Dallgët errësirën kafshojnë në kufij
Shqiponja zgjat krahët të të mbrojë me sqep
Kalaja nis këngët nëpër histori
Iso mbajnë plagët që mblidhen në breg.
Aromë e atdheut të vjen në çdo valë
Ballin përkëdhel me ninulla shqipe
Gaz e vaj pështillen si melhelm mbi plagë
Ulqinin gjallojnë në shekuj me ritme.
MALLI YT
Malli yt
Më lër të zhytem
në vorbullën e mallit tënd
Le të gjarpërohem…
Copëtohem
zhbëhem
si vezullimë ndriçimi
Unë e di:
Do të rilind,
Në çdo agim
Kur etja jote
do të prehet në etjen time.
QELIA
Unë e di që s’të pëlqen qelia
Ku ndrydhesh egër, prangat dot s’i heq,
Lufton me veten, të mungon liria,
Kërkon horizontin që diellin ndjek.
Të kam parë si thinjesh në vetmi,
Si flatrat t’i bren mërzia,
Botës i mbyll portat, si konti Ugolin
Sulesh i pashpresë drejt duarve të tua.
Aty në qoshe s’mund të rrish i heshtur
Të gjunjëzohesh, të presësh nga lart,
Dritës ëndrrat s’mund t’ia mbash fshehur,
Se uragani në brigje furinë përplas.
RRUGA IME
Rruga ime
Ti më gjarpëron venave,
E ngarkuar me hapa dhimbjesh,
E pështyrë me fjalët “dreq”
Pasi je bërë shtrati I lotëve,
Qielli I besimit tim…
Çdo hap mbi ty mban një mendim
Përgjigjja më vjen me kërcitje e jehona hapash,
Pastaj ringrihesh si kujtim.
Si një ikonë të mbaj me vete…
Ti, rrugë e pluhurosur nga ritmi i kohës,
E njeh këngën time,
Poetikën e vargjeve frymëzuar prej teje,
Monologun shekspirian “to be or not to be”.
Unë eci,
Ti gëzohesh për praninë time
Si hijez ngrihesh
Drejt plagëve të diellit,
shiut të psherëtimave,
brengave që vijnë të strehohen në mua…
(Autorja është nga Delvina, Shqipëri. Me profesion është mësuese. Ajo thotë se e ka vizituar Ulqini i ka lënë mbresa të thella si qytet i lashtë edhe turistik.Ka botuar disa vepra në prozë e poezi: Përgatiti: I. Berjashi )