bush-michele-bama
Toleranca politike në veprim

Nga Frank Shkreli

Për Shtetet e Bashkuara ky është një vit, që në sipërfaqe mund të duket sikurë Amerika është duke kaluar nepër një periudhë krize shoqërore, trazirash, terrorizmi dhe të një sezoni të nxehtë politik, si rrallë herë më parë.  Shkaktarë për këtë janë lajmet kryesore të ditës, të kohëve të fundit, përfshirë problemet raciale me të cilat përballet gjithnjë ky vend — siç pasqyrohen në marrëdhëniet problematike, që ekzistojnë ende në disa pjesë të vendit, midis policisë së jurisdikcioneve të ndryshme të Amerikës dhe komuniteteve afrikano-amerikane.  Sulmet e fundit terroriste që kanë përfunduar në humbje jete e bëjnë jetën e përditshme më të pasigurt për të gjithë, ndërsa Byroja Federal e hetimeve (FBI) ka paralajmëruar se kërcënimet nga terroristët e mbrendshëm dhe ndërkombëtarë do të vazhdojnë të paraqesin sfida serioze për Shtetet e Bashkuara edhe në të ardhmen.  Dhe më në fund kësaj atmosfere nuk i ndihmon shumë as fushata politike për president, akuzat dhe kundër akuzat e ashpëra midis kandidatëve të dy partive kryesore për president si dhe mungesa e atij që konsiderohet “qytetërim politik” në debatet politike dhe publike shton shqetësimet e amerikanëve të rendomtë, shumica e të cilëve, sipas anketave të fundit të opinionit publik, mendojnë se vendi është duke shkuar në rrugë të gabuar.

Ekspërtët dhe vërejtësit e fushatave politike në Amerikë thonë se fushata për president e këtij viti është si asnjë tjetër më parë.  Kryesisht, ndoshta për arsyen se kandidatët e dy partive kryesore nuk janë, historikisht, të “zakonshëm”.   Për herë të parë në histori Amerika ka një kandidate femër për president në personin e Hillary Clinton, me përvojë politike dhe diplomatike, kandidate e Partisë Demokrate. Ndërsa Partia Republikane ka emëruar Donald Trump, pa përvojë politike, por një biznismen multi-miliarder, pa dyshim i suksesshëm në fushë të ndryshme të veprimtarisë së tij në të kaluarën.   Ato që mund të cilësohen si ethet presidenciale kanë kaplluar vendin ndërsa votuesit amerikanë, mbi të gjitha, duan të dinë, se cili prej këtyre dy kandidatëve kreysorë për president do të mund ta nxjerrë vendin nga këjo situatë serioze shoqëroro-politike dhe ekonomike dhe cili prej tyre mund të menaxhojë më së miri krizat e tanishme dhe të ardhme, të pa-parashikuara, kombëtare dhe ndërkombëtare.

S’ka dyshim se debatet e ashpëra dhe sulmet politike midis kandidatëve kryesorë politikë — herë më pak e herë më shumë — kanë qenë gjithmonë dhe janë pjesë e fushatave elektorale jo vetëm në Amerikë por edhe në vende të tjera demokratike të botës.    Është pjesë e paevitueshme e procesit dhe nuk është vetëm një fenomen i shoqërisë moderne amerikane.   Në të vërtetë, ajo që mund të konsiderohet si mungesë e qytetërimit politik në fushata elektorale dhe diskurse politike në Shtetet e Bashkuara është aq e vjetër sa edhe ekzistenca e vetë Amerikës si shtet, pra nuk është diçka e re as këtu në Amerikë, një vend ky që ka një traditë të gjatë demokratike.   Madje, ka qenë presidenti i parë i Shteteve te Bashkuara Xhorxh Uashingtoni, ai që në fjalimin e inaugurimit të tij si president i kombit të ri, duke e parë si promblem të mundshëm që atëherë ka paralajmëruar kombin mbi nevojën për një qytetërim politik në marrëdhëniet dhe diskurset politike dhe publike ndërsa vetë ai u ka premtuar bashkadhetarëve të tij, “Një angazhim të ri për të realizuar premtimet e kombit tonë nepërmjet qytetërimit politik, guximit, mëshirës dhe karakterit moral.   Mbi të gjitha, Amerika duhet të përshtatë dhe të harmonizojë angazhimet e saj parimore, me shqetësimet dhe me nevojën për një shoqëri politikisht të qytetëruar.”

Toleranca politike jo vetëm në politikë por edhe në jetën e përditshme, nënkupton respektin dhe vlerën që ne kemi për një person tjetër me mendime ndryshe.   Stiven Karter, një komentator amerikan, në librin e tij me titull “Qytetërimi’’, shkruan se sjelljet tona me të tjerët — me vepra dhe me fjalë — “Janë shenjë e respektit tonë për bashkqytetarët tanë, që t’i konsiderojmë ata si të barabartë me ne — si para ligjit ashtu edhe para Perëndisë.  Kështuqë, rregullat e qytetërimit politik janë, në të njëjtën kohë, edhe rregullat e moralit.  Është e moralshme’’, ka shkruar ai, “që bashkqytetarët tanë t’i trajtojmë me respekt dhe është e pa-moralshme nëqoftse nuk bëjmë një gjë të tillë.   Kriza e mungesës së qytetërimit civil e politik në kohën tonë, është pjesë e një krize më të madhe morale’’, ka thënë Stiven Karter.

Xhim Liç, një ish-kongresmen republikan i cili ka shërbyer 30 vjetë ne Kongresin amerikan, kohë më parë ka shkruar në një artikull se “qytetërimi politik nuk ka të bëjë vetëm me sjellje të mira dhe nuk do të thotë se debatet e ashpëra politike duhet të shmangen.   Përkundrazi, gjëja që nevojitë qytetërimi politik është gatishmëria nga ana e një personi që të dëgjojë me respekt pikëpamjet dhe qendrimet e të tjerëve, madje edhe të kundërshtarit, duke qenë të vetdijshëm se të gjithë ne jemi të lidhur dhe varemi nga njëri tjetri.”   Kongresmeni Liç, vazhdon duke thënë se “është krejtësisht e natyrshme dhe në të vërtetë është normale dhe e pritshme që qytetarët të mos jenë dakord me njëri tjetrin mbi çështje politike dhe me qëndrimet e kandidatëve të ndryshëm, por që, më në fund, është e rëndësishme që këto mosmarrveshje t’i shprehin me votën e tyre.”  Ndërsa ajo që është me e rëndësishme sipas tij, “Është fakti nëse kandidatët ose partia që më në fund fiton zgjedhjet, kanë seriozitetin e duhur dhe kurajon politike të nevojshëme për tu angazhuar për një bashkpunim me të gjithë, përfshirë kundërshtarët politikë, për të punuar në të mirën dhe për realizimin e interesave të përbashkëta madhore të kombit.”

Fatbardhësisht, në Amerikë ka ekzistuar historikisht një tolerancë politike midis palëve opozitare.  Ana tjetër e monedhës, kryesisht, tregon se pas përfundimit të zgjedhjeve, në shumicën e rasteve, palët kundërshtare pas debateve shpesh të ashpëra politike, bien dakort për realizimin e interesave të përbashkëta të kombit.

Të hënën mbrëma, u mbajtë debati i parë i tre debateve midis dy kandidatëve kryesorë për president, Hillary Clinton dhe Donald Trump.  Debati ishte tepër i ashpër, me akuza dhe kundër akuza ndaj qëndrimeve të njërit tjetrit për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave me të cilat përballet vendi, përfshirë ato që përmenda në fillim të këtij shkrimi.  Por, pyetjes së fundit të moderatorit, nëse ata do të pranojnë rezultatin e votave të zgjedhësve amerikanë në nëntor, pa marrë parasyshë se cili prej tyre fiton, të dy u përgjigjen pa asnjë hesitim me po, se natyrisht do të respektojnë vendimin e zgjedhësve amerikanë.  Donald Trump dhe Hillary Clinton janë të vetdijshëm se më në fund, janë votuesit ata që kërkojnë prej përfaqsuesve të tyre tolerancë politike ndaj kundërshtarve politikë në debatet për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet vendi e bota dhe se qytetarët amerikanë njëkohsisht këmbngulin që ata t’u japin fund debateve të ligshta politike dhe sulmeve personale duke adaptuar tolerancën dhe respektin ndaj njëri tjetrit.

Megjithë debatet e ashpra politike midis dy kandidatëve kryesorë në fushatën e këtij viti për president dhe megjithë ndryshimet në programet përkatëse të dy kandidatëve për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet vendi në    përgjithësi, duket se prapseprap, çdo gjë është në rregull me traditën e  tolerancës politike në Shtetet e Bashkuara.
Dëshmia më e fundit e kësaj tolerance politike ishte edhe inaugurimi fund javën që kaloi i Muzeut Kombëtar të Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane në Washington, ku morën pjesë një numër personalitetesh nga jeta politike amerikane, përfshirë Presidentin Barak Obama dhe ish-Presidentin George W. Bush.  Përqafimi i ish-presidentit republikan George W Bush nga Zonja e parë Michelle Obama – që u dokumentua me një fotografi e cila u përhap anë e mbanë botës si diçka e rrallë — është në të vërtetë një pasqyrim i kësaj tolerance politike, historikisht amerikane.

Amerika nuk ka pretenduar kurrë as nuk pretendon tani se është një shoqëri e perfeksionuar dhe gjithmonë tolerante, por siç u shpreh edhe Presidenti Obama në fjalën e tij me rastin e inaugurimit të Muzeut Kombëtar Afrikano-Amerikan fund javën që kaloi, “Vetë fakti i inaugurimit të këtij muzeu sot nuk vërteton se Amerika është një shoqëri e perfeksionuar, përkundrazi.  Por, gjëja që vërteton inaugurimi i këtij muzeu është – se nga idealet e themelimit të këtij kombi, të këtij vendi të lindur nga ndryshimet, të këtij vendi të dalur nga revolucioni — ky vend mund të bëhet edhe më i mirë”, për të gjithë.

Duke iu referuar indirekt tolerancës politike dhe raciale ndaj njëri tjetrit, Presidenti i parë afro-amerikan përfundoi duke theksuar se, “Shpresojmë që ky muze të na ndihmojë të flasim me njëri tjetrin dhe për më tepër, që të dëgjojmë njëri tjetrin dhe të takohemi me njëri tjetrin”, pikërisht për të qenë më tolerant, ndaj njëri tjetrit.
Frank Shkreli

By admini