Xhamia-Ali-pashaShkruan: Ismet Karamanaga

Xhamia e Pashës është unike sepse eshtë e vetmja xhami në Ulqin e cila ka pasur Hamamin e vet. Pranë Hamamit gjithashtu është rinovuar dhe zbuluar edhe “abdesthanëja” e vjetër, të cilën e kanë mbyllur “arkitektët” modernë.
Me hidhërim dhe revoltë të madhe, dua të përmendi edhe kroin e xhamisë, kroin më të bukur në Ulqin, i cili ka qenë pjesë përbërëse e kompleksit të kësaj xhamie. Gjurmët e këtij kroi, që ende sot mund të shihen në murin e rrugës përballë xhamisë, na kanë mbetur si kujtim nga një pushtet “barbar” jopopullor, në të cilin kanë marrë pjesë për më tepër edhe njerëzit tanë.
Të bëjnë një krim të tillë duke hequr kroin nga vendi ku ka qenë i vendosur shekuj me radhë, vështirë mund ta kuptojë truri normal. Është për t’u çuditur, aq më tepër, duke parë tabelën e vendosur pranë derës së xhamisë me shkrim të qartë “Zakonom zaštićeno” në gjuhën e tyre “të dashur”. Për ata që kanë marrë pjesë në krime të tilla dhe që ende sot jetojnë dhe për çdo ditë kalojnë pranë xhamisë, dua ta përkthej se “Zakonom zaštićeno” do të thotë se xhamia me tërë objektet që kanë qenë pjesë e saj, kanë qenë nën mbrojtjen e shtetit si përmendore kulturo-historike të kategorisë së parë.
Më duket se shumë gjëra janë bërë me qëllim nga pushteti i asaj kohe. Njerëzit tanë që kanë marrë pjesë në pushtet, nuk kanë kundërshtuar kurrë, por përkundrazi kanë dhënë “kontribut” të madh në veprime të tilla, natyrisht për pozita të veta. Më duket se i njëjti “skenar” përsëritet edhe sot në shumë gjëra në përgjithësi në qytetin tonë, natyrisht, në forma të ndryshme. As Perëndia, as gjeneratat e reja, nuk mund ta falin këtë.
Edhe diçka për gurët e kroit. Dua t’i përkujtoj lexuesit se shumë ulqinakë e kanë ditur se ku kanë përfunduar pjesët e këtij kroi. Është folur nëpër kafene, por askush as nuk ka shkruar, as nuk ka kërkuar shpjegime zyrtarisht.
Më kujtohet se vetëm një banor i fesë ortodokse, kjo është më rëndësi të përmendet dhe të theksohet, i cili e ka pasur shtëpinë mbi “Kroin e Xhamisë së Pashës”, ka reaguar duke thënë: “Čekajte ljudi, šta to radite! Evo uzmite komad kod mene, nemojte dirati česmu!” (Prisni njerëz, çfarë po bëni! Ejani merreni një pjesë tek unë, mos e prekni kroin!). Askush tjetër nga “tanët” asgjë, dhe asnjë fjalë. Për dallim nga ata të tjerët, ne që e duam më shumë qytetin tonë, dhe të cilëve u kujtohet kroi i bukur pranë rrugës, flasim me një nostalgji të madhe për të.
Pjesa kryesore e “fontanës”(shatërvanit), e zbuluar në pjesën e brendshme të Hamamit, me iniciativën e disa të rinjve përsëri sot eshtë vendosur në vendin ku ka qenë gjithmonë dhe ku ka shërbyer si një pjesë e trupit të funksionimit të Hamamit. /Koha Javore/

By admini