Shkruan: Armend Preteni
“Rrëfimet e autores janë shkruar në periudha dhe vende të ndryshme, duke filluar nga Prishtina, Tetova, Budaspesti e Londra, duke i gërshetuar përjetimet e saj mes fantazisë dhe realitetit, ku të rrallë janë autorët që mund t’a arrijnë këtë pikë, të cilën autorja në fjalë e zotëron me finesë”.
Opinioni publik e njohin më shumë si gazetare (moderatore), e shumë më pak si poete (autore), fjala është për zonjën e nderuar Xheraldina Buçinca – Vula (1964).
Në vitin 1988 si studente e Letërsisë shqipe, Xheri boton librin e saj të parë me poezi “Megjithatë sillet”, që u mirëprit nga kritika, për të vijuar edhe me botimin e librave: “Me bisht syri” (1995) dhe “A street cat” (1999).
Derisa në vitin 2000, për lexuesit e pasionuar autorja sjell librin e saj të katërt me titull: Ritual me pantollona, nëpër faqet e të cilit do mund të gjejmë pjesë nga kujtimet e fëmijërisë, rinisë e deri në ditët e pjekurisë, të mbarështruara me mjeshtëri nga ana e autores.
Me këtë rast ndaloj te Kutia e bardhë, aty ku zemra e nënës rrah për të birin, gjatë leximit kuptojmë për këpucët në kuti të bardhë që ia bëri dhuratë Ledrit, dhe peripecitë e ngjarjes me një monolog përbrenda “Ti ngadalë, fillove të marrësh frymë nën lëkurën time.Fillove të bredhë damarëve të mi.Kisha frikë për vetën se dhe unë do të flë një natë pa u lëkundur fare”.
Tutje vazhdon rrëfimi në tarracën e shtëpisë së bardhë, buzë detit, ku gjersa po haja akullore me N. Kutinë e bardhë e hodhën mënjeherë…
Rrëfimet e autores janë shkruar në periudha dhe vende të ndryshme, duke filluar nga Prishtina, Tetova, Budaspesti e Londra, duke i gërshetuar përjetimet e saj mes fantazisë dhe realitetit, ku të rrallë janë autorët që mund t’a arrijnë këtë pikë, të cilën autorja në fjalë e zotëron me finesë.
E sa i përket pantollonave, siç e thotë edhe vetë nuk është puna te veshja por te rituali, mund të veshësh dhe zhveshësh pantollona me ngjyra dhe modele të ndryshme, kemi prej atyre që zbërthehen lehët dhe nga ata që të nxjerrin të zitë e ullirit derisa t’i veshësh.
Padyshim se është çështje shijesh, mirëpo edhe në këtë pikë kemi dilema, ndoshta për estetikë mund t’i veshim por s’ndjehemi aspak komod, gjersa veten e ndjejmë mirë në pantollonat që na bien shlirë!
Megjithatë e rëndesishme është që t’i ta ndjesh vetën mirë, në numrin e pantollonave tua.
Një ngjarje e interesante, rrëfehet edhe te Fatmiri, që si temë është aktuale edhe sot në shoqërinë tonë.Frymëzimi fillon në Prishtinë, gjersa ngjarja zhvillohet në Vushtrri, qytetin e lindjes së autores, atëbotë si fëmijë ajo shikonte se si fqinja e saj V. (Vojka), po e rrihte Fatmirin duke i sjellur si një e qmendur, saqë të gjithë fëmijët e laxhës frikësoheshin nga ajo, ulërima e të cilës dëgjohej gjithandej. Dhe një ditë gjersa luanim me shoqet Almiren, Besen dhe Ajkunen punë vajzash, e gjetën Fatmirin në një situatë të palakmueshme dhe ia mbathën vrapit…,vitet kaluan shpejt, vajzat u martuan, edhe Fatmiri gjithashtu.
Ta studiosh Letërsinë, të nxit pasioni, të thurësh vargje dhe ngjarje është bekim nga Zoti, privilegj të cilin jo çdonjëri mund t’a ketë.
Xheraldina Buçinca – Vula është njëra nga autoret e pakta që kemi, e cila është e sukseshme në fushën e medias si Zëvendës drejtoreshë në Rtv 21, anëtare e njohur e shoqërisë civile me fokus kombëtar, rajonal e ndërkombëtar të tilla si: “Lobi i grave kosovare”, “Women Waging Peace”, “Center for Women Studies”, megjithatë rrugëtimi i saj fillon me ritualin e të shkruarit, art i cili jeton përjetë.