Trajtohen edhe problemet e migrimit të shqiptarëve në Mal të Zi

Tiranë – Departamenti i Gjeografisë pranë Fakultetit Histori – Filologji të Universitetit të Tiranës organizoi më 9 dhjetor Konferencën shkencore ndërkombëtare me temë “Migrimi dhe hapësira gjeografike: faktorë, ndërveprime, sfida”.

Në këtë konferencë, të nëntën me radhë, morën pjesë me punimet e tyre rreth 70 kërkues shkencorë nga Shqipëria, Kosova dhe trevat tjera ku jetojnë shqiptarët, si dhe vendet e rajonit. Në mesin e pjesëmarrësve ishin dhe dy studiues nga Mali i Zi. Dr. Nail Draga u paraqit me temën “Emigrimi i popullsisë nga Kraja – shkaqet dhe pasojat” dhe Dr. Nexhat Avdiu me temën “Aspekte të zhvillimeve socio-demografike në zonën e Ulqinit”.

Konferenca kishte për qëllim të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të debateve lidhur me migrimin si fenomen i shekullit XXI, duke sjellë studiues të fushave të ndryshme që janë të përfshirë në studimin e transformimeve të hapësirës gjeografike nën ndikimin e proceseve migratore, duke trajtuar në detaje mënyrat e ndërveprimit, sfidat dhe pasojat e mundshme.

Tematika bashkëkohore e kësaj konference tërhoqi një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish dhe projektesh interesante nga institucione akademike dhe individë.

Ajo u organizua në një kohë kur çështja e emigracionit është kthyer në një nga fenomenet sociale dhe ekonomike më të rëndësishme për botën e sotme. Migrimi ka qenë dhe mbetet prej shumë dekadash një faktor kyç ekonomik e social, që ka ridimensionuar jo vetëm jetesën e migrantëve dhe atyre që kanë mbetur pas, por edhe hapësirën gjeografike në të cilin këta njërëz veprojnë nëpërmjet fenomeneve të mbipopullimit, depopullimit, urbanizimit kaotik, ndotjes së mjedisit etj.
Konferenca u karakterizua nga një dinamike dhe cilësi e lartë shkencore. (Kohapress)

By admini