Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Lokale është miratuar nga Këshilli i Evropës në vitin 1985 dhe hyri në fuqi në vitin 1988, e cila Kartë definon vetëqeverisjen lokale si një grup të institucioneve lokale që kanë të drejtën dhe obligimin, që qytetarëve t’ju mundësojnë drejtpërdrejtë ose përmes përfaqësuesve të zgjedhur, të qeverisin punët publike në mënyrë të pavarur.
Kuvendi i Malit të Zi në vitin 2008 ka ratifikuar Kartën Evropiane, e cila hyri në fuqi më 1 janar të vitit 2009. Kushtetuta e Malit të Zi në nenin 22 të saj garanton të drejtën e vetëqeverisjes lokale, ku nga neni 113 deri tek neni 117 përcaktohet mënyra e vendimmarrjes, format e vetëqeverisjes lokale, organet e komunës, kompetencat pronësore dhe financimi i komunës. Ligji për Vetëqeverisje Lokale në Mal të Zi parasheh që, me qëllim të krijimit të kushteve për kryerjen më të drejtpërdrejtë të detyrave dhe në përmbushjen e nevojave të popullatës lokale, pushteti lokal realizohet në vetëqeverisjen lokale.
Statuti i Komunës së Ulqinit në nenin 25 përcakton se, komuna në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe dispozitave të tjera, bie: a) Planet dhe programet zhvillimore, b) Planet dhe programet e tokës ndërtimore dhe c) Planin hapësinor – urbanistik. Po ashtu, neni 26 i Statutit të Komunës përcakton se: a) Komuna rregullon dhe siguron kushtet për ndërtimin dhe shfrytëzimin e objekteve, dhe b) Komuna rregullon dhe siguron definimin e dedikimit të tokës ndërtimore në përputhje me dokumentat lokale planifikuese dhe pajisjen komunale të tokës ndërtimore.
Njëri nga problemet më të mëdha në Ulqin (përveç problemeve eko-politike) është çështja e ndërtimeve pa leje, një dukuri në rritje e sipër në qytetin e Ulqinit. Tregimi mbi objektet dhe ndërtimet pa leje ka vite që po tregohet, mirëpo nuk po arrihet asnjë rezultat në parandalimin e tyre, duke mos gjetur zgjidhjen e duhur të problemit në fjalë. Ndërtimi i pakontrolluar është lindi si kombinim i joefikasitetit të organeve komunale dhe kërkesës së madhe të njerëzve për ndërtim. E tërë kjo mbështetet me mungesë koncepti të zyrtarëve relevant për një zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm të një lagje, hapësire dhe të qytetit në përgjithësi.
Shqetësimi më i madh është risku sizmik apo thënë më ndryshe, sa janë të sigurta objektet e ndërtuara pa leje dhe sa ndërtohen në përputhje me normat dhe standardet e ndërtimit. Ky shqetësim vjen nga fakti se, shumica e ndërtimeve pa leje janë të ndërtuara pa asnjë kontroll teknik, pa asnjë dokument që i lejon për punë ndërtimore dhe me materiale ndërtimore të që e vënë në pikëpytje kualitetin e ndërtimeve. Planifikimi i territorit është sot një nga çështjet me rëndësi mjaft të madhe që ndikon drejtpërdrejtë në jetën e njeriut. Të gjithë do të kemi një jetë me cilësi më të mirë, nëse planifikojmë qytetin sipas parametrave të zhvillimit: zonat e banimit, zonat e trashëgimisë kulturore, ndërtimin e shkollave, ndërtimin e parqeve, rrjetin e infrastrukturës, etj.
Gjatë dekadës së fundit, ndryshimet eko-politike u pasqyruan edhe në zhvillimin e Ulqinit, gjegjësisht në planifikimin e Ulqinit, ku u ndërtuan shumë objekte pa leje dhe të pa kontrolluara nga organet relevante, e që për rrjedhojë kanë shkaktuar një planifikim dhe rregullim të pa mirëfilltë të Ulqinit. Dëshira e madhe për të ndërtuar shkaktojë ndërtimin e shumë objekteve pa leje në zonat që nuk janë të planifikuara për ndërtim dhe është e ndaluar të ndërtohet, ku në rastin e zonës së trashëgimisë kulturore, gjegjësisht në Kalanë e Ulqinit është ndërtuar një objekt pa leje, i cili ka shkaktuar polemika të mëdha rreth ruajtjes së zonave të trashëgimisë kulturore.
Ulqini sot vuan nga një mori problemesh që janë pasojë e mos planifikimit të mirëfilltë, ku ballafaqohet me një zhvillim të jo balancuar të qytetit. Për këtë arsye, politikat urbane nuk kanë qenë efikase dhe Ulqini ka përjetuar një shtrirje-zgjërim të pa planifikuar. Mungesa e planeve të mirëfillta për planifikimin e qytetit ka shkaktuar në disa raste që qytetarët të zaptojnë edhe hapësirat publike të qytetit me ndërtimet e tyre pa leje. E keqja është se komuna i lejojë qytetarët të ndërtojnë pa leje ndërtimi, duke mos qenë të pajisur me dokumentacione të rregullta, edhe pse ato ndërtime kryheshin haptazi nën dritën e diellit.
Por një gjë duhet ta kemi të qartë se, ajo çfarë është toleruar dhe lejuar me dekadë, nuk mund të ndryshohet brenda një dite me masat që mund të ndërmerren për evitimin e një dukurie, e cila ka ndikuar dhe po ndikon shumë në zhvillimin e Ulqinit.