NACIONALIZMI  DHE  IDENTITETI KULTUROR (V)

Nikë Gashaj

Matrica kulturore e nacionalizmit

Bota e llojllojshmërisë kulturore, shumica e “kulturave të zgjedhura“, gjithashtu është botë e historicizmit etnik. Në shikim të parë një botë e tillë duket se është larg botës së absolutizmit territorial, në të cilin kanë lindur ideologjitë nacionaliste, simbolika dhe lëvizjet. Mirëpo, idealet nacionaliste, motivet dhe simbolet për herë të parë janë paraqitur pikërisht në Europën Perëndimore kah fundi i shekullit XVII dhe fillimi i shek. XVIII. Sepse derisa Europa e shekullit XVI dhe e pjesës më të madhe të shek.XVII ka qenë dëshmitare e lëvizjeve të fuqishme të nacionalizmit fetar mesian- në veçanti në Holandë dhe në Angli, por edhe në Poloni-konceptet, termat, idealet, simbolet dhe mitet e kombit, si qëllim i fundit është dashur të presin një kohë të mëvonshme, ndërsa “doktrina thelbësore“ dhe lëvizjet ideologjike një kohë dhe më vonë (mbi nacionalizmat e njohur të mesjetës, V.Tipton, 1972; shembulli holandez sh te Schame, 1978, 1/2)

Natyrisht se këtu ka të bëhet me procese të përbëra dhe të ndërlikuara, të cilat nuk është kurrë e lehtë t’i periodizosh, e jo më saktësisht t’i datosh. Nuk ekziston ndonjë fazë e caktuar, e aq më pak momenti, se kur mund të tregohet saktësisht mbi dukurinë e nacionalizmit të vërtetë. Kur historianët debatojnë mbi atë se nacionalizmi është paraqitur në kohën e ndarjes së kolonisë (Lord Akton), në kohën e revolucionit amerikan (Benedikt Anderson), te revolucioni anglez (Hans Kon), madje edhe në fjalimet e Fihtes drejtuar kombit gjerman më 1807 (Keduri), ajo na tregon shumëçka mbi definicionet e tyre të ndryshme të nacionalizmit, por jo aq edhe mbi dukurinë e tij.

Çka ka më shumë rëndësi, ata e bënë një periudhë shumë më të gjatë të pjekurisë së nacionalizmit si gjuhë dhe simbolikë, por edhe si vetëdije dhe synim. Meqënëse është tejet vështirë ta vlerësosh vetëdijën edhe sentimentin, përveç në mënyrë indirekte, më i miri është përqëndrimi mbi të zënunit fill dhe në fillimin e termave nacionaliste, të gjuhës, miteve dhe simboleve (Kemilalinena, 1964; Barnard, 1965, kreu 1).

Në shekullin XVII hasim në një interesim më të madh për idenë mbi “karakterin nacional“ dhe “frymën nacionale“. Këtë të dytin e ndeshim te Lord Shaftsberia mbi të arriturat britanike, ndërkaq mund t’i shtohet edhe krahasimi i Xh. Riçardson-it midis anglezëve nga njëra anë dhe grekëve antikë dhe romakëve nga ana tjetër, për çka ai pohon: “krenaria e shprehur, mendimi fisnik, bukuria e lartë, liridashja, karakteri dhe nderi tek ne janë karakteristikë dhe trashëgohen prej të parëve tanë, të cilët na përkasin neve si anglezë“ (Richardson, 1725, 222-224).

Sentimente të ngjashme mund të hasen dhe në Francë, në shekullin XVIII. I ashtuquajturi Atë Daniel madhësinë dhe madhështinë e Francës e ka vënë në kontekst me monarkinë e saj, duke deklaruar se “vetë antika do të gjente shumë“  mahnitje të denjë në krijesat e panumërta të arteve të ndryshme, në mija bizarite dhe madhështi, të cilat në kohën tonë i ka krijuar Franca“; ndërsa Anri-Fransoa Dageso, në fjalimin e tij në Parlamentin e Parisit më 1715 e lavdëroi dhe theksoi dashurinë ndaj partisë“, në të cilën “qytetarët e gjejnë patrinë, kurse patria i gjen qytetarët“ (Ë.F.Churcha, 1975).

Në Francë, kah mesi i shekullit XVIII, koncepti i “karakterit nacional ka qenë gjerësisht i pranuar dhe i përhapur“.

Ndërkaq, në pjesën e dytë të shekullit XVIII një gjuhë e tillë nacionale ka qenë e përhapur dhe në Amerikë, në Gjermani në Zvicër, në Itali, në Holandë, në Suedi, në Poloni dhe në Rusi.

Revolucioni kulturor e ka frymëzuar besimin në mundësinë e përparimit që shtetet dhe qytetërimet mund të renditen sipas hierarkisë kulturore të frymës apo shpirtit nacional. “Historicizmi, besimi në të lindurit, në të rriturit, në të lulëzimit dhe shkatërrimit të popujve dhe kulturave, është bërë gjithnjë e më tërheqës si suazë për shqyrtimin e së kaluarës dhe të tashmes dhe si parim i shpjegimit të rëndësisë së ngjarjeve të ndryshme, duke i vë ngjarjet dhe personalitetet në një kontekst historik përkatës. Andaj, në Britani dhe në Francë gjatë shekullit XVIII gjinden një numër i madh i vepravetë cilat merren sikurse me historinë klasike, ashtu edhe me atë nacionalen, me prejardhjen e popujve, si dhe me veçoritë dhe karakterin e tyre historik (V. Poliakov, 1974, në veçanti kreu 8; Nisbet, 1969).

/Fund/

By admini