(Përshtypje nga legjendat e botuara nga Gazmend Çitaku)

Shkruan Argëzon SULEJMANI

Preferoj ta them që në fillim se, deri më tani nuk kam treguar ndonjë interes të veçantë për rrëfimet me legjenda. Një kohë dhe diku, madje, mbaj mend t’i kem quajtur përralla për të rritur. Diku më vonë duhet ta kem kuptuar dhe arsyen e gjithë kësaj mospëlqese. Pavarësisht moshës, tek secili prej nesh, mbetet thellë e skalitur pjesa prej fëmije. Dhe, nëse me përrallat në fëmijëri krijova armiqësi ngase personazhet e dashur u shkrinë si dordolecë në diell, me legjendat nuk munda assesi të krijoja një raport simpatie për arsye se personazhet dhe ngjarjet nuk kishin asnjë lidhje me vendin dhe njeriun tim. Të rritur në një kohë kur nuk lejohej të mësohej asgjë nga historia e bashkëkombësve dhe përtej kësaj, detyroheshe të dëgjoje pa fund ngjarje të një vendi që po zhbëhej përvit dhe akoma më rëndë, të shënoje data e ngjarje të një kombi që i ishte sulur me të dy duart frymës tënde. Kujtoj, pjesën e letërsise ku, ndonjëri prej vëllezërve Frashëri rrinte gjithnjë në fund të tekstit mësimor dhe shumica e profesorëve nuk arrinin apo nuk guxonin të përmbushnin mu deri në të fundit pikë planin e paraparë vjetor. Nga një ambient i tillë mund të vetkuptohet se si një brezi pretendohej t’i mësohej arti i të jetuarit: “historia magistra vitae est”. Njeriu nuk ka si të respektojë e dojë tjetrin pa e njohur mirë vetveten. Mundësia e aftësia për të njohur tëndin njeri dhe njeriun brenda teje është hap i parë për raporte të shëndosha me rrethin e ngushtë të sidoqoftë organizuar dhe pastaj botën si tjetër njësi. Kjo e metë vazhdon të na privojë, tashmë, jo veçse neve si njësi e shtypur, por dhe shtypësit si njësi e mashtruar. Nëse neve na thuhej që historia juaj s’është gjë tjetër veçse legjendë, atyre u servireshin legjenda të krehura si ngjarje historike. Si përfundim, me bollëk gjenerata të terrorizuara, keqinformuara e smirësuara.

Rrëfimet e mrekullueshme ulqinake, siç unë parapëlqej t’i quajë “Tregimet e çuditshme nga Ulqini” të Gazmend Çitakut, të botuara si risi e tij letrare, më bëri të mendohem dhe një herë mbi legjendat dhe personazhet e tyre. Privimi që iu ështe bërë brezave të tërë në dëm të historisë dhe gjithçkaje tjetër identitare, s’do mend që ka nisur të ndikojë dhe në rrëfimet e lashta, trashëgiminë kulturore, personazhet heroike, etj. Kjo fare lehtë vihet re në takimet e ndonjë rasti ku rrëfimet e prezantuara si legjenda ulqinake vinë sa rrëmujshëm – aq cungueshëm dhe nuk arrijnë të zgjojnë kërshërinë dhe entuziazmin e pritur për shkak edhe të mungesës së konsolidimit dhe përshtatjes, që për to përbën domosdo vitale. “Tregime të veçanta nga Ulqini” të botuara së fundmi janë një ogur dhe mundësi e mirë për t’u njohur me një pjesë të pashprehur të vendit dhe njeriut tonë. Pasi të keni lexuar ato tregime, secili prej jush, do të nisë ta vlerësojë ndryshe të kaluarën e njeriut dhe vendit tonë. Secili nga tregimet përbën vlerë dhe vlerëson qytetin dhe qytetarinë tonë, siç çmon lart secilin lexues me mënyrën sa të kujdesshme aq dhe artistike të të shkruarit. Përkushtimi dhe qasja e autorit ndaj kësaj pasurie të paçmuar mesiguri do të nxisë dhe të tjerë ulqinakë, dashamirës të Ulqinit e pse jo dhe studiues të mijëvjeçarëve të tij, drejt një pikëshikimi më ndryshe ndaj gojëdhënave e fantazive tona legjendare që do të mund të hapte një faqe të re, me theks: shtimin e interesimit, gërshetimit dhe ruajtjes së këtyre vlerave të shpëna drejt pakujtesës.
Siç do të mund të vërejë secili lexues, tregimet kryesisht i rrëfehen një fëmije apo një grupi fëmijësh, gjë që në anën më të fortë përçon simbolikën mbi rëndësinë e trashëgimësisë së këtyre vlerave, kurse në anën tjetër kjo i mundëson autorit liri të plotë shtjellimi mu si bota fantastike fëmijërore. Secili tregim veçohet me gjuhën e bukur e të pasur, të praruar aty-këtu me terma e frazeologji lokale e të detarisë që përbëjnë tej rrëfimeve një vlerë të rrallë. Me secilën legjendë autori na prezanton kujdesshëm, nuk nxitohet veçanarisht në hyrjet e tyre, iu jep personazheve dhe lokacioneve atribute fantastiko-letrare, na lë kohë të zhvillojmë paralelizma dhe na nxjerrë papritur jashtë bedenave të tyre me shijen e zhvilluar për rikthim të përsërishëm. Është botërisht e njohur që një pjesë e mirë e legjendave kanë përbërë brumin e shumë veprave romanciere, teatrore e filmike. Edhe në rrafshin tonë kombëtarë mbeten pikante disa prej tyre, si: Princesha Argjiro, Legjenda e Rozafes, Gjergj Elez Alia, etj. Një nga legjendat e rrëfyera në këto tregime, jo më larg se para dy vitesh, u ngjit në skenë nga nga një trupë entuziaste e Ulqinit. Bëhet fjalë për Legjendën e Servantesit, e cila është shënuar mjeshtërisht së fundmi dhe nga autori Çitaku. Kjo e shumë të tjera, të botuara e të pabotuara tregojnë për nivelin e lartë të qytetarisë dhe botëkuptimësisë së banorëve të atyre kohëve. Nisur nga kjo, lirisht mund të themi se, paraardhësit tanë i kanë dhënë jetë një përralle të bukur, një fiksioni të pakapshëm nga të sotmit, një niveli te pakuptueshëm për elitat materjaliste.

Autori Çitaku, me anë të këtyre tregimeve, siç nëpërmjet veprimtarisë së tij disavjeçare intelektuale, kërkon të rigjejë dhe rizgjojë shpirtin e një qyteti të mbuluar me male të tëra injorance, harrese e betoni.

Teuta nuk duhej ta kishte bërë atë gabim, ndër të tjera do replikonin të sotmit.

Koha Javore, nr. 771, fq. 16 dhe 17.

By admini