Poeti Basri Çapriqi, thotë se “Brezi i poetit Esad Mekuli, ishte brezi i fundit që ka menduar se me fjalën poetike mund të ngrejë nga gjumi shtresat e shoqërisë dhe mund ta ndryshojë botën”.
Profesori i Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, kryetari i Pen Qendrës së Kosovës dhe poeti Basri Çapriqi, është laureati i çmimit të sivjetmë “Naim Frashëri”, në Tetovë. Gjithashtu, Pen Qendra e Kosovës, të cilën e drejton Çapriqi, këto ditë ka hedhur në treg antologjinë e poezisë shqipe të shek. XX me titull “Zemra e qiellit”, ku janë përzgjedhur 70-të, poetë. Çapriqi, për Radio Kosovën, thotë se: “Brezi i poetit Esad Mekuli, ishte brezi i fundit që ka menduar se me fjalën poetike mund të ngrejë nga gjumi shtresat e shoqërisë dhe mund ta ndryshojë botën”.
Radio Kosova: Jeni laureat i Çmimit të sivjetmë “Naim Frashëri” që ndahet çdo vit në Tetovë. Çka do të thotë për juve ky çmim që mban emrin e poetit të shquar rilindas?
Basri Çapriqi: Është privilegj dhe kënaqësi e veçantë kur të jepet një çmim që përveç se ka një emër të tillë, të kryepoetit, siç e quajmë ne Naim Frashërin, dhe që kemi respekt të gjithë poetët për këtë emër të nderuar, të jep kënaqësi të veçantë edhe shoqëria në të cilën futesh me këtë çmim. Siç dihet, deri më tash i është dhënë emrave shumë të njohur, emrave të shquar të poezisë nga e gjithë bota e po ashtu dhe disa poetëve të shquar shqiptarë siç është Ismal Kadare, Dritëro Agolli, Ali Podrimja, Visar Zhiti, Fatos Arapi… d.m.th emra shumë të nderuar të poezisë shqipe dhe shumë emrave të shquar nga e gjithë bota. Kjo të bën të ndihesh mirë në shoqërinë e këtillë. Nuk e prisja! Por, kur më dhanë lajmin ishte befasi e këndshme. Ceremonia dhe ndarja e çmimit ishte një spektakël i vërtetë dhe ajo ndodh çdo vit. Është tashmë një festival, ndoshta më kryesorët në hapësirën kulturore shqiptare.
Radio Kosova: Nga juria e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, jeni cilësuar si poet i vetëdijes postmoderniste dhe i diskursit urban.
Basri Çapriqi: Po. Ata e kanë vlerësuar se është një poezi, është një zë i veçantë dhe kjo poashtu më bën të ndihem mirë sepse një juri që ka vendosur për këto arsye të jepet ky çmim, domethënë se është juri profesionale, që di të nuhasë edhe disa shtresime të holla që shpeshherë lexuesit e zakonshëm nuk i hetojnë. Gjithsesi është kënaqësi kur merren çmimet e tilla, pavarësisht arsyetimit që bëjnë juritë. Unë dhe atje falënderova jurinë që ka gjetur momentin që të vendos për emrin tim për sivjet.
Radio Kosova: A është poezia në krizë?
Basri Çapriqi: Është një konstatim i përgjithshëm tashmë që poezia lexohet gjithnjë e më pak, jo vetëm tek ne, por gjithkund në botë. Poezia botohet gjithnjë e më vështirë, që po ashtu është një rrethanë jashtëzakonisht e palakmueshme për pozitën për këtë tip gjuhe. Botuesit e mëdhenj, zakonisht vrapojnë pas prozës dhe pas librave popullarizues që kanë shumë lexues, që kanë një audiencë më të madhe, që kanë një tirazh më të madh, që shiten më shumë. Dhe, të shtyrë nga ky interes, poetët e kanë gjithnjë më problem ta botojnë librin tek shtëpitë e mëdha botuese nëpër botë. Gjuhët e vogla, kanë problem të gjejnë botues që do ta botojnë përkthimin e poezive të tyre, sepse nuk kanë ndonjë treg të madh. Do të thotë, poezia gjithnjë e më pak lexohet, ka një krizë leximi të poezisë. Por, një lexim që ka pasur këtu tek ne, por edhe tjetër kund, masovik të poezisë, atë nuk mund ta presim më. Leximi shumë i gjerë për librat e poezisë që janë botuar në tre mijë kopje dhe janë shitur, pastaj kanë përjetuar dy ose tri botime e ribotime, ajo kohë nuk mund të vij më sepse arsyet e leximit të atillë të poezisë kanë qenë të tjera. Kanë qenë shpeshherë shtytje jo letrare, faktorë ekstra letrarë që kanë bërë që shpeshherë horizonti i pritjes së lexuesit të plotësohet me disa shtresime që ata kanë gjetur në poezi e që shpeshherë mund të ketë qenë edhe interpretim i gabueshëm, por që edhe kjo është e lejueshme. Poezia e ka edhe këtë energji, këtë mundësi që t’ia jep lexuesve. Por, sot kur kemi një hapje të madhe të mediumeve, nuk besoj që më lexuesit do ta kërkojnë një informatë të fshehur nëpër këto shtresime gjuhe, që e kanë të vështirë ta nxjerrin. Tani e kanë shumë më të lehtë, e kanë shumë afër, e kanë të përditshme. Çdo moment u vjen nëpër Iphon-et, e tyre. Kështu që, poezinë sot e lexojnë një grup jashtëzakonisht pasionant pas kësaj gjuhe dhe njerëz që janë jashtëzakonisht të lidhur emocionalisht dhe që e duan jashtëzakonisht shumë këtë zhanër. Për mua si poet, është më me rëndësi ta kem sa më afër këtë audiencë sado e vogël që është, por që e adhuron dhe e do këtë gjuhë, se sa audiencat e mëdha që shpeshherë nuk mund ta kapin deri në themel.
Radio Kosova: E keni thënë më herët se poezia është elitare. A është kjo arsyeja që lexohet pak, për faktin se pak e kuptojnë?
Basri Çapriqi: Patjetër. Është një gjuhë që është e vështirë. Është gjuhë jashtëzakonisht e vështirë për ta ndërtuar, për ta shkruar edhe më e vështirë për ta receptuar, për ta pranuar dhe konsumuar. Realisht, këtë gjuhë mund ta konsumojnë vetëm njerëzit, të cilët kanë një përgatitje shumë të avancuar për ta konsumuar drejt dhe me shije këtë krijim artistik. Fatkeqësisht, me sa dëgjojmë, se sa shkojnë tirazhet nëpër shtëpitë botuese këtu, sa shitet libri, është jashtëzakonisht tirazh i vogël. Me kolegët që takohemi nga rajoni, që janë gjuhë të përafërta kaq të vogla sa gjuha jonë, tregojnë që situata është e tillë edhe në vendet e tyre. Libri me poezi botohet në tirazh jashtëzakonisht të vogël. Poetët i dhurojnë miqve, njerëzve, të cilët mendojnë që mund ta lexojnë dhe mund të komunikojnë me ta dhe janë të kënaqur me atë tirazh aq të vogël.
Radio Kosova:Cila është fuqia e poezisë sot?
Basri Çapriqi: Nuk mund të pretendojmë që mund ta kthejmë një status që ka pasur poeti dhe poezia para dyzet ose më shumë vitesh. Kanë qenë kohë të tjera atëherë, jo vetë tek ne, por edhe në vendet e tjera. Poeti, shkrimtari, ka pasur status gati misionari. Është trajtuar ndryshe, ka qenë njeri i privilegjuar. Zëri i poetit, zëri i shkrimtarit, ka qenë zë krejtësisht i veçantë, ka pasur peshë të jashtëzakonshme, prandaj dhe janë burgosur poetët, janë ndaluar dhe librat me poezi, sepse dhe politika ka qenë e vetëdijshme për peshën që ka fjala artistike, fjala e shkrimtarit, fjala e njeriut me status të atillë. Kjo, duhet ta pranojmë, ka përfunduar. Shkrimtari sot është i barabartë me të gjithë të tjerët dhe nuk e ka më atë privilegj. Fjala e tij, nuk e ka atë peshë. Pra, poezia sot lexohet nga ata që realisht e duan atë gjuhë, ndryshe nuk mund të pretendojmë më që shkrimtari të jetë misionar dhe të ndërtojë një mision me gjuhën e tij poetike, ose me poezinë e tij t’i lëviz raportet shoqërore. Shkrimtarët nuk e kanë më as këtë besim tek kjo gjuhë, sic e kanë pasur dikur shkrimtarët. Esad Mekuli thoshte: “Unë deshta, shumë kam dashtë dishru, që me kangë të trimnoj e të ngrej fuqitë nga gjumi”! Është brezi i fundit që ka menduar që me fjalën poetike mund të ngrej nga gjumi shtresat e shoqërisë, mund të ndryshojë botën. Nuk e mendon më askush që mund ta bëjë këtë fjala poetike. Nuk e ka më atë fuqi, realisht!
Radio Kosova: Poezia juaj është përkthyer në disa gjuhë të huaja, madje dhe në gjuhët kryesore si anglisht, frengjisht, gjermanisht, etj. Sa është i rëndësishëm përkthimi i poezisë sot, në aspektin e përgjithshëm të një letërsie nacionale?
Basri Çapriqi: Është shumë me rëndësi. Poetët që kanë fatin t’i përkasin një gjuhe të vogël, sic është gjuha shqipe dhe gjuhët e tjera të rajonit, kanë një ngarkesë të dyfishtë për të plasuar librin e tyre me poezi. Nuk përfundon puna kur e boton librin me poezi në gjuhën burimore, në gjuhën tënde. Në këto raporte globale, kur bota është shndërruar në një fshat të vogël dhe kur komunikimi është kaq dinamik, nuk ka më kuptim të botosh librin vetëm në gjuhën që krijon, posaçërisht shkrimtarët që i takojnë gjuhëve të vogla. Procesi përfundon kur libri përkthehet në një nga këto gjuhë të komunikimit global. Deshe apo nuk deshe, ky është fati i këtyre shkrimtarëve, që nuk është i barabartë me ata, të cilët e kanë gjuhë amtare e që shkruajnë në gjuhën angleze, frënge, gjermane etj. Po, kështu është kjo botë! Insistimi për të përkthyer literaturën tonë, si PEN Qendër, i kemi bërë disa hapa. I kemi disa plane për të ndërmarrë përkthimin e veprave më të mira të autorëve të Kosovës dhe përmes antologjive të plasojmë prodhimin më të mirë letrar qoftë në poezi, qoftë në prozë, qoftë në kritikë dhe këtë ta mundësojmë përmes përkthimit të mirë dhe botimit nga shtëpitë e mëdha botuese jashtë vendit.
Radio Kosova: Jeni kryetar i PEN Qendrës së Kosovës dhe njëherit themelues i saj në vitin 2004. Sapo keni botuar antologjinë e poezisë shqipe të shek.XX me titull “Zemra e qiellit”, e para e këtij lloji e botuar ndonjëherë në gjuhën shqipe. Cilat ishin kriteret për përzgjedhje?
Basri Çapriqi: Sapo kemi hedhur në treg një botim, që unë mendoj që është nga më seriozët dhe ndoshta është produkti që ne kemi përgatitur e që është me peshën më të madhe prej se kemi nisur të botojmë. Kemi një veprimtari botuese shumë të pasur, posaçërisht në fushën e studimeve letrare të kritikës, poezisë, prozës dhe publicistikës. Kjo antologji është projekt i mëhershëm, por tash erdhi radha të dalë poezia. Planifikojmë që ta bëjmë dhe një vëllim me prozën më të mirë shqipe dhe eseun dhe kritikën më të mirë të shek. XX. Pra, do të jenë këto tri libra, që do të përbëjnë një tërësi. E kemi menduar që të shkojmë më poezinë shqipe të shek. XX me gjithë shtrirjen e saj në hapësirë, në gjithë shekullin. Pra, do të thotë një shtrirje në hapësirë që përfshin Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Breshian e Italisë, diasporën kudo që krijohet. Them që është për herë të parë një botim i tillë në gjuhën shqipe. Në gjuhë të tjera janë jashëtzakonisht të shpeshta botimet e tilla. Kemi parë poezinë gjermane të shek XX, poezinë angleze, frënge, amerikane, por në gjuhën shqipe, çuditërisht nuk e kemi pasur një botim të tillë. Zakonisht kemi pasur antologji të poezisë shqipe bashkëkohore, nga lufta e dytë botërore e këndej. Kemi pasur edhe antologji tematike, antologji të gjithë poezisë shqipe, por antologji të poezisë shqipe që vendoset brenda kësaj kornize të shek. XX, që ka shumë interes për t’u futur brenda e për ta parë se si qëndrojnë brenda një botimi autorë që nga viti 1900 deri në vitin 2000. Janë tetë breza, janë shumë orientime stilistike, janë periudha të ndryshme, autorë të ndryshëm dhe këtë diversitet stilesh dhe ndjeshmërisë e ideshë, kemi arritur që ta fusim brenda kopertinave të një shekulli me gjithë përfshirjen e tij. Besojmë që kemi bërë një punë të mirë dhe është një plan që këtë pastaj, kur të krijohen kushtet, ta përkthejmë në disa gjuhë të botës dhe përmes kësaj, të arrijmë që disa nga vlerat kryesore të poezisë, të prozës dhe të kritikës shqiptare të shek XX, t’i plasojmë në gjuhë të mëdha. Sa i përket kritereve të përzgjedhjes, kryesisht ka dominuar kriteri estetik, vlera letrare e këtij materiali, por natyrisht duke pasur parasysh shpeshherë studimet letrare, kritikën letrare dhe një kanon që e ka krijuar një kritikë letrare gjatë këtij shekulli. Vendin që u ka dhënë shpeshherë autorëve, duke mos qenë gjithmonë kjo e paprekshme sepse ka pasur periudha, kur autorëve të ndryshëm u kanë dhënë vend të pamerituar, ose u kanë hyrë borxh ose nuk i kanë përfshirë fare. Në këtë antologji do të shihni se kemi me dhjetra autorë, të cilët nuk kanë qenë asnjëherë të përfshirë në antologji të poezisë shqipe.
Radio Kosova: Cilët janë ata?
Basri Çapriqi: Kemi Frederik Reshpjen, Zef Zorbën, Martin Camajn, Teki Dërvishin, që shpeshherë për arsye të ndryshme nuk janë përfshirë. Fillon prej Çajupit, Fishtës, Migjenit, Lasgushit, Nolit…e përfundon tek autorët më të rinj, që kanë krijuar veprën kryesore të tyre para vitit 2000 sepse kemi dhe atorë të tjerë që kanë nisur para vitit 2000, por i kanë botuar më vonë veprat e tyre kryesore. Me merakun se antologjia është një punë jashtëzakonisht e vështirë, kanë punuar katër autorë nga Kosova dhe Shqipëria. Është një vepër e përbashkët, me qëllimin për t’u shtrirë në gjithë hapësirën shqiptare arsimore, kulturore dhe për t’u plasuar jashtë. Është punë e vështirë sepse gjithmonë e ke atë merakun që të mbesin jashtë shtatë ose tetë poetë dhe e ke vesin gjithmonë se pse nuk ke mundur t’i fusësh brenda dhe janë poashtu pesë ose gjashtë që mund të dalin çdo moment. Kështuqë, kjo është një punë që gjithmonë mbetesh me atë merak, por dikush duhet ta bëjë dhe këtë punë.
Radio Kosova: Tani është muaji nëntor, njëherit dhe muaji i Panairit tradicional të Librit në Tiranë, që do të hapet nga data 11. Cili është mendimi juaj për panairet e librave që organizohen në Prishtinë, Tiranë, Ulqin…?
Basri Çapriqi: Panairet kryejnë një punë jashtëzakonisht të mirë në kontaktin e shkrimtarëve me lexuesin. I bëjnë jehonë botimeve të reja. Pen Qendra e Kosovës do të jetë prezente me këtë botim të antologjisë së poezisë shqipe “ Zemra e qiellit”, që besoj se do të jetë interesant për panairin dhe besoj që do të zgjojë interesimin e vizituesëve të këtij panairi. Unë mendoj që gjithkund në botë, panairet i bëjnë jehonë botimeve të reja. Bëjnë atë kontaktin shumë të nevojshëm të autorëve me lexuesin, bëhen promovime ku mbërrijnë informata për librin. Panairet që bëhen nëpër vende të vogla, lënë për të dëshiruar në organizimin e tyre. Panairi i Tiranës, ka treguar që me kalimin e viteve ka bërë një traditë, njerëzit e vizitojnë shumë dhe është bërë panairi kryesor që ke kënaqësinë të jesh aty dhe libri të plasohet.
Radio Kosova: Dicka për fund të bisedës së sotme?
Basri Çapriqi: Do të jap një sugjerim që njerëzit t’i kthehen leximit sepse kriza e leximit do të jetë krizë e përgjithshme e gjithë shoqërisë. Kur thua se është në krizë leximi, faktikisht është në krizë shoqëria. Unë shpresoj që kjo të kalohet, pavarësisht që jemi nën ndikimin e disa mediumeve. Ato kanë punën e vet dhe e bëjnë mire. E qarkullojnë informatën që shpeshherë dikur, ne që kemi lexuar vetëm libra nuk kemi mundur të arrijmë tek ajo informatë, sot falë këtyre, mund të marrim informata që janë shumë të largëta, por që i marrim në kohë reale.