NGA: REZARTA DELISULA
*Fatmir Gjeka është njeriu që u bë i njohur mediatik isht në Shqipëri, pasi guxoi që në qytetin shqiptar të Malit të Zi, t’i japë titullin “Qytetar Nderi” dy personazheve kryesore të politikës rajonale, Edi Ramës dhe Hashim Thaçit. Në intervistën për “Gazeta Shqiptare”, kryetari i Bashkisë së Ulqinit tregon detajet nga dreka me kryeministrin Rama e ish-kryeministrin Thaçi, batutat, bisedat për bashkëpunim dhe vështirësitë që hasi deri në realizimin e dhënies së titujve.
Ju jeni bërë shumë i njohur në Shqipëri pas dhënies së titullit “Qytetar Nderi” kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, sa e vështirë ishte realizimi deri në dhënien e titujve, duke qenë se jeni në një territor malazez?
Dhënia e titujve “Qytetar Nderi” është në kompetencë të komunës apo Bashkisë të Ulqinit dhe motivacioni nuk bie në kundërshtim me proceset e vlerat euroatlantike. Ndërsa për ne si shqiptarë, si pakicë në Mal të Zi, është shumë e rëndësishme të kemi një lidhje me Shqipërinë e Kosovën dhe ka shumë arsye që na shtynë ta bëjmë këtë. Një nga arsyet më të mëdha që kemi është se në 30 vite, turistët me numër më të madh janë nga Kosova, një numër shumë i madh të rinjsh studiojnë në Kosovë dhe po në Shqipëri kemi një numër të madh të studentëve që mësojnë dhe në gjeneratën e parë të studentëve nga trojet kam qenë dhe unë. Janë pra shumë lidhje që na shtynë ta bëjmë këtë, ndoshta dhe pak politike. Ne i kemi dhënë tituj edhe figurave të tjera politike, por në këtë moment Rama e Thaçi janë dy figurat më të spikatura. Shqiptarët e Malit të Zi duhet të jenë urë lidhëse mes Shqipërisë e Kosovës, për më tepër që Mali i Zi s’ka asnjë problem të pazgjidhur me dy shtetet shqipfolëse, madje atë ditë në ceremoni mori pjesë dhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanovi?. Po kështu, dua të theksoj se mesazhet që dhanë Edi Rama dhe Hashim Thaçi ishin nga më të rrallat që mund të japë ndonjë burrë shteti në Ballkan, mesazhe të miqësisë, bashkëjetesës, integrimit, bashkëpunimit dhe me thënë të drejtën, më shumë probleme kemi pasur ne mes njëritjetrit se me të tjerët.
Pikërisht në këshillin komunal ka edhe malazezë, po pse shqiptarët nuk donin, donin më shumë Sali Berishën?
Kishte mendime të ndryshme që unë i respektoj, por momenti që ne po flasim dikton që pikërisht s’kemi gabuar. Barra më e madhe më ra mua që e vendosa dhe pas shumë e shumë bisedash edhe me subjektet e tjera, vazhdoj të mendoj që veprimi ynë është një gjë e re që ka ndodhur në historinë moderne të Ulqinit e shqiptarëve të Malit të Zi. Shumë njerëz nuk e besonin se kjo do të ishte e mundur, madje nuk e besonin edhe kur ndodhi. Mbase edhe nga ndonjë frikë apo mossigurim nga rrjedhat politike.
Megjithatë, vetëm para pak muajsh ndaj ambasadës shqiptare të Malit të Zi ka pasur sulm me gurë, ndjeheshit i rrezikuar që e morët këtë hap?
T’ju them të vërtetën, frikën e kam hequr ngaherë prej vetes dhe gjithmonë kur nisëm të bëj një gjë të mirë, s’është nevoja të kem frikë. Pastaj në politikë duhet guxim gjithmonë, duke u nisur nga vullneti mirë. Shqiptarët e Malit të Zi kanë qenë faktor i rëndësishëm që në 1997, kur Mali Zi u nda nga Serbia deri te referendumi në 2006 dhe proceset që vazhdojnë sot për integrimin në NATO. Ne kemi qenë e jemi faktor i rëndësishëm dhe një nga shtysat më të forta, ku pa ne s’do ishte i mundur asnjë nga këto procese. S’do kishte Mal të Zi, pa votën e shqiptarëve. Sigurisht që dhe incidente ka pasur, por të lokalizuara. Gjithkund ka njerëz që mbajnë në vete ekstremizëm po janë të lokalizuar.
Ne kemi ndjekur me interes procesin e dhënies së titullit, por në fakt çfarë ndodhi në drekën që shtruat për ta, sigurisht që më shumë jam kurioze për kryeministrin e vendit tim?
S’është hera parë që jemi së bashku me Edin e Hashimin, që kur ai ka qenë herët kryetar i Partisë Socialiste. Normal që atë ditë ndenjëm më afër. Ka qenë një bisedë intime me batuta, humor me disponin të dy personazheve.
Ndonjë detaj duam?
Ajo që dominoi ishin dollitë që i kemi çuar gjatë drekës në qytetin e vjetër, ku Edi Rama ngriti rreth 7 dolli pa ndaluar, një dolli për gratë, për kryetarin, për Hashimin e me radhë dhe kjo gjë na pëlqeu të gjithëve.
Ndonjë batutë e kryeministrit tonë se shquhet për to?
Batuta ishte për ulqinaket. Nisur nga kënga “M’ka shku menja me u fejue e me marr një ulqinak…”. Ai e ktheu në ulqinake e tha: “Ishalla s’po na zë i ziu merak me ndonjë ulqinake”.
Përveç batutave, diskutuat për ndonjë bashkëpunim real mes Tiranës e Ulqinit?
Pas kësaj lidhjeje mes Tiranës zyrtare e Ulqinit s’ka më barriera dhe për çdo kërkesë do i kemi dyert e hapura dhe kryeministri Rama na e ofroi këtë.
Në fakt, ne e shohim ende revolucion këtë që bëtë ju, po kush jeni ju, i vetmi detaj që zbulova gjatë intervistës është që jeni shkolluar në Shqipëri, kush është Fatmir Gjeka?
Unë rrjedh nga një familje tradicionale ulqinake shqiptare, ndoshta e edukuar fort në këtë prizëm, jo nacionalizëm ekstrem, por me një edukim puro shqiptar. Jam rritur në një familje shumë të madhe që ka kontribuar shumë për shqiptarët dhe ashtu u edukuam të gjithë, brez pas brezi. Një pjesë e familjes sime, mbi 20 anëtarë jetojnë në Kosovë, një pjesë këtu. Unë jam shkolluar në Shqipëri, kam kryer Ekonomikun në vitet ’93-’97 dhe kam qenë pjesë e gjeneratës së parë të shqiptarëve të Malit të Zi që erdhën aty, duke kaluar ilegalisht kufirin për 4 vjet. Në fakt, ka qenë periudhë e bukur dhe e gjithë ajo gjeneratë është edukuar shumë mirë me tolerancën dhe kjo na ndihmoi shumë.
Pasi mbaruat studimet?
Iu përkushtova politikës direkt që në vitin 1998. U regjistrova nëUnionin Demokratik Shqiptar, pastaj u formua subjekti i ri, Partia Demokratike, ku zgjidhem kryetar dhe në zgjedhjet e para parlamentare, deputet në Kuvendin e Malit të Zi. Faktikisht dy parti futen në parlament, ne dhe Forca e Re. Këtë funksion e mbajta nga 2012-2014, ku më pas në shkurt po të 2014- ës marr postin e kryetarit të Komunës së Ulqinit, post që e mbaj ende. Me këtë profesion jam i kënaqur, i mbushur dhe ndjehem mirë kur i shërbej komunitetit. Kemi bërë shumë gjëra të mira, duke thyer tema dhe tabu si kjo e dhënies së çmimeve. Po kështu ishte dhe organizimi i “Miss Shqipëria” në kalanë e Ulqinit dhe kjo teme ka qenë tabu jo vetëm për malazezët, por dhe për ne, sepse ishte hera e parë që ky spektakël dilte jashtë Shqipërisë. Atëherë unë mora kritika edhe nga opozita për zhvillimin e këtij spektakli deri në momentin kur u realizua. Më pas morëm shumë lëvdata, edhe nga ata që e panë me sy skeptik. Pastaj nata finale e “Videoklipit shqiptar” të realizuar në pallatin e kulturës së Ulqinit dhe që propozuam që kjo natë finale të bëhet gjithmonë në Ulqin dhe besoj se ulqinakët e mirëpresin. Por ajo çka na pret është se si do rreshtohen subjektet shqiptare në zgjedhjet parlamentare që na presin.
Kur do të zhvillohen zgjedhjet?
Ne jemi në vitin zgjedhor. Ende s’ka një datë, por ose në fund të këtij viti, ose në fillim të 2016.
Ju do jeni në lista për deputet, apo më mirë do preferonit të ishit deputet apo kryetar bashkie?
Po duke qenë një person që kam marrë përgjegjësi të tilla edhe më parë, për mua s’ka ndonjë ndryshim. Unë jam i gatshëm për çdo sfidë për të marrë përgjegjësi para subjektit e votuesve për përfaqësimin dinjitoz. Dhe kemi shumë punë për të bërë për shqiptarët e Malit të Zi, sidomos integrimin e tyre në institucionet shtetërore. Ju keni një normativë, siç u vendos në Marrëveshjen e Ohrit për Maqedoninë të paktën, ku një në dy punonjës në administratë duhet të jenë shqiptarë. Ne nuk kemi një normativë të tillë, por e kërkoj vazhdimisht të jemi të përfaqësuar dhe në nivelet institucionale shtetërore.
Sa është popullsia e Malit të Zi dhe sa janë shqiptarët?
Mali i Zi ka 600 mijë banorë dhe ne jemi 7 për qind, diku te 42 mijë banorë, ndërsa me regjistrimin e fundit e ulin këtë shifër në 5 për qind.
Ju jeni pjesë e Partisë Demokratike, a keni lidhje me PD e Shqipërisë?
Po, kam qenë i thirrur dhe kam pasur rast të takohem dhe me Berishën e Lulzim Bashën.
Si i shihni politikanët shqiptarë, Ramën, Berishën, Bashën?
(Qesh) Unë i shoh me sy të njëjtë, duke qenë se marrëdhënia jonë është reciproke, komunikuese. Ne nuk mund të jemi tifozë. Nga pjesa njerëzore dhe me Bashën kemi biseduar gjatë para disa vitesh, ndërsa Berisha i përket klasës më të vjetër, që ka më shumë stazh në politikë dhe njerëzit mund të mësojnë nga ai. Por gjithsecili nga këta është për t’u vlerësuar.
Ju sa banorë keni në Ulqin? Në dimër 20-22 mijë vetë, ndërsa në verë shkojmë mbi 100 mijë. Jeni pikë turistike dhe afër nesh, si e keni administruar turizmin?
Lashë pa të treguar pak për arsyen e dhënies së çmimit Ramës e Thaçit. Këtë pyetje ma bënë dhe mediat malazeze, se pse i bëra ata “Qytetar Nderi” dhe unë i thash po ato arsye qe ju dhashë edhe ju, atë që fiton Mali zi. Shqiptarët janë 15 vite turistët kryesorë në dimër në Zhabjak e Kolashinë, 90 për qind po ashtu në Budva. Ka pasur edhe njerëz që kanë pasur frikë, po kjo temë tabu u thye dhe njerëzit sot s’kanë më frikë për të komunikuar e lëvizin lirshëm. Për sa i përket Ulqinit e turizmit, Ulqini ka traditën më të madhe nga të gjitha zonat bregdetare në ish-Jugosllavi. Ne kishim shumë hotele dhe turistë nga Gjermania që nga viti 1975 që ishte lulëzimi e deri kur filloi lufta rreth nesh, por Mali i Zi ka qenë faktor stabiliteti. Pas viteve ’90 pati një bum të madh turistësh nga Kosova dhe pa marr parasysh sfidat ekonomike, unë jam i bindur që është koha e Ulqinit. Kam shëtitur gjithkund, por natyrën që ka Ulqini s’e gjej askund dhe këtë e tregon numri i madh i turistëve. Vjet për shembull, kishim dhe rënie të energjisë nga kapaciteti madh i turistëve. Rekordet i thyem ditët e para të majit, kur bëmë hapjen e sezonit dhe kishim numrin më të madh të mysafirëve. Ne kemi gjithashtu një organizatë turistike në komunë, që merr pjesë në aktivitetet ndërkombëtare dhe panaire, duke na bërë të njohur në të gjithë botën.
Prekët pak më parë lulëzimin e ish-Jugosllavisë e më kujtohet para disa vitesh kur kam ardhur në Ulqin, një shqiptar mbante në dyqanin e tij foton e Titos, çfarë keni bërë ju që kjo foto të hiqet duke u rikthyer ekonominë e mirë ulqinakëve?
Faktikisht ka ende disa nostalgjikë që e ruajnë. Figura e tij ka mbetur te të gjitha kombësitë e ish- Jugosllavisë si figurë që ai sistem (përveç komunizmit që s’mund të jetë i mirë), ishte sistem liberal, që prona nuk iu mor njerëzve, nuk iu morën as hotelet, fermat, dhe parulla në kohën e tij ka qenë: të gjitha kombësitë të barabartë.
Jetohet mirë në Ulqin?
Patjetër. Unë s’do kisha zgjedhur qytet tjetër për të jetuar. Ulqini është qyteti më i qetë në Malin e Zi e më i qeti dhe në rajon. Veprat penale rrallë ndodhin, ose të themi drejt, janë çudi të ndodhin. Vetëm vitet e fundit kemi pasur pak rënie ekonomike, një rënie që u ndie kudo në rajon, por unë mendoj se vite më të mira na presin. Rruga që lidh kufirin po vazhdon, këtë vit do të zbatojmë një investim prej 25 milionë euro për ujësjellës e kanalizime, ndërkaq kemi përgatitur të gjitha procedurat ligjore për ndërtimin e disa hoteleve dhe jemi në pritje të investitorëve. Mendoj që gjithë këto punë do krijojnë hapësira të reja pune dhe do rrisin nivelin ekonomik.
Sa është papunësia?
Në verë kemi nevojë për krah pune nga jashtë, ndërsa në dimër jemi komuna bregdetare që ka papunësinë më të madhe, edhe pse kemi njerëz shumë të shkolluar.
Cilat janë ambiciet tuaja?
Këto që ceka unë, zhvillimin, të favorizojmë potencialin, gjë që janë të lidhura me politikën. Po kështu dua që shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme të jenë të bashkuar në një kolonë që është gjë shumë e vështirë, por jo e pamundur. Jam i bindur dhe jetoj t’i shoh të gjithë bashkë, sepse ne kemi potencial politik për t’u futur në qeveri, sepse në këtë formë do u shërbejmë shqiptarëve e proceseve.
Ne kemi marrëveshje me Kosovën për njohjen e pensioneve të punonjësve të ndërsjellë, ju e keni diskutuar një gjë të tillë?
Kemi punësime të tilla, sidomos nga Shqipëria që punojnë në Ulqin po edhe nga Mali i Zi dhe kjo është një gjë e mirë për të gjithë.
Kjo është marrëveshje ministrore, por mund të bëhet me ndikimin tuaj?
Duhet patjetër ta bëjmë, sepse duhet t’i heqim barrierat.
Detajet e ceremonisë së muajit prill që ka lënë tek ai mbresa, Gjeka i sjell në suplementin “Summer Pages”.
(ed.me/BalkanWeb)