(Mos efikasiteti i pushtetit e ligjit dhe papërgjegjësia e qytetarëve, shkak i gjendjes së tanishme alarmante )

Shkruan Xheladin Zeneli

Si duket çështja e ndërtimeve të pa kontrolluara në Komunën e Ulqinit, që shpeshëherë preferojmë t’i quajmë ndërtime të ” egra”,  aktualizohet vetëm në prag të sezonit veror. Por, në të vertetë është një problem aq serioz i cili kërkon vëmendjen dhe me të cilin do të duheshin të merren autoritetet kompetente gjatë tërë kohës. Injorimi i angazhimit të metodave parandaluese të dukurisë në fjalë, për një kohë të gjatë, e ka sjellur gjendjen sot, para një “fait accompli”, ku dëmi ndaj qytetit, veçse është shkaktuar.

Mesazhet dhe deklaratat që vijnë kohëve të fundit nga pushteti lokal i Komunës nuk janë konsistente. Në Dhjetor të vitit të kaluar Kuvendi i Kumunës së Ulqinit,  miratoi Propozim Planin Hapësinor-Urbanistik për territorin e vet.Në të njëjtën kohë udhëheqësit e pushtetit lokal paralajmëruan ” masa rigoroze për ndalimin e ndërtimit të egër”. Kurse në fillim të këtij muaji ,në portalin informativ të Komunës së Ulqinit,( të datës 6 Shkurt 2017 ), kryetari i tanishëm i KU shpreh shqetësimin e tij, në këtë aspekt, lidhur me “mungesën e mundësisë së intervenimit “, nga ana e Komunës. Kur kësaj i shtohet edhe fakti se Ligji për legalizimin e objekteve është në pritje e sipër, përfitohet një pasqyrë e paqartë dhe një ndjenjë hutimi tek qytetarët e Ulqinit.

Vlen të theksohet se për gjendjen alarmante të ndërtimeve të “egra” ka përgjegjësi, jo vetëm pushteti i tanishëm, por të gjitha administratat e mëparshme të qeverisjes lokale të Komunës së Ulqinit.

Megjthate, mos vendosmëria, mos  efikasiteti dhe mos veprimi i organeve relevante të pushtetit lokal, nuk do të duhej të jenë arsy apo inkurajim për individ të caktuar  që të ndërtojnë objekte  pa leje!.

Ku është përgjegjësia morale qytetare ?

Derisa një pjesë e përgjegjësisë i takon administratës udhëheqëse të Komunës, pjesa tjetër e përgjegjësisë bjen mbi ata qytetarë të cilët ndërtojnë objekte në mënyrë ilegale.Ndërtimi i objekteve ilegale  në Komunën e Ulqinit është një epidemi që ka përfshi këte qytet tash një kohë të gjatë dhe nga e cila nuk shihet shërim në një të ardhme të afërt.

Derisa shktatërrimi i hoteleve të njohura në Ulqin u bë me dorën e të tjerëve gjatë  dekadave të kaluara, sot me dorën dhe kontributin tonë , përmes ndërtimeve të pa rregullta ,po shëmtojnë bukurinë dhe rendin urbanistik të qytetit tonë.

Menjëherë si mbaron sezoni turistik i verës,  në vjeshtë të çdo viti ,fillon “gara” për përgatitjen e sezonit  të ardhshëm turistik duke u ndërtuar ndërtesa private pa plan nga qytetarët pa përgjegjës të qytetit.Mjafton që gjatë muajve të vjeshtës të kaloni rrugës së Shtojit ( rrugë e cila lidhë  qyetetin e Ulqinit, plazhin e Madh dhe vendbanimin e Shtojit) dhe do të vërtetohuni në pamjet e objekteve të reja të cilat janë në ndërtim e sipër apo sapo ka filluar ndërtimi i tyre.

Jo vetëm që ndërtohet pa leje ,por këto ndërtime tejkalojnë normat elemantare të ndërtimit të një shoqërie civilizuese. Ndërtohet pa rend ,pa rregull dhe në shumë raste, ndërtuesit e objekteve ,të nxitur  nga interesi i vet personal nuk brengosen aspak për pasojat negative te veprimeve të tyre në urbanizimin legal dhe të mirëfilltë  të  qytetit . Për shembull, disa rrugë  të lagjeve në Ulqin janë tepër të ngushta sepse asnjë nga pronarët e objekteve ndërtimore ( në të dy anën e rrugës) nuk lëshojnë së paku një gjysëm metër distancë me qëllim që rruga të kenë gjerësinë e duhur për qarkullimin e automjeteve në dy drejtime. Andaj, kemi stuatën që në shumë lagje banuese të qytetit, bllokohet komunikacioni posaçërisht gjatë sezonit turistik veror, si pasojë e vendimeve vetiake të ndërtuesëve. Pra, askush nuk mendon për hapësirë të shërbimit publik nga e cila përfitojnë të gjithë qytetarët, në këtë rast, të gjithë banorët e lagjës. Tjetër, me rastin e ndërtimeve pa plane ,posaçërisht të shtëpiave private nuk respektohet parimi i fqinjësisë me ç’rast ngriten shtëpi me mure shumë afër njëri tjetrit, apo rastet e shpeshta ku p.sh. përpara një shtëpie tre katëshe, ndërtohet një shtëpi tjetër katërkatëshe dhe në këte mënyrë i bllokon pamjen shtëpisë tjetër më pas. Kjo është e shprehur posaçërisht në lagjet kodrinore të Ulqinit.

Kurse lejet e ashtuquajtura të përkohshme të cilat jepen kohë pas kohe nga organet kompetente të Komunës së Ulqinit, është një çështje e cila si duket paraqet më shumë problem se sa zgjidhje. Nuk është e qartë se çfarë kriteriumi merret për bazë me rastin e aprovimit të lejeve të përkohshme të ndërtimit. Por ajo çfarë është e qartë dhe evidente, është  abuzimi i tyre me përmasa të mëdha , sepse shumica e atyre ndërtimeve që do të duhej të ishin të përkohshëm, me kalimin e kohës, këthehen në ndërtime të përhershme. Shpeshëherë me rastin e ndarjes të lejeve të përkohshme favorizohen individ apo investues të caktuar. Duhet përmendur edhe ajo se në ndërtimin e objekteve ilegale në Ulqin janë të përfshirur edhe banorë nga qytetet e tjera.

Është interesant fakti se të gjithë ata që ndërtojnë objekte pa leje janë të vetëdijshëm për veprimet e tyre, por gjithënjë vazhdojnë me planet e tyre.Fatëkeqësisht, në shoqërinë tonë gjithënjë dominon mentaliteti sipas të cilit ” është në rregull të ndërtohet pa leje derisa edhe të tjerët e bëjnë një gjë të tillë ” (?!). Pra ,edhe nëse një veprim apo dukuri është e gabuar, merret si e pranueshme, derisa e praktikon shumica e të tjerëve, diçka që do të duhej të jetë në kundërshtim me ndjenjën e moralit dhe të ndërgjegjës së njeriut .

Mund të aprovohen me dhjetra plane hapësinore dhe urbanistike, por pa ndryshimin e mënyrës së të menduarit të pjesës dërmuese të shoqërisë, nuk do të kemi përmirësim qenësor të gjendjes tepër shqetësuese të dukurisë së ndërtimeve të pakontrolluara në Komunën e Ulqinit.

Njëkohësisht, nëse organet kompetente të Komunës së Ulqinit nuk janë edhe më shumë të vendosur, këmbëngulës, parimor në marrjen e masave më të rrepta ligjore për ndalimin e  ndërtimeve të pakontrolluara dhe sjelljen e rendit urbanistik ,kam frigë se gjeneratat e ardhshme do t’i referohen këtij qyteti me fjalinë:

…N’a ishte njëherë një qytet i bukur me emrin Ulqin i cili e pësoi nga pakujdesia dhe papërgjegjësia e qytetarëve të vet.. !.

13 Shkurt 2017

By admini