Nikolle-tusha
Dom Nikollë Tusha

Shkruan Dr. Nail Draga

Trajtimi i ngjarjeve dhe personaliteteve që ka të bëjë me qytetin e Ulqinit dhe rrethinën e tij, në kohën e Luftës së Dytë Botërore, paraqet një inspirim të veçantë për çdo individ dhe studiues. E dhëna se nga viti 1941-1944 tokat shqiptare iu bashkangjiten shtetit amë Shqipërisë dhe këtu u vendos administrata dhe pushteti shqiptar me tërë mekanizmin qeverisës, paraqiste një sfidë për pop ullsinë vendore.  Por, kjo periudhë kohore e cila njihet si “koha e Shqipnisë”, ndonëse e shkurtër është e mbushur me momente dhe ngjarje interesante, të cilat deri më tash janë hulumtuar shumë pak. Andaj me këtë rast do të trajtojmë në mënyrë të veçantë rolin e dy figurave fetare si dhe likuidimin e tyre nga komunistët, me vendosjen e pushtetit të tyre nga muaji nëntor i vitit 1944.

1. Hafiz Hasan Llunji
Hasan Llunji, i biri i Alushit, myfti dhe myderriz i qytetit, u lind në Ulqin. Përmenden dy data të lindjes së tij, vitet 1897 dhe 1900. U rrit dhe u formua në një familje arsimdashëse dhe përparimtare. Në moshën 13-vjeçare kryen hafizllëkun merr thirrjen hafiz, ndërsa diploma e tij, e lëshuar në vitin 1916/17, dëshmon se ai kreu shkollën dyvjeçare kroate-shqipe të Ulqinit. Më tej dëshironte të vazhdon te shkollimin në mederesenë e Sarajevës. Nga të parët e tij trashëgoi një bibliotekë të pasur me literaturë sa fetare dhe artistike, me alfabet arabo-osman. Pasi kreu kualifikimet shkollore, bëri njohuri solide nga lëmia e së drejtës trashëgimore të sheriatit. Në këtë lëmë u diplomua dhe u specializua në Shkodër te Sabri Begu, atëbotë kryemyfti i Shkodrës.

Gjatë shërbimit në vise të ndryshme si mësues i fesë, ofiqar, myderriz dhe myfti, ka qenë pajtues në disa revista që botoheshin në Sarajevë, në Shkup e sidomos çmonte lart revistën “Zani i Naltë” që botohej në Shkodër. Nga ajo revistë informohej për të arriturat e ndryshme në fushëveprimin e tij, sidomos për veprimtarinë e shumë emrave të dëgjuar të kulturës dhe të kaluarës sonë kombëtare.

Gjatë veprimtarisë dhe shërbimit, hafiz Hasan Llunji ka shërbyer në disa vende nga viti 1918-1944. Ka shërbyer në Ulqin, Krajë, Anë të Malit, në rrethinat e Tivarit dhe të Tuzit. Ai nuk ka mundur të qëndrojë imun ndaj disa dukurive antikombëtare që organizonte pushteti i kohës në Mbretërinë SKS.

Kështu në pranverë të viteve 30-të, në Ulqin flitej se do te vinin disa anije turke për të marrë familjet ulqinake të cilat nga skamja ekonomike dhe shtypja nacionale bëheshin gati për ta lëshuar Ulqinin e për të emigruar në Turqi. Ndaj një veprimi të tillë të strukturave të pushtetit, që si qellim kishin shpërnguljen e shqiptarëve nga ky qytet, me plot guxim reagoi hafiz Hasan Llunji, duke i bindur bashkëqytetarët e tij për te mos e lëshuar Ulqinin. Për shkak të një qëndrimi të tillë, ai ishte në shënjestër të pushtetit dhe u detyrua për një kohë ta lëshojë Ulqinin dhe u vendos në qytetin e Shkodrës, por po ashtu ka qëndruar edhe në Durrës, ku pati takime edhe me Mujo Ulqinakun.

Njohja me dom Nikollë Tushën
Sipas shënimeve dhe dëshmive të njerëzve që e kanë njohur dom Nikollën dhe hafiz Hasanin, këto personalitete të nin në Ulqin, për herë të parë ishin njohur në vitin 1927 në fshatin Salç. Në atë kohë, sipas dokumenteve, Hasani kishte qenë mësues i fesë së fëmijëve shqiptarë në shkollën serbe të kohës. Por, në këtë kohë në Salç kishte ardhur për të shërbyer edhe dom Nikollë Tusha. Që të dy kishin një bashkëpunim të admirueshëm që u bënë shëmbull edhe për qytetarët e zakonshëm.Të dy së bashkupërveçse ishin në shërbim fetar, me disa patriotë të Ulqinit vazhduan aktivitetin kombëtar.

Me vendosjen e pushtuesve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Ulqin në prill 1941, këta udhëheqës fetarë së bashku me disa atdhetarë të tjerë iu bashkuan Mustafë Alibegut, figurë e njohur atdhetare nga Ulqini i cili në popull njihej me emrin Cafo Begu. Familja Alibegu, me tradita detare dhe tregtare, ishte me orientime të  arta kombëtare. Kjo familje ka dhënë kontribut të madh, sa në fushën kombëtare aq edhe në atë arsimore, në Ulqin dhe më gjerë.

Ai së pari ishte detar, pastaj tregtar dhe anëtar i disa partive, me kohë edhe kryetar i komunës së Ulqinit. Në kohën e Karagjorgjeviqëve ishte kryetar shumëvjeçar i komunës së Ulqinit, senator në oborrin mbretëror dhe deputet. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Cafo Begu ishte sërish kryetar komune në Ulqin, pastaj deputet e më vonë përfaqësues i shqiptarëve të Malit të Zi në Parlamentin shqiptar. Ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, të udhëhequr nga Mehdi Frashëri, Fuad Dibra, Lef Nosi, me kryetar Rexhep Mitrovicën. Në këtë staf, ai do ta lidhë aktivitetin në Ulqin, gjithnjë i ndihmuar nga shokët e tij dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë: dom Nikollë Tusha, hafiz Hasan Llunji e shumë të tjerë.

Tokat shqiptare i bashkohen shtetit amë Shqipërisë (1941-1944)

Fillimi i Luftës së Dytë Botërore solli ndryshime edhe në hartën politike të Ballkanit. Kështu pushtuesit e rinj italianë u angazhuan për të përmirësuar gabimin
e mëparshëm, duke ia bashkangjitur tokat etnike shqiptare nën Mal të Zi shtetit shqiptar të kohës nga muaji prill i vitit 1941. Një veprim i tillë ishte një surprizë e këndshme jo vetëm për dom Nikollën dhe hafiz Hasanin dhe Cafo Begun, por për të gjithë popullin shqiptar.

Në rrethana të reja politike dhe shoqërore, nga viti 1941-1944 Ulqini ishte nënprefekturë e Shkodrës. Nënprefekt ishte Luigj Lufi, me origjinë nga Mirdita, i cili kishte të kryer fakultetin e historisë,ku përveç gjuhës amtare dinte edhe tri gjuhë të huaja. Truproje e tij ka qenë Rrok Shkreli. Zyrat e nënprefekturës kanë qenë afër Ranës, në shtepinë e Bidin Selitës, ku është sot pushimorja e pensionistëve.

Gjatë kësaj kohe në Ulqin për të parën herë vendoset administrata në gjuhën shqipe, hapet shkolla shqipe “Skënderbe”, me arsmitarë vendas, por shumica ishin nga Shkodra, ndërsa drejtori i saj ishte shkodrani Jahja Domnori. Në qytet ka funksionuar edhe gjykata, xhandarmëria, ushtria, ku të gjithë ishin shqiptarë. Komandanti i qytetit të Ulqinit ishte Gjon Zefi Ivanaj.  Në rrethana të reja, në një shtet të ri, këtyre dy figurave të nderuara fetare në pranverën e vitit 1941  u bashkohen edhe qytetarët vendas, si Selë Lamoja, Cuf Brahushi, Hodo Alibegu, Rifat Alibegu, Riza Sula, Tahir Nikeziqi e shumë të tjerë.

Nuk ka dilemë se ngritja e Flamurit Kombëtar Shqiptar më 14 qershor 1941 paraqet ditën dhe datën më të shenjtë për popullin shqiptar në krahinën e Ulqinit. Atë ditë u mblodhën para kishës së Shën Zefit (Mal të Bardhë) rreth 5000 ytetarë, pa dallim feje e krahine.

Ja si e përshkruan këtë moment historik Rrok Shkreli: ”Atë ditë ishte mbledhur popull i madh nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Shestani…. Erdhën edhe krerët e iu bashkuan popullit, dom Nikollë Tusha, Cafo Begu, dom Ivo Bellashi, hoxhë Llunja, Lush Paloka, Dedë Gjo Nikë Delija, Selë Lamoja me të birin Elezin, Rexhep Dollari e shumë ulqinakë me ta. Së pari ka mbajtur një fjalim të fuqishëm atdhetari dom Nikolla, pastaj ka folur Cafo Begu e në fund dom Ivo Bellashi në kroatisht pasi ishte kroat… Pas kësaj kemi kërkuar një shkallë për të hypur në kompanjel të kishës, shkallën e ka sjellur Kolë Lucë Ndoja që asokohe iu binte kambanave të kishës. Flamurin e kishte dom Nikollë Tusha, i cili ia dorëzoi Cafo Beg Ulqinit e ky ia dha Dedë Gjo Nikë Delisë; shkallët i solli dhe i mbështeti fort për mur të kishës Kolë Lucë Ndoja, kurse Dedë Gjoni ma afroi mua shtizën e Flamurit, të cilin e valëvita disa herë në ajër e kjo ndezi zemrat e të pranishmëve, pastaj e vendosa dhe e shtërngova mirë në kompanjol. (vijon) /Koha Javore/

By admini