Në periudhën kohore 1974- 1978 zgjedhjet për Kuvendin e Republikës Socialiste të Malit të Zi janë mbajtur më 25 prill 1974. Në Këshillin e Punës së Bashkuar janë zgjedhur 65 delegatë. Në Këshillin e Komunave 35 delegatë dhe në Këshillin Politiko-Shoqëror 35 deputetë.
a) Në Këshillin e Punës së Bashkuar nga radhët e shqiptarëve për deputetë janë zgjedhur:
1. Omer Axhoviq, Komuna e Podgoricës dhe
2. Lekë Elezoviq, Komuna e Ulqinit
b) Në Këshillin e Komunave janë zgjedhur dy shqiptarë:
1. Xhemal Husiq nga 17.6.1977, Komuna e Tivarit dhe
2. Haxhi Hasangjekiq, Komuna e Plavës
c) Në Këshillin Politiko-Shoqëror shqiptarët janë përfaqësuar vetëm me një deputet:
1. Nikollë Gjonaj, Komuna e Podgoricës.
Domethënë në përbërjen e vitit 1974-78 shqiptarët janë përfaqësuar me 5 deputetë, po aq sa në zgjedhjet paraprake të vitit 1969.
Kuvendi i ri i Republikës Socialiste të Malit të Zi, në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit mbi Këshillin Ekzekutiv, më 6 maj 1974 ka zgjedhur dhe emëruar anëtarët e Këshillit Ekzekutiv prej 17 anëtarësh. Në mesin e tyre për herë të parë emërohet një shqiptar. Ai ishte Fadil Taipoviq, nga Komuna e Ulqinit, duke u bërë kështu shqiptari i dytë në organet e pushtetit të Malit të Zi pas Luftës së Dytë Botërore. Ja përbërja e Këshillit Ekzekutiv:
1. Marko Orllandiq, kryetar i Këshillit Ekzekutiv;
2. Radovioje Brajoviq, nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv;
3. Spasoje Medenica, nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv
4. Milivoje Stijepoviq, nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv;
5. Avdul Kurpejoviq, anëtar i Këshillit Ekzekutiv;
6. Mllagjen Shkobal, anëtar dhe sekretar i Këshillit Ekzekutiv;
7. Fadil Taipoviq, aëtar i Këshillit Ekzekutiv;
8. Gjorgje Vukmanoviq, anëtar i Këshillit Ekzekutiv;
9. Vuçiq Çagoroviq, sekretar Republikan për Punë të Brendshme
10. Sllavko Mariçeviq, sekretar Republikan për Mbrojtje Popullore;
11. Marko Markoviq, sekretar Republikan për Drejtësi dhe Organizim të Admnistratës;
12. Vuk Ognjanoviq, sekretar Republikan për Financa;
13. Radomir Gjaçiq, sekretar Republikan për Ekonomi;
14. Millan Shanoviq, sekretar Republikan për Bujqësi;
15. Dr. Branko Poçek, sekretar Republikan për Punë, Shëndetësi dhe Mbrojtje Sociale;
16. Dr. Bozhidar Ivanoviq, sekretar Republikan për Arsim, Kulturë dhe Shkencë;
17. Dragutin Grukoviq, drejtor i Entit Republikan për Planifikim, deri më 25.10.1975, kur në vend të tij emërohet dr. Risto Vukçeviq.
Këshilli Ekzekutiv përbëhej nga shtatëmbëdhjetë anëtarë. Përveç kryetarit kishte 3 nënkryetarë, 9 sekretarë dhe 1 drejtor.
Zgjedhjet e vitit 1974 u zhvilluan në pajtim me Kushtetutën e re të cilën e miratoi Kuvendi i Republikës Socialiste të Malit të Zi (në periudhën mandatore 1969-1974), në seancën e përbashkët të të gjitha këshillave, të mbajtur më 25 shkurt 1974.
Vendimin për shpalljen e Kushtetutës së Republikës Socialiste të Malit të Zi e nënshkroi Vidoje Zharkoviq, kryetar i Kuvendit të Republikës Socialiste të Malit të Zi. Sipas kësaj kushtetutë Republika Socialiste e Malit të Zi është shtet i popullit malazez dhe i pjesëtarëve të popujve dhe kombësive të tjera të Jugosllavisë në të cilën jetojnë. Në RSMZ janë njësoj të barabartë malazezët, myslimanët, serbët, kroatët, maqedonasit, sllovenët, shqiptarët dhe pjesëtarët e popujve të tjerë të cilët jetojnë në të.
Republika Socialiste e Malit të Zi është në përbërje të RSFJ ( Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë).
Qytetarët e Republikës Socialiste të Malit të Zi kanë shtetësinë republikane dhe çdo qytetar i saj në të njëjtën kohë është edhe shtetas i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( RSFJ-së)
Që nga miratimi i Kushtetutës së vitit 1974 e deri me ndryshimin e saj me amendamente ( Amendamenti LXXII) e deri në vitin 1990 Kuvendi i Republikës Socialiste të Malit ë Zi ka qenë me tri dhoma. Kuvendin e Republikës Socialiste të Malit të Zi e përbëjnë: 1. Këshilli i Punës së Bashkuar. 2. Këshilli i Komunave dhe 3. Këshilli Politiko- Shoqëror.
a)Këshilli Punës së Bashkuar përbëhet nga delegatët e popullit punues nëpër organizata të punës së bashkuar dhe të organizatave e bashkësive të tjera vetëqeverisëse. Kandidatët për deputetë në këtë këshill i propozon delegacioni i punonjësve( punëtorëve) në organizatat e punës së bashkuar, organizatat dhe bashkësitë e tjera vetëqeverisëse nga përbërja e delegacionit. Kandidatët i cakton komisioni konkurrues i cili përbëhet nga delegatatët prej Këshillit të Punës së Bashkuar të Kuvendit Komunal dhe përfaqësuesve të Lidhjes Socialiste të Popullit Punues (LSPP). Një delegat zgjidhet përafërsisht në 2.700 punonjës. Në çdo komunë zgjedhet më së paku nga një delegatë dhe pikërisht nga fusha e punës ku ka më së shumti punonjës. Delegatet në Këshillin e Punës së Bashkuar i zgjedh Këshilli i Punës së Bashkuar të Kuvendit të Komunës me vota të fshehta, me fletëvotime.
b)Këshilli i Komunave e përbëhet nga delegatët e punonjësve dhe qytetarëve në komuna. Kandidatët për deputetë propozohen nga delegacionet në organizatat dhe bashkësitë kryesore vetëqeverisëse dhe bashkësitë e organizatat politiko – shoqërore nga përbërja e vet. Kandidatët për deputetë i cakton komisioni i konkurseve të cilin e zgjedh Kuvendi i Komunës në mbledhjen e përbashkët të të gjitha këshillave, nga radhët e delegatëve të Kuvendit të Komunës. Të paktën një delegat nga çdo komunë zgjidhet përafërsisht në 15.ooo banorë. Deputetë në Këshillin e Komunave i zgjedhën nga kuvendet e komunave, në mbledhjen e përbashkët të gjitha këshillave, me vota të fshehta, me fletëvotime.
c) Këshillin Politiko-Shoqëror përbëhet nga deputetët e punonjësve dhe qytetarët e organizuar në organizata politiko-shoqërore ( Lidhja Socialiste e Popullit Punues (LSPP) , Lidhja Komuniste (LK), Lidhja e Sindikatave ( LS), Lidhja e Rinisë Socialiste (LSR) dhe Lidhja e Luftëtarëve të Bashkuar të Luftës Nacional-Çlirimtare ( LLB të LNÇ).
Kandidatët për delegat propozohen nga delegacionet e organizatave politiko-shoqërore të bashkuara në Lidhjen Socialiste të Popullit Punues të Malit të Zi nga përbërja e vet. Kandidatët i cakton Konferenca kandiduese e LSPP-së të Malit të Zi në bazë të rregullave të përcaktuara të Konferencës Republikane të LSPP-së të Malit të Zi.
Për zgjedhjen e delegatëve në Këshillin Politiko-Shoqërore deklarohen me vota të fshehta këshillat politiko-shoqëroro të gjitha kuvendeve të komunave. Sipas Kushtetutës dhe Ligjit askush nuk ka mundur të zgjedhet për delegat në Kuvendin e Republikës më shumë se dy herë radhazi, as që mund të jetë në të njëjtën kohë delegat në dy ose tre këshilla.
/Kohajavore/