(Rrjedhat e organizimit të diasporës së Anës së Malit në New York me rrethe)

Gjatë viteve ’80-ta dhe ’90-ta të shekullit të kaluar mërgata e Anës së Malit ( me prejardhje nga Komuna e Ulqinit) ishte kryesisht e përqendruar në lagjen Ridgewood (Rixhvud) të Queens-it ( NY) ku dhe fillojnë organizimet e para të kësaj mërgate.

Diku rreth viteve 1987/ 1988 paraqiten format e para organizuese të anamalasve në New York me rrethe, në formë kulturo-artistike, me ç’rast themelohet Grupi Folklorik ” Mërgimtari” ( emri i grupit sipas kujtesës së z. Ismet Kurti), me këto anëtarë: Vëllezërit Dul e Naser Gjeloshi, Mustafë Hidra, Ismet Kurti, Ilmi Kurti, Agim Markashi, Sadik Zeneli,vellezërit Bajazit e Sadri Maxharri etj.Përgatitjet dhe ushtrimet e anëtarëve të kësaj shoqërie u zhvillonin në podrumin e shtëpisë së z. Ismet Gjeloshi i cili banonte atëherë në lagjen Ridgwood ,në Queens. Në të njëjtin kohë ky Grup muar pjesë në manifestimin madhështor me rastin e Festës së 28 Nëntorit që u mbajt në hotelin ” Sheraton” në Manhattan , i organizuar nga komuniteti i atëhershëm shqiptar. Vlen të përmendet që gjatë kësaj kohe disa anamalas ishin anëtarë në Klubin Kombëtar ” Jusuf Gërvalla” me qendër në Bronx, i cili ishte shumë aktiv gjatë viteve ” 80-ta, të shekullit të kaluar, posaçërisht në ndërgjegjësimin e çështjes së Kosovës.
Gjithashtu, gjatë kësaj kohe , me iniciativën e Gjylaver Avdiut, dhe Mehdi Alaj ( me profesion mësues), Klubi Kombëtar “Jusuf Gërvalla”, hapi shkollën shqipe poashtu në lagjen e Ridgewood-it, ku mësonin kryesisht fëmijët e mërgimtarëve nga Ana e Malit, Kraja e Ulqini.

Me formimin e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në New York në vitin 1990, disa anamalas u aktivizuan në strukturat e saja. Skender Xhurreta ishte një ndër ata i cili ishte aktiv në at kohë vite me radhë, si anëtarë i kryesisë së Degës së LDK-së për treshtetëshin dhe njëherit si kryetar i nën Degës për Brooklyn.

Fillimi i luftërave të përgjakshme në e ish-Jugosllavi gjatë viteve “90-ta, nxit valën e re të shpërnguljeve nga vendlindja dhe rritjen e numrit të mërgimtarëve shqiptarë në SHBA,posaçërisht në New York me rrethe, duke përfshirë edhe ata nga treva e Anës së Malit.
Si mergimtarët e rinj ashtu edhe ata më të hershëm, të gjithë së bashku, ndanin njëlloj brengat dhe shqetësimet për vendlindjen e tyre. Një ndër shqetësimet kryesore të tyre ishte edhe mënyra e organizimit si dhe ajo se si pjesëtarët e diasporës mund të ndihmojnë bashkëvendasit e tyre në Anë të Malit.

Një ndër aksionet e para humanitare që u organizu nga anamalasit në New York, dhe që u përkrah në mënyrë të konsiderueshme nga komuniteti, ishte Aksioni për ndihmën financiare të nxënësve dhe studentëve si dhe familjeve më të varfëra. Iniciativa për këtë aksion u ndërmuar kah fundi i vitit 1993 , nga dy aktivistët e atëhershëm anamalas , Sefer Avdiu dhe Mustafë Hidra. Në Dhjetor të vitit 1993 u mbajt mbledhja inicuese në lokalin e bashkëvendasit tonë Xhafer Osmani në Ridgewood ku muarën pjesë 18 pjesëtarë të komunitetit ( në mes të cilëve Sabri Gjoni, Sefer Avdiu, Mustafë Hidra, Imer Hidra, Gjylaver Avdiu, Dul Gjeloshi, Vehbi Spahiu, Tomë Shkreli, Xhemal Luka etj.) dhe ku njëherit u zgjodh Këshilli i Përkohshëm Humanitar dhe u muar vendim nga të pranishmit që Sabri Gjoni të udhëheqë me Këshillin deri në mbledhjen e radhës. Kështu që në muajin Shkurt të vitit 1994 në restaurantin ” Debal Gardens” në Brooklyn, në praninë e një numri të konsiderueshëm të kumunitetit anamalas, u zgjodh Këshilli i ri për Organizimin e Aksionit Humanitar në këtë përbërje: Sabri Gjoni, Xheladin Zeneli, Dul Gjeloshi, Imer Hidra, Tomë Shkreli, Naser Çobi dhe Rexhep Ujkashi ( i cili sot njihet me emrin Richard Lukaj ), dhe u vendos që menjëherë të filloj fushata për mbledhjen e ndihmave .
Falë bujarisë të pjesëtarëve të komunitetit anamalas në New York me rethe, gjatë aksionit në fjalë u mblodhën 20.400 dollarë shuma e të cilëve iu shpërnda studentëve shqiptar nga Komuna e Ulqinit që ishin të regjistruar në at kohë në universitetet jashtë Malit të Zi, kryesisht në Shqipëri ( $10.000), pagesa e udhëtimit e nxënësve nga Ana e Malit që ndjeknin shkollimin në Shkollën e Mesme të Ulqinit ( $6.500) dhe shuma tjetër në formë ndihmave financiare për familjet e rrezikuara ekonomikisht ($4000) të cilat iu dorëzuan Shoqatës Humanitare ” Nënë Tereza” në Ulqin e cila në at kohë drejtohej nga profesori i ndjerë Bajram Rexha.

Një organizim tjetër që i parapriu themelimit të Shoqatës ” Ana e Malit ” ishte formimi i Klubit Futbollistik me të njëjtin emër, me datën 22 Korrik 1995. Në mbledhjen që u mbajt në Queens, ku ishin të pranishëm rreth 20 aktivistë anamalas, dashamirë të futbollit, u zgjodh kryesia e parë e KF ” Ana e Malit” me këtë përbërje: Xheladin Zeneli- kryetar, Xhemal Luka-sekretar me anëtarë të tjerë të kryesisë: Skender Cuca ( i cili njëherit u zgjodh edhe trajner i ekipit), Sefer Avdiu, Ismet Kurti, Izedin Avdiu, Dul Gjeloshi, Mustafë Hidra dhe Shukri Islami. Më vonë udhëheqësisë së Klubit u bashkangjiten edhe aktivistë të tjerë si Gani Nika, Nexhmedin Malota dhe i ndjeri Ibrahim Luka në cilësinë e trajnerëve të Klubit. KF ” Ana e Malit” ishte anëtare e Ligës Shqiptaro-Amerikane të Futbollit ku muar pjesë dhe zhvilloj gara me sukses disa vite me radhë deri në shpërbërjen e saj.
Takimet e Klubit zakonisht u mbaheshin në lokalin ” Eagle’s Nest” ( në shqip ” Çerdhe e Shqiponjës” ) pronë e bashkvendasit tonë, Xhafer Osmani i cili bashkë me Miradin Gjonin, Ruzhdi Bërkanin etj. ishin disa ndër përkrahësit dhe sponzoruesit kryesor të aktivitetit të atëhershëm fillestar të KF ” Ana e Malit”.

S’ka dyshim që Aksioni për mbledhjen e ndihmave humanitare në vitin 1994 si dhe themelimi i KF ” Ana e Malit” në NY, në verë të vitit 1995, kanë luajtur rol të rëndësishëm në organizimin e komunitetit anamalas, të cilat më vonë do të ndikojnë në themelimin e Shoqatës ” Ana e Malit” në Janar të vitit 1997. Gjithashtu, vlen të përmendet se gjatë kësaj kohe u formuan apo veçse ishin të formuara edhe shoqata dhe organizata të tjera në komunitetin shqiptar të New York-ut me rrethe, të cilat përfaqësonin dhe mbanin emrin e krahinave të veta përkatëse të trojeve autoktone shqiptare në Mal të Zi, si Kraja , Malësia, Plavë e Gucia etj.

Vlen të përmendet se tendenca për një organizim të mirëfilltë në formë shoqate ka pasur edhe para vitit 1997 nga pjesëtarët e komunitetit anamalas, por Shoqata me strukturën e tanishme organizative ( me kryesi, me statut dhe me program) egziston që nga Janari i vitit 1997.
Si u themelu Shoqata “Ana e Malit” dhe cilët ishin aktivitetet e saja të para?

Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Ana e Malit” është themeluar me 26 Janar 1997 në Queens, New York. Në Kuvendin Themelues i cili u mbajt në lokalin “Fleur de Lis” në Ridgwood ( Queens, NY) ku muarën pjesë 28 pjesëtarë të komunitetit anamalas ,me ç’rast u bë themelimi i Shoqatës, u aprovu programi , statusi dhe u zgjodh kryesia e ngushtë . ( Lista e pjesëmarrësve të Kuvendit është e bashkangjitur këtij shkrimi). Zgjedhja e kryesisë u bë me vota të fshehta nga gjithë pjesëmarrësit e Kuvendit . Kryesia e parë e dalur nga Kuvendi Themelues ishte me këtë përbërje: Xheladin Zeneli, kryetar, Skender Xhurreta, nënkryetar, Vehbi Spahiu,sekretar , Qemal Dushku, arkatar. Më vonë kryesisë iu bashkangjten edhe aktivistë të tjerë si, Nikë Boga, Sefer Avdiu, Osman Kallaba, Tomë Shkreli, Zaim Halili Ismet e Gani Nika, etj.

Shoqata fillimisht ishte me status të pavarur, por pas disa muajëve të veprimtarisë së vet ajo i bashkangjitet Fondacionit Kulturor Shqiptaro-Amerikan ,i cili drejtohej nga Cafo Boga, dhe registrohet si degë e këtij Fondacioni i cili kishte statusin e organizatës jo profituese. Shoqata veproj në kuadër të Fondacionit Kulturor Shqiptaro-Amerikan deri në vitin 2002,kurse që nga atëherë e deri më sot, Shoqata vepron përsëri si organizatë e pavarur.

Dy aktivitetet e para që Shoqata i organizoj për komunitetin e vet dhe të cilat që nga atëherë janë bërë tradicionale ishin, kremtimi i Festës së 28 Nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Pikniku i komunitetit.

Me fillimin e luftës së hapur në Kosovë në vitin 1998 e gjithë aktiviteti dhe vëmendja e Shoqatës ,ashtu si i mbarë komunitetit shqiptar, u përqendru në ndihmën financiare në përkrahje të vëllezërve dhe motrave tona të cilët po përjetonin sulmet barbare dhe terrorin e forcave të Serbisë. Që nga Marsi i vitit 1998 deri në Janar të vitit 1999 u organizuan 4 aksione fond-mbledhëse për Kosovën. Sulmi në Drenicë dhe rënia heroike e Familjes Jashari në fillim të muajit Mars 1998 mobilizoj gjithë komunitetin shqiptar me ç’rast Shoqata ” Ana e Malit” , falë solidaritetit të pjesëtarëve të komunitetit të vet, për një kohë të shkurtër mblodhi 55.000 dollarë të cilat u dorëzuan Fondit të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Degës së LDK-së në Bronx, si ndihma financiare për Drenicën. Më pas, në Qershor e Nëntor të vitit 1998 si dhe në Janar të vitit 1999, Shoqata ” Ana e Malit ” realizoj edhe tre aksione të tjera fondmbledhëse me dedikim për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në këto aksione u mblodhën përkatësisht 12.540 dollarë, 12.000 dollarë dhe 18.840 dollarë të cilat u dorëzuan Fondit ” Vendlindja Thërret” me seli në Bronx.

Në një nga këto aksione fondmbledhëse Shoqata ” Ana e Malit” ka bashkëpunuar me Shoqatën Atdhetare ” Kraja” dhe me komunitetin e bashkatdhetarëve nga Ulqini. Gjatë fundit të vitit 1998 vazhdoj gjithënjë aksioni për mbledhjen e ndihmave financiare për UÇK-në me ç’rast u mblodhën edhe rreth 50.000 dollarë të tjerë, kryesisht në komunitetin shqiptar në Staten Island. Për këto kontribute të mbledhura ka meritë kryesore anëtari i kryesisë së atëhershme të Shoqatës” Ana e Malit” , Osman Kallaba. Ndërkohë, mbi 14.000 dollarë të tjerë janë dorëzuar poashtu Fondit ” Vendlindja Thërret” në mënyrë personale nga anëtarët e Shoqatës dhe nga pjesëtarët e komunitetit të Anës së Malit. Pra, gjatë kësaj periudhe gjithësejt u mblodhën rreth 170.000 dollarë për Kosovën.

Angazhimi në ndihmë të Kosovës është një nga shembujt më domethenës se Shoqata ” Ana e Malit” është një shoqatë atdhetare e cila në momente të caktuara historike ka vepruar dhe gjithënjë do të vazhdojë të veprojë sipas parimit ” Kombi mbi të gjitha”.

Aktiviteti 20 -vjeçar të Shoqatës ” Ana e Malit” është i pamundur të përfshihet në një shkrim si ky, dhe është një temë në vehte i cili kërkon një hapësirë të veçantë. Andaj, kësaj rradhe , me rastin e përvjetorit jubilar, jemi pëqendruar vetëm në veprimtarinë 2-3 vjeçare të fillimit të punës së saj.
Megjithate, vlen të permendet se në Shkurt të vitit 2016 Shoqata bëri histori duke zgjedhur për herë të parë për kryetare një pjesëtare të komunitetit dhe intelektuale të gjinisë femrore.

Si përfundim, mund të thuhet se për dy dekada me radhë Shoqata ” Ana e Malit” ka përkrahur aktivitete të ndryshme në atdhe dhe vendlindje duke ndihmuar financiarisht projekte në aspektin arsimor,kulturor, humanitar, shëndetësor, sportiv si dhe veprimtari që kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit kombëtar të bashkëvendasve tanë në trevat e tyre autoktone. Kurse në komunitetin e vet në SHBA është angazhuar në ruajtjen dhe kultivimin e kulturës dhe traditave kombëtare shqiptare dhe trashigimin e përcjelljen e tyre te gjeneratat e reja në diasporë.S’ka dyshim se këtë mision do të vazhdojë t’a kryej edhe në të ardhmen.

P.S.
Në përpilimin e këtij shkrimi ndihmuan disa aktivistë të kohës, dëshmitar të ngjarjeve në komunitetin tonë si dhe u shfrytëzu arkiva e Shoqatës, një pjesë e së cilës po i bashkangjitet këtij shkrimi.

Ky shkrim nuk është përfundimtar dhe ka hapësirë për plotësim apo përmirësim, nëse ofrohen fakte apo informata të reja lidhur me temën në fjalë.

Xheladin Zeneli
26 Janar 2017

By admini