kurban-bajrami-rregullat-e-prerjes-se-kurbanitPyetja:
I nderuari Hoxhë. Cilat janë rregullat në lidhje me prerjen e Kurbanit ?

Përgjigja:
Falënderimet më të mira dhe më të sinqerta i takojnë vetëm Allahut fuqiplotë, i Cili na udhëzoi në islam; begati kjo e ci­la u mungon shumicës së njerëzve bashkëkohor. Paqja, për­shëndetjet dhe urimet e bekuara qofshin mbi Muhamedin a.s. themeluesin e drejtësisë dhe harmonisë njerëzore.
Lexues të nderuar, do të njoftoheni shkurtimisht me dispozitat dhe vlefshmërinë e Kurbanit, mënyra e prerjes dhe ndarjes së Kurbanit.

Kurbani dhe dispozitat e tij
Kurbani ka për qëllim sakrificen, prerjen e një kafshe për hir të Allahut xh.sh. Kurbani është vaxhib (obligim). Që kurbani të jetë obligim duhet të plotësohen këto kushte: të jetë musliman; të jetë i lirë ngase robi nuk ka obligim të presë kurban; të jetë në vendlindje, pra të mos jetë në udhëtim; të jetë psiqikisht i mençur; të jetë i moshës madhore (pubertet), dhe të ketë mundësi financiare për prerjen e Kurbanit.

Argument për obligimin e kurbanit kemi ajetin Kuranor ku Allahu xh.sh. thotë: “Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!”
“I Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s. me dorën e tij kishte prerë kurban dy desh të larëm me brinjë, kishte bërë bismil-lah dhe tekbir” Kur e pyetën të Dërguarin e Allahut a.s. se pse bëhen këto kurbane, ai u përgjigj: ”Është sunneti (tradita) i babait tonë, Ibrahimit” Ata i thanë: “Çfarë përfitojmë ne prej tyre?” Ai i tha: “Për çdo qime (të kurbanit), ju do të shpërbleheni.” Gjithashtu transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush ka mundësi të ther kurban dhe nuk ther, të mos i afrohet xhamisë sonë.”

Po ashtu Pejgamberi a. s. Ka thënë: “Vërtet, në mesin e gjërave më të preferuara te Zoti është therja e kurbanit në Kurban Bajram. Vërtet ai do të vijë Ditën e Gjykimit në formën e tij, me brirët e tij, leshin dhe thundrat e tij. Te All-llahu do të arrijë puna e mirë (sevapi i kurbanit) para se të bie gjaku në tokë, prandaj gëzojuni me këto shpërblime.”

Therja e Kurbanit është një tregues i madh se njeriu është i gatshëm për të sakrifikuar për fenë e Allahut dhe bindjes së tij ndaj Krijuesit.

Me një akt të tillë muslimani tregon mirënjohjen e tij ndaj Allahut për mirësitë dhe begatitë e shumta që Zoti ia ka dhuruar njeriut. Besimtari shpreh gatishmërinë e tij që të sakrifikojë pasurinë dhe të heqë dorë nga shumë të mira të kësaj bote, duke u treguar human dhe dorëlirë ndaj të tjerëve. Ne, duke respektuar urdhrat e Allahut, shprehim respektin dhe mirënjohjen tonë ndaj Tij.

Me therjen e kurbanit ne sakrifikojmë një nga mirësitë dhe dhuntitë që na ka dhënë Allahu. Ai na ka dhënë kurse ne e sakrifikojmë në emër të Tij, për të mirën e të varfërve dhe të tjerëve.

Që kurbani të jetë i vlefshëm duhet të plotësohen këto kushte:
Kurbani është adhurim në kohë të caktuar, andaj edhe vlefshmëria e Kurbanit varet nga zbatimi i këtij obligimi brenda kohës së caktuar. Koha e therjes së Kurbanit fillon pas faljes së namazit të bajramit dhe përfundon ditën e tretë të Kurban bajramit, pak para kohës së akshamit, porse koha më e preferuar është dita e parë e Kurban bajramit. Është Mekruh (e papëlqyeshme) që kurbani të pritet natën, gjatë netëve të bajramit.

Ata të cilët presin kurbanet e tyre para kohës detyrohen t’i përsërisin, ngase Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kush e ka prerë kurbanin para namazit, le ta përsërisë.”
Kafsha e cila është përcaktuar për kurban duhet të jetë pa të meta, pra të mos jetë e verbër, e sëmurë, e gjymte, dhe që çalon. Kafsha e cila e ka të humbur syrin ose të pamurit nuk vlen për kurban. Kafsha e cila çalon, respektivisht ecën vetëm me tri këmbë ose një këmbë e ka të këputur, nuk vlen për kurban, mirëpo nëse ajo këmbën e katërt e lëshon nga pakë në tokë dhe ndihmohet me të sa të ecë deri te vendi ku theret, atëherë vlen për kurban.

Gjithashtu për kurban nuk vlen kafsha e cila është e hutuar. Nuk vlen për kurban edhe kafsha e cila shumicën e veshit e ka të prerë, ose është e krijuar me të meta pa veshë, e nëse veshi ekziston por është i vogël lejohet për kurban.

Për kurban vlen të theret kafsha e cila nuk ka brirë që është e tillë nga krijimi i saj, e edhe kafsha e cila brirët i ka të thyer por jo nga rrënjët e saja.
Po ashtu nuk lejohet për kurban edhe kafsha e cila ka humbur shumicën e dhëmbëve.

Që kurbani të jetë i vlefshëm patjetër duhet respektuar edhe moshën e kafshës e cila do të theret për kurban. Kafshët e imta të cilat theren kurban, pra delet dhe dhitë, kushtëzohet që të kenë plotësuar një vit të plotë dhe të kenë hyrë në vitin e dytë. Mirëpo nëse delja e cila ka vetëm gjashtë muaj, por është e rritur dhe e shëndoshë, saqë kur të përzihet me kopenë nuk dallohet nga tjerat, vlen për kurban. Ndërsa kafshët e mëdha, lopët dhe buallicat nuk lejohet të theren për kurban nëse nuk kanë mbushur 2 vite, kurse devetë pesë vjet.

Kafshët e mëdha si lopët, buallica dhe devetë, lejohet që të theren kurban për më shumë se një person, respektivisht deri në shtatë persona. Bashkimi i personave për kurban në një kafshë të madhe, detyrohet që të gjithë pjesëmarrësit të kenë për qëllim kurbanin, sepse nëse njëri prej tyre nuk ka për qëllim kurbanin si adhurim, por thjesht vetëm mishin e saj, atëherë kurbani është i pavlefshëm për të gjithë. Mishi i Kurbanit mes pronarëve të tyre duhet të ndahet në mënyrë precize duke e matur. Në Kurbanin e madh lejohet të marrin pjesë edhe më pakë se shtatë persona, por nuk lejohet mbi shtatë.

Lëkura e kurbanit duhet dhënë sadeka ose të përdoret për nevojat shtëpiake dhe nuk guxon të shitet për para, sepse Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush e shet lëkurën e Kurbanit, ai nuk ka kurban!” Nuk lejohet që kasapit ti jipet shpërblim për prerje nga kurbani si mishi, lëkura, etj. Aliu, r.a. ka thënë: ” Pejgamberi më ka urdhëruar…që të mos i jap ( shpërblejë) asgjë kasapit prej Kurbanit”.

Prerja e Kurbanit
Prerja e tij është mirë që të bëhet nga vet personi i cili ka bërë nijet të therë kurban. Nëse ka njohuri dhe mundësi për therjen e tij, e nëse nuk mundet apo nuk dinë të therë kurbanin atëherë është më mirë të ndihmohet nga dikush tjetër. Nëse dikush tjetër e therë Kurbanin, atëherë është mirë që zotëriu i kurbanit të qëndrojë pranë tij dhe ta sheh atë duke e therë, sepse i Dërguari i Allahut a.s. i kishte thënë Fatimes r.a., bijes së tij:
“Oj Fatime, ngrihu dhe shihe kurbanin tënd, sepse të falen mëkatet me pikën e parë të gjakut që bie në tokë” dhe thuaj: Vërtetë namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun e të gjithë botëve, Ai është i pa shok, me Atë jam i urdhëruar e unë jam nga muslimanët.”

Çdo mjet prerës i cili pret, që shkakton daljen e gjakut, mund të përdoret për mjet prerës, dhe mishi i tillë është i lejuar, por gjatë therjes është mirë që mjeti therës të jetë i mprehtë e të mos e mundojë kurbanin.

Personi që vendos të presë kurban, është mirë që të marrë abdes dhe ti fal dy reqat namaz nafile, dhe para se ta presin kurbanin ta thotë këtë lutje-dua:
“Bismil-lahi All-llahu ekber. All-llahumme hadha minke ve leke. In-ne salati ve nusuki ve mahjaje ve mematil lil-lahi rabbil-alemin. La sherike lehu ve bidhalike umirtu ve ene ev-velul-muslimin. All-llahumme tekabbel min-ni kemma tekabbelte min halilike Ibrahime ve min Muhammedin alejhisselam”.
Kurbanin e kthejmë kah kibla dhe pasi themi “Bismil-lahi All-llahu Ekber” e therim duke ia prerë zorrën e ushqimit, të frymëmarrjes dhe dy venat kryesore që kalojnë përmes qafës.
Mbasi ta presim, atëherë është mirë të këndohet tekbire deri në daljen e shpirtit përfundimisht të Kurbanit. Tekbiri shqiptohet kështu: All-llahu Ekber, All-llahu Ekber. La ilahe il-lall-llahu vall-llahu ekber. All-llahu ekber ve lil-lahil hamd”.

Mishin e Kurbanit e ndajmë në tri pjesë: një pjesë e lejmë për vehte, një pjesë ia shpërndajmë të afërme dhe pjesën tjetër ia shpërndajmë të varfërve. Kurbani që pritet për të vdekurin duhet që i tërë mishi i kurbanit të shpërndahet.
Nuk lejohet të shitet mishi i kurbanit.
Me shpërndarjen e mishit të kurbanit në Ditën e bajramit njëkohësisht shpërndanë edhe gëzimin dhe harenë në shpirtërat e të varfërve dhe familjeve të tyre. Kjo formë e adhurimit shtonë dashurinë dhe humanizmin mes njerëzve. Prerja e kurbanit dhe shpërndarja e mishit të varfërve, fqinjëve dhe dashamirëve, përveç dashurisë reciproke, nënkupton edhe gatishmërinë e besimtarit musliman për të sakrifikuar nga pasuria e tij për hir të Allahut xh.sh.

Lusim Allahun e Plotfuqishëm të na pranojë këtë adhurim dhe ditët e Bajramit t’i kalojmë në harmoni me Krijuesin dhe krijesat. Amin.
Lutja jonë e fundit është, falënderimi i takon Allahut për çdo gjë.

(Përgjigja për pyetjen e lartpërmendur është marrur nga teksti i fletushkës që është përgatit enkas për xhematin e xhamisë së Klleznës nga Imami i xhamisë, kush dëshiron ta ketë këtë fletushkë le të lajmërohet në Xhaminë e Klleznës)

Marrë nga Xhamia e Klleznes

By admini