Skënderbeu shkruan historinë, korçarët në Play-Off të Ch. League
Fantastike, nuk është më ëndërr, por realitet, Skënderbeu është e para skuadër shqiptare që avancon në play-offin e Champions League. Kampionët e Shqipërisë kanë hapur dyert e parajsës në Elbasan Arena duke i dhënë një tjetër leksion Milsamit që është mposhtur me rezultatin 2-0, identik me atë të ndeshjes së parë, për të avancuar me rezultatin e përgjithshëm 4-0 që thotë shumë mbi forcën e skuadrës së Josës në Europë. Nga një gol për pjesë, me firmat e të mrekullueshmit Hamdi Salihi dhe Gerhard Prognit kanë vulosur verdiktin historik për të cilin festojnë jo vetëm tifozët e Skënderbeut por gjithë futbolli shqiptar.
E mrekullueshme atmosfera në Elbasan Arenan e stërmbushur që kishte veshur kostumin gala për rëndësinë e mbrëmjes, në fushë Mirel Josa hidhte të njëjtin formacion me atë të një jave më parë me përjashtim të Prognit që rimerrte vendin e Latifit të dëmtuar. Fillim agresiv i Skënderbeut me Salihin që ju deshën vetëm 44 sekonda për t’u prezantuar rrezikshëm në portën e Mitu. Një ndihmë kampionëve të Shqipërisë ua dha dhe Andronic me këtë ndërhyrje të papërgjegjshme ndaj Eskuridinhas me portugezin Artur Dias që nuk hezitoi për t’i dhënë me të drejtë kartonin e kuq dhe urdhërin e marshimit jashtë fushe. Skënderbeut ju deshën vetëm 2 minuta për të përkthyer superioritetin numerik edhe në rezultat.
Është i jashtëzakonshëm, sërish dhe gjithmonë ai Hamdi Salihi që con Elbasanin, Korcën dhe Shqipërinë në festë, me nuhatjen e jashtëzakonshme ndjek si një ujk goli goditjen e Nimagas për të shënuar golin e avantazhit, i pestë për të në pak javë me kampionët e Shqipërisë. 1-0 për Skënderbeun që kënaqet disi dhe moldavët përfitojnë për të dalë para, në minutën e 26 Shehit i duhet të tregojë se mbetet ai zot i zonës, ndërsa në të 29 portierin durrsak e shpëton vetëm shtylla në të majtë me Patras që driblon kundërshtarët dhe lëshon një goditje potente. Milsami përfiton të marrë menjëherë terrenin e lënë nga Skënderbeu dhe rrit presionin. Për të hequr syrin e keq por dhe për të bërë me zemër gjithë tifozët mendon Vangjeli me një gabim që kthehet në assist të artë për Belek, i cili del i vetëm para Portës por është Shehi që i thotë jo një goli të sigurt. Pjesa e pare mbyllet me Skenderbeun ne sulm dhe Josa e nis te dyten duke futur në lojë Leonid Abazin në vend të Eskuidrinhës. Salihi mbetet kërcënim konstat për moldavet dhe tenton sërish portën në asistin e Lilajt, por goli i konck outit vjen nga ai që ndoshta e kërkonte më shumë një rikonfirmim.
është Gerhard Progni, i futur në lojë vetëm për shkak të mungesës së Latifit ai që shënon golin e knock outit, falë pasimit fantastik të Vangjelit që e nxjerr para portës në të djathtë dhe tropojani bën gjithcka në perfeksion për golin e 2-0. Edhe një si Josa tani mund të marrë frymë lirisht ndërsa Takaj pret zyrtarisht urimet në tribunën VIP, në atë të tifozëve ka filluar oleja e famshme.
Hamdi Salihi tenton një tjetër mrekulli nga të tijat në gjysmërrotullim por këtë herë gjen shtyllën, ndërsa reagimi i Milsamit është i vakët, dhe në cdo rast Shehi është gati. Në minutën e 77 Berisha kthehet në një raketë në të majtë dhe i shërben një top goli Sabien Lilajt që nuk i del goditja e parë, me Berishën që në vrull e sipër përpiqet t’i japë edhe një shans të dytë. Minuta e 78 është momenti i lavdisë për Salihin, të gjithë në këmbë për sulmuesin shkodran që dëgjon stadiumin të brohorasë emrin e tij. Minutat e mbetura janë akademi e pastër me Skënderbeun që menaxhon pa problem dhe pret bashkë me tifozët vetëm vërshëllimën e trefishtë të Dias për të nisur festën e madhe bashkë me tifozët, historia është bërë këtu. Europë, Prite, Prite Skënderbenë. /Supersport/