë, Turqinë, Kinën, a po radikalizmin islamik. Dihet se me qindra mijëra shqiptarë janë shpërngulur drejt vendeve perëndimore, duke votuar siç thuhet “me këmbë”, në favor të alternativës perëndimore, të vlerave dhe demokracisë perëndimore, që ata dëshirojnë edhe për vendin e tyre. A mund të thotë Z. Rama ose ndonjë politikan tjetër aktual ose i periudhës post komuniste, se sa shqiptarë në këtë ndërkohë i janë drejtuar Rusisë, Kinës, ose Turqisë gjatë 30-viteve të fundit për një jetë më të mirë, si alternativë ndaj Bashkimit Evropian ose botës perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara? Kombi shqiptar është përcaktuar qartë se gjeografikisht dhe historikisht i përket Perëndimit. Fatkeqsisht, duket se autoritetet shqiptare të këtyre 27-viteve ende nuk e kanë të qartë dhe si rrjedhim nuk janë të vendosur, se kah do t’ia mbajnë, drejtë Lindjes apo Perëndimit? Drejt një demokracie të vërtetë perëndimore, apo drejt thellimit të mëtejshëm të një sistemi autoritar të llojit putinist dhe erdoganist lindor?
Frank Shkreli