Shkruan prof. Dr Jahja Drançolli, Fakulteti filozofik, Prishtinë
Pllaka me shkronja (shih fotografinë) gjendet në murin e kishës kryesore ose në bazilikën e kompleksit të Abacisë benediktine të Rotecit (rrethi i Tivarit), që zotëron tri kisha të shoqëruara me klaustrin dhe kullën në rrënojë. Kisha më e vjetër e këtij kompleksi daton nga shek. XI. Afër saj është gjendur kapela më e vogël, e cila ishte e harkuar, dhe ka kripten, që dmth ishte memorie e ndonjë personaliteti të lartë kishtar të Argjipeshkevisë së Tivarit ose bashkësisë së kuvendeve benediktine. Kisha më e madhe kushtuar Zonjës Mëri ishte trinefshe me absidë në mes, në trajtën drejtkëndor, ishte e rëndësishme sipas sistemit të zëvendësimit proporcional të renditjes së gurëve me ngjyra të ndritshme dhe të errëta, diçka e ngjashme edhe me deko-rimin proporcional të jashtëm të Manastirit të Deçanit, të cilin sipas stilit të ngjashëm në gjysmën e parë të shek. XIV e kishin ndërtuar mjeshtër arbnorë (siç në atë kohë i quajshin shqiptarët) nga Kotorri, Tivari dhe Raguza.
Pllaka i dedikohet abatit benediktin të Abacisë së Rotecit, Palë Rugjerit dhe daton nga viti 1347. Rrasa është shkruar në gjuhë latine të stilit gotik dhe është ruajtur mirë. Si e tillë pas transkribimit dhe transliterimit lexohet kështu:
A(n)NO D(omi)NI MIII
XLVII A II XXI
DIE SEPTEN
BRO FVUNDATA
FVIT IN TE(m)PORE
ABATO PAVLO
RVGERII ECL(esi)A
Përkthimi i lirë i shkrimit në rrasë nga gjuha latine:
Më 21 shtator të Vitit të Zotit 1347, është ndërtuar Kisha në kohën e Abatit Palë Rugjeri.
Pra, Palë Rugjeri konsiderohet si abat i parë i Abacisë së Rotecit. i cili ka ndërtuar një objekt të kuvendit (manastirit) të Rotecit. Nuk jemi në dijeni për origjinën e abatit Rugjeri, por s’ka dyshim se ai ka qenë prift katolik, dhe se abacia në atë kohë, por edhe gjatë gjithë kohës para sundimit turk ka qenë e ritit katolik si pjesë përbërëse e argjipeshkvisë së Tivarit, si dhe në lidhje të ngushtë edhe me argjipeshkvinë e Dubrovnikut, të dyja këto argjipeshkvi katolike, për të cilat askush nga studiuesit nuk ka pasur guximin t’i quante kisha ortodokse. Në këtë kontekst është konsideruar edhe Abacia e Rotecit si abaci katolike arbërore (pra shqiptare). Aq më parë kur dihet se aty pas vdekjes së Palë Rugjerit në vitin 1367, nga Papa Urbani V emërohet për abat Aleksi (Leka, Alleshi, Lleshi), një benediktin nga Arbanumi (Kruja e sotshme).
Gjatë viteve 1436-1463 ishte abat Gjergj Pelini nga Novobërda (Georgius Pellino, de Novo-monte), njëri nga ambasadorët më të njohur të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. /Revista Buzuku/