Shkruan Nikë Gashaj

 

Si të çohen kah demokracia fiset të cilat urrehen? Si të gjehet harmonizimi ndërmjet parimeve të sovranitetit të shteteve të reja të formuara në Europën Juglindore apo në Ballkan dhe detyrimeve të respektimit të pakicave? Dhe kush, në përgjithësi, e pranon sot statusin e pakicave? Vetëm ai që nuk ka tjetër rrugëdalje. Duke i rezimuar këto argumente, prof. dr. Will Kymlicka, nga Kanadaja, njëri nga njohësit më të mirë të multikulturalizmit, tregon: “… kur të drejtat demokratike dhe institucionet do të vendosen me të vërtetë dhe kur ato do të bëhen të arritshme për të gjithë qytetarët, njerëzit do t’i ndërprejnë lidhjet etnokulturore”.

Sipas një argumenti tjetër tradicional liberal, të cilin profesor Kymlicka e parafrazon, “konflikti etnokulturor ka qenë ndërtimi i modernizimit dhe mirëqënies ekonomike. Sipas kësaj pikepamjeje, problemi i vërtetë shihet në atë, që disa njerëz e kanë ndier veten të lënë pas dore në vetë procesin e modernizimit dhe, kur një nivel përkatës i zhvillimit ekonomik do të rritej dhe do të bëhej i arritshëm për të gjithë qytetaret, njerëzit do të ndërprisnin mobilizimin mbi baza të lidhjeve etnokulturore.

Një serë ngjarjesh në ish Jugosllavinë e Titos me siguri nuk e kanë vërtetuar këtë qëndrim. Por, duhet të shtohet se as mohuar nuk e kanë, sepse shkalla e dëshirueshme e modernizimit dhe e mirëqenies ekonomike – e cila sipas argumentit do të mund të ndalojë mobilizimin mbi baza etnike – nuk është arritur, madje as afërsisht. Sipas pikëpamjes së Kymlickës, shtetet demokratike të Perëndimit nuk na ofrojnë kurrfarë fakti se arritja e demokracisë, e prosperitetit ekonomik dhe e tolerancës personale, çon kah zvogëlimi i mobilizimit etnokulturor. Është vështirë që ish Jugosllavia, por edhe Europa Lindore dhe ajo Qendrore në terësi (në tekstin e mëtejshëm: ELQ) të sigurojnë faktet që mungojnë. Por edhe sikur do t’iu besonin argumenteve të lartpërmendura tradicionale liberale, ngjarjet në ish Jugosllavi në dhjetëvjetëshin e fundit ofrojnë fakte të pamohueshme se pa pranimin e rëndësisë së drejtësisë etnokulturore dhe pa aranzhmane kryesore të cilat do të sigurojnë një farë baraspeshe ndërmjet aspiratave etnike, procesi i modernizimit thjesht as që mund të fillojë. Një shoqeri mund të dëshirojë mirëqënie ekonomike, por do të mbesë e paaftë për përpjekje të vendosura dhe të harmonizuara në drejtim të arritjes së saj.

                   Korelacioni i modernizimit dhe tensioneve etnike

Parashtrohet pyetja a janë modernizimi dhe mirëqenja ekonomike, nga njëra anë, dhe ulja e tensioneve etnike, nga ana tjetër, në koleracion. Por, madje, edhe në qoftë se janë, pasimi i hapave të domosdoshëm duhet të jetë i kundërt, ose ndoshta i gërshetuar.

Është me rëndësi të vihet re se parulla “demokratike zgjidh gjithçka” më së miri iu përgjigjet aspiratave të shumicës. Ata që i besojnë neutralitetit etnokulturor dhe rregullativës grupore-neutrale, e veçanërisht përfaqësimit të shumicës etnike, zakonisht do të ndalen te parimi “një njeri, një votë”, duke besuar se parimet liberale prej nesh kërkojnë vetëm të sigurojmë që një njeri, do të thotë çfarëdo njeriu (ose madje çfarëdo qytetari), pavarësisht nga prejardhja e tij/saj etnike, racore ose religjioze.

Nga perspektiva e pakicës, kërkesat e drejtësisë dhe të barazisë ne na ndeshin me shtimin e pyetjeve. Ne këtu përmendim vetëm një problem të thjeshtë: me rëndësi është p.sh. ta kemi dijeni edhe atë se në cilën gjuhë do të jenë të shtypura listat e votimeve. Pyetje më të vështira shtrohen në shoqërite e ndara multietnike. Këtu parimet e drejtësisë dhe të barazisë nënkuptojnë rregullativën, e cila do të rezultojë me përfaqësimin proporcional etnik.

A është drejtësia etnokulturore-risi në vendet e Europës Lindore dhe Qëndrore?

Një pyetje kryesore imponohet dhe qëndron: modelet e reja perëndimore, të drejtësisë etnokulturore mund t’iu ndihmojnë shoqërive postkomuniste në gjetjen e një qasjeje demokratike për llojllojshmërinë etnike? Për ta kuptuar më mirë këtë pyetje duhet t‘i kthehemi pyetjes së mësipërme: a jane konceptet e drejtësisë etnokulturore, të pranimit dhe të njohjes publike dhe të harmonizimit të llojllojshmërisë, risi për vendet e ELQ-së? Përgjigjja në këtë pyetjen e fundit kishte me qenë shkurtimisht se jo shoqëri dhe shtete të shumta dhe trashigimtaret e tyre, si dhe shumë mendimtare në vendet e ELQ-së, të cilët do të mund t‘i vlerësonim si “liberalë” në kontekstin e dhënë shoqëror, kanë qenë të vetëdijshëm mbi faktin se neutraliteti etnokulturor nuk mund të rregullojë drejtësinë shoqërore dhe harmonizimin.

                               Oszkara Jaszia- sociolog i njohur hungarez

Të përmendim vetëm një autor, Oszkara Jaszia, sociolog i njohur hungarez në periudhën para luftës së parë botërore, i cili thekson: “programi minimal mund të rezimohet me këto fjalë: njerëzve u duhen shkollat e mira, administrata e mirë publike dhe organet e mira të jurisprudencës. Ndërkaq, ekziston vetëm një udhë e cila çon deri te shkollat e mira, te administrata e mirë publike dhe deri te organet e mira të jurisprudencës, rruga e cila është më me rëndësi se çfarëdo perfeksionimi teknik dhe institucional, e cila, shkurtimisht dhe thjeshtë, mund të definohet kështu: do t‘i kemi shkollat e mira, administratën e mirë publike dhe organet e mira të jurisprudencës, vetëm në qoftë se njerëzit do t‘i kenë në gjuhën e tyre”. Një mënyrë e këtillë e mendimit nuk ka mbetur e vetmuar.

Është e mundshme, natyrisht, të shtohet se idetë e sociologëve liberalë (në vendet e ELQ-së ose gjetiu) rrallë ndonjëherë janë zbërthyer dhe operacionalizuar në aksion politik dhe në norma juridike. Por, gjithashtu mund të vërehen se pushtetarët, madje edhe diktatorët, kanë qenë të vetëdijshëm se neutraliteti etnokulturor thjeshtë nuk funksionon në vendet ku pakicat kombëtare e përbëjnë një segment të rëndësishem të popullsisë. Pushtetarët ndoshta nuk kanë qenë të drejtuar me ide liberale të drejtësisë shoqërore, por kanë qenë të vetëdijshëm se mungesa e qëndrimeve dhe rregullave të grupeve specifike mund shkatërrojnë stabilitetin e bashkësisë politike.

                                                  Lojaliteti dhe pakicat

Sigurimi i lojalitetit të pushtetit është detyrë e vështirë, por praktikisht është e pamundur të pritet lojaliteti ndaj shtetit të përbashkët dhe ndaj qëllimit të përbashkët, prej atyre – ndërtimi i identitetit të të cilëve  është i përjashtuar nga konceptet e përbashkëta. E kam më lehtë që vetes t’ia paraqes dhe prezentoj një vend si vendin tim, në qoftë se mund ta quaj në gjuhën time, në qoftë se kulturat dhe gjuhët të cilat e përbëjnë e fitojnë  vendin që u takon edhe në hapësirën publike.

Gjatë kohës së pushtetit shekullor Osman në Ballkan, pushtuesit turq me kujdes iu janë shmangur sprovave që të  imponojnë një gjuhë dhe një religjion. Lenini ka folur shpesh në favor të ruajtjes së llojllojshmërisë dhe ka argumentuar se rusishtja nuk duhet të imponohet si gjuhë zyrtare në Rusi. As më vonë në Bashkimin Sovjetik. Si shembull pozitiv e ka marrë Zvicrën, duke theksuar se Zvicra vetëm fiton nga fakti se ka tri gjuhë zyrtare në vend të vetëm të njërës, duke shtuar se në Zvicër 70% e popullsisë janë gjermanë, ndërsa në Rusi vetëm 43% e popullatës janë rusë.

Po ashtu Tito ka qenë i vetëdijshëm për faktin se stabiliteti në një vend multikulturor – madje dhe në një sistem njëpartiak – mund të arrihet vetëm duke i kushtuar një kujdes të përhershëm dhe në vazhdimësi i llojllojshmërisë, specifikave dhe baraspeshës. Në Jugosllavinë e Titos, edhe përkundër papërsosmërive të shumta dhe mungesës së një demokracie të vërtetë, me të vërtetë ka qenë e sendërtuar një shkallë e duhur e harmonizimeve të identiteteve etnike. Nuk e shoh plotësisht poentën e atyre kritikuesve, që e marrin për të madhe se në Jugosllavi problemi etnik nuk ka qenë i zgjidhur, por vetëm ka qenë i shtyrë nën tepih.

Problemi i dallimeve etnike kurre nuk mund të jetë i zgjidhur. Ai duhet vazhdimisht të jetë  në qendër të vëmendjes, çka vlen edhe për malazezët, serbët, kroatët, shqiptarët, boshnjakët, myslimanët dhe hungarezët, si dhe për grupet etnike në Spanjë, Belgjikë, Zvicër, Itali, Finlandë dhe Kanada. Recepti i Titos i implementimit ka nënkuptuar një kombinim apo përzierje të kulturave dhe të disiplinës partiake (në disa raste më tepër kulturë, ndërsa në raste të tjera  më tepër një disiplinë partiake). Në vitet e shkatërrimit të Jugosllavisë, të tranzicionit dhe të luftës civile,  të dy këta elemente praktikisht janë eliminuar apo zhdukur. Ajo çka me të vërtetë është e domosdoshme qëndron në nevojën e njëfarë udhe  prijëse apo drejtuese  për  arritjen e drejtësisë etnokulturore, pa përdorimin e mjeteve tradicionale, si dhe të ndërtimit të një kulture të re pa disiplinë partiake.

 

 

                                  Tri aspekte të drejtësisë etnokulturore

Dëshiroj të paraqes tezën se si është e mundshme që të dallohen tri aspekte të drejtësisë etnokulturore. Vlerat e tyre relative dallohen në shoqëritë e ndryshme, ato kërkojnë mjete të ndryshme të implementimit dhe kapin nivele të ndryshme të pranimit dhe të njohjes në shoqëri të ndyshme.

  1. a) Aspekti i parë është kërkesa për mundësimin e njëfarë territori të veçantë për pakica. Drejtësia etnokulturore qartësisht supozon sferën në tc ëilën pakicat mund të organizohen, ose ku të paktën u mundësohet interaksioni i tyre kulturor. Nën pushtetin komunist, ligjitimiteti i këtij aspekti nuk ka qenë i pranuar as i njohur për arsye të një aderimi të tepruar për territoret publike. Kërkesa e pakicave që përmban të drejtën e vendosjes së të drejtës autonome e organizatave kulturore, ose forma të tjera të ekonomisë kulturore, është pritur me njëfarë dyshimi.
  2. b) Aspekti i dytë i përket participimit të barabartë në hapësirën publike. Me këtë aspekt disa vende të ELQ-së kanë kaluar më mirë nën sistemin komunist. Do të marr shembullin nga ish JugosIlavia e Titos, ku brenda një sfere të gjerë dhe voluminoze të aktiviteteve dhe kompetencave shtetërore, kanë qenë të njohura më shumë gjuhë si zyrtare, do të thotë në komunikacion edhe emrat e  rrugëve kanë qenë në shumë gjuhë, dokumentet janë lëshuar dhe njohur më tepër se në një gjuhë, shteti i ka subvencionuar institucionet kulturore në gjuhën e shumicës dhe të pakicave etnike.
  3. c) Aspekti më i vështirë dhe më kontravers i drejtësisë etnokulturore është gjurmimi për kundërpeshë, i cili do t’i neutralizonte tendencat e fshehura etnike dhe njëanshmërinë dhe që do të mundësonte tejkalimin e parimit “një njeri, një votë” dhe monopolin etnik të shumicës mbi pakicat kombëtare.

           

By admini