“DRITA QË PO DEPËRTON TEJPËRTEJ KORRUPCIONIT”
Nga Frank Shkreli
Për dy javë tani në Rumani po vazhdojnë protestat kundër korrupcionit politik në atë vend të anëtar të NATO-s dhe të Bashkimit Europian. Ç’prej antarësimit në Bashkimin Evropian në vitin 2007, Brukseli i ka bërë thirrje vazhdimisht Bukureshtit zyrtar që të konsolidonte reformat demokratike dhe të luftonte korrupcionin qeveritar dhe politik, por siç duket jo me shumë sukses. Megjithë temperaturat shumë të ulta të këtij dimri, këto protesta paqësore – të cilat në kulmin e tyre kishin një pjesëmarrje prej gjysëm milioni demonstruesish anti-qeveritarë — ishin më të mëdhat ç’prej shëmbjes së regjimit komunist dhe të ekzekutimit të diktatorit komunist rumun, Nicolae Ceausescu dhe bashkshortes së tij, në vitin 1989. Ndërkaq, përveç kryeqytetit Bukuresht, protestat janë përhapur anë e mbanë vendit, përfshirë ndër të tjera, edhe qytetet Cluj, Sibiu dhe Timisoara.
Viktima e parë e këtyre protestave anti-korrupcion duket se ishte Ministri i Drejtësisë, Florin Iordanche i cili dha dorëheqjen javën që kaloi — në një përpjekje për të qetësuar protestuesit rumunë të zemëruar me korrupcionin e qeverisë social-demokrate. Protestuesit dolën në rrugë për të protestuar kundër një dekreti anti-korrupcion të qeverisë, i cili sipas protestuesve, në të vërtetë, ishte një përpjekje për të dobësuar ligjin anti-korrupcion dhe kodet penale kundër korrupcionit të vendit, në përgjithsi.
Ndërkaq, nën presion nga Brukseli dhe si përfundim i presioneve publike ndaj qeverisë për të luftuar korrupcionin, Rumania kishte emëruar më heret një prokuror të veçantë pranë Drejtorisë Kombëtare për Anti-korrupcion, i cili megjithë kufizimet në punën e tij, ka shënuar deri diku një sukses të dukshëm në hetimin e zyrtarëve të lartë, hetime të cilat thuhet se kanë përfunduar në arrestimin e disa prej “peshqve të mëdhej”, nën akuza për ushtrim të korrupcionit në detyrë. Por duket se asnjë nga këto masa të ndërmarra deri tani nga qeveria rumune kundër korrrupcionit nuk i kanë kënaqur qytetarët rumunë, duke shkaktuar kështu që qindra mijëra prej tyre të dalin rrugëve të qyteteve kryesore rumune për të vazhduar protestat, për dy javë tani pa ndërprerje, — dhe jo vetëm kundër korrupcionit politik, megjithse zemërimi kryesor i tyre drejtohet kundër korrupcionit në radhët e të ashtuquajturit “establishmentit” politik.
Korrespondenti i Radios gjermane Deutsche Welle, Peter Janku, në një raport nga kryqyteti rumun i cilëson protestat e rumunëve si një simbol se, “Evropianët janë të vetdijshëm tanimë se njerëzit nuk duan të pranojnë gënjeshtrat dhe padrejtësitë, si ato të udhëheqësve siç janë Putini dhe Erdogani.” Korrespondenti gjerman ka botuar gjithashtu një fotografi të protestave masive në Bukuresht, ku mijëra protestues natën mbanin të hapur dritën e telefonave të dorës, duke e cilësuar atë dukuri si, “Drita që po depërton tejpërtej korrupcionit.” Ndërkaq, ndër pllakartat politike që mbanin në dorë protestuesit rumunë dalloheshin mbishkrimet: “Mos Vidhni!”, “Një Hajdut, Dy Hajdutë, Tre Hajdutë, Të Gjithë Hajdutë”, dhe “Poshtë Korrupcioni!” Media të ndryshme raportojnë se, kërkesave të deritanishme anti-korrupcion të protestuesve — tani i është shtuar jo vetëm thirrja për dorëheqjen e qeverisë së qendrës së majtë të Kryeministrit Sorin Grindeanu por edhe kërkesa për një stil tjetër qeverisjeje, megjithse qeveria ka thënë se nuk do të japë dorëheqjen.
Euro News njoftoi dje se numri i protestuesve rumunë nuk është aq i madh sa ishte në fillim të protestave, por sipas këtij enti lajmesh, ata nuk janë të kënaqur nga koncesionet e deritanishme të qeverisë dhe mbeten edhe më të vendosur për plotësimin e kërkesave të tyre. Euronews citon një prej prtotestuesëve, i cili duket se përfaqëson mendimet e shumë bashkqytetarëve të tij, të ketë thënë se përveç se janë në shesh gjithnjë për të protestuar kundër korrupcionit zyrtar, është shprehur se “Ne jemi këtu sepse dëshirojmë të kemi një komb, të kemi një shtet më të mirë. Duam drejtësi. Duam që të drejtat tona të merren parasyshë dhe të resepektohen”, duke shtuar se, “Ne nuk jemi këtu në shesh për rritjen e pagave ose të pensioneve tona. Ne gjëndemi këtu në mbështetje të një parimi, ne jemi këtu për një ideal, për një ideal që na bashkon dhe si të tillë jemi më të fortë”, u shpreh një protestues rumun për Euronews. Ndërsa gazeta Nju Jork Tajms citon protestuesin Bogdan Bogdaniu, një ekspert i teknologjisë informative, i cili shpjegon për gazeten amerikane arsyen e tij të pjesëmarrjes në protestë. “Unë kam ardhur të protestoj këtu, për t’u treguar atyre (pushtetarëve) se nuk mund të qeverisin në këtë mënyrë, ashtu si të duan vetë. Nuk mund të na mashtrojnë më as nuk mund të na blejnë me para. Rumunët janë zgjuar dhe nuk mund të na mashtrojnë më”, u shpreh protestuesi rumun për gazetën amerikane.
Dihet se korrupcioni vazhdon të jetë një sëmundje e rëndë shoqërore në shumicën e vendeve ish-komuniste, diku më shumë e diku më pak. Kështuqë, mbështetsit e luftës anti-korrupcion anë e mbanë Evropës, i shikojnë protestat e qindra mijëra rumunëve kundër korrupcionit qeveritar, si shumë inkurajuese dhe shpresëdhënse. I shikojnë si një zgjim i turmave të popullit që nuk durojnë më. Për këtë, rumunët meritojnë respektin e të gjithë atyre që janë lodhur tanimë, jo vetëm me korrupcionin por edhe me despotizmin dhe keq-qeverisjen e pushtetarëve, jo vetëm në Rumani, por edhe anë e mbanë Evropës ish-komuniste – përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Me lëvizjen e tyre popullore paqësore të këtyre dy javëve të fundit, rumunët janë gjithashtu shëmbull për të gjithë ata që seriozisht dëshirojnë të luftojnë korrupcionin në aparatin shtetëror duke treguar kështu vendosmërinë dhe vullnetin e masave të gjëra të popullit, në mbështetje të realizimit të premtimeve të dhëna e të bëra nga politikanët. Klasa politike kudoqoftë, nuk guxon të mendojë se edhe pasi të ketë fituar shumicën, ajo ka një ‘Card Blanche’ për të qeverisur, se mund të sillet si të dojë, madje edhe në një mënyrë që e konsideron veten mbi ligjin dhe se ligjet nuk janë për ta. Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin. Prandaj, lufta kundër korrupcionit — qoftë në Rumani, qoftë në Shqipëri ose në Kosovë dhe kudo tjetër — duhet të vazhdojë me protesta paqësore, sepse kjo është njëkohësisht edhe një luftë në mbrojtje të demokracisë së vërtetë dhe e të drejtave të barabarta para ligjit dhe drejtësisë, për të gjithë qytetarët, pa dallim.
Frank Shkreli