
Nga Luljeta Avdiu – Cura
Në historinë e arsimit shqip ka emra që kanë lënë gjurmë të thella. Një prej tyre është Fadil Ramazan Sala, arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe, i cili për më shumë se katër dekada i ka shërbyer dijes, nxënësve dhe komunitetit me përkushtim dhe ndershmëri profesionale.
I lindur më 1948 në Shtodër, në trevën e Anës së Malit, Fadil Sala që në moshë të hershme u dallua për rezultate të shkëlqyera në shkollë dhe sjellje shembullore. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm bujqësor në Prishtinë, ku u formua jo vetëm profesionalisht, por edhe shpirtërisht, në një kohë kur arsimi ishte sfidë dhe sakrificë.
Studimet universitare për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i vijoi në Prizren, ku u dallua si student i përkushtuar dhe aktiv në jetën akademike, duke u zgjedhur edhe kryetar i rinisë studentore. Pas përfundimit të studimeve, u kthye në vendlindje, duke zgjedhur rrugën e shërbimit ndaj komunitetit përmes arsimit.
Në vitin shkollor 1970/1971 nisi punën si arsimtar në shkollën fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë. Që në fillim, ai u shqua për metodikë të qartë, korrektësi dhe përkushtim maksimal ndaj nxënësve. Megjithatë, rruga e tij profesionale nuk ishte e lehtë. Në vitin 1973, gjatë shërbimit ushtarak, u përball me ndjekje dhe akuza politike për shkak të literaturës profesionale dhe lidhjes së tij me kulturën shqiptare, duke u dënuar me gjashtë muaj burg me kusht nga Gjykata e Titogradit.
Kjo përvojë, siç ka rrëfyer vetë, la pasoja psikologjike dhe profesionale, por nuk e ndali. Përkundrazi, pas rikthimit nga shërbimi ushtarak, Fadil Sala iu kthye arsimit edhe më me shumë përkushtim. Ai u bë shembull i arsimtarit të qetë, të përgatitur dhe kërkues, i cili edukon jo vetëm me fjalë, por përmes shembullit të vet.
Për dekada me radhë, ai punoi në kushte të vështira, përballë mungesës së teksteve dhe reformave të shpeshta arsimore, por gjithnjë me bindjen se arsimi është themeli i shoqërisë. Nga këshillat pedagogjike dhe kolegët është vlerësuar vazhdimisht për profesionalizmin, korrektësinë dhe ndikimin pozitiv në formimin e brezave të rinj.
Sot, emri i Fadil Ramazan Salës mbetet i lidhur ngushtë me arsimin dhe kulturën shqiptare në trevën e Anës së Malit, si një figurë që dëshmon se dijes i shërbehet me durim, ndershmëri dhe përkushtim të përditshëm.
“Shtodri në breg të Bunës”, një monografi me vlera të shumëfishta
Fadil Sala është autor i monografisë “Shtodri në breg të Bunës”. Librin e përfundoi në vitin 2013, para daljes në pension. Monografia është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.
Libri përbën një monografi me vlera të shumëfishta historike, etnografike dhe dokumentare, e cila i kushtohet një vendbanimi të vogël, por me një trashëgimi të pasur kulturore e historike. Vepra është një përpjekje serioze për të shpëtuar nga harresa kujtesën kolektive të Shtodrit, një fshat i Anës së Malit i vendosur në bregun e lumit Buna, në një zonë kufitare ku historia, gjeografia dhe politika janë ndërthurur vazhdimisht.
Që në parathënie, autori e bën të qartë motivin kryesor të shkrimit: mungesën e burimeve të shkruara për Shtodrin dhe nevojën për të dokumentuar të kaluarën, përpara se ajo të humbasë përgjithmonë nga shuarja e kujtesës brezore. Ky dimension e bën librin jo vetëm një vepër studimore, por edhe një akt moral e kulturor ndaj vendlindjes.
Nga ana strukturore, monografia është ndërtuar në mënyrë kronologjike dhe tematike. Autori trajton pozitën gjeografike të fshatit, etimologjinë e emrit Shtodër, historinë e vendbanimit të vjetër, zhvillimet historike të shekujve XIX–XX, ndikimin e kufirit shtetëror, jetën fetare, arsimin, popullsinë dhe aspektet e jetës së përditshme. Kjo qasje e gjerë e bën librin një pasqyrë të plotë të jetës së fshatit në dimensionin kohor dhe shoqëror.
Një nga vlerat kryesore të veprës është përdorimi i burimeve të ndryshme: dokumente historike, studime shkencore, kujtime personale, rrëfime të të moshuarve dhe dëshmi gojore. Autori arrin t’i ndërthurë këto burime në mënyrë funksionale, duke krijuar një narrativë që ruan seriozitetin shkencor, por njëkohësisht mbetet e kuptueshme dhe e afërt për lexuesin e zakonshëm.
Veçanërisht i goditur është trajtimi i jetës kufitare dhe pasojave që kufiri i Bunës ka pasur mbi banorët e Shtodrit. Përshkrimet e frikës, dhunës, izolimit dhe represionit e kthejnë librin në një dëshmi të rëndësishme historike për jetën në zonat kufitare shqiptare gjatë shekullit XX. Këto pjesë nuk janë thjesht rrëfim faktik, por mbartin edhe ngarkesë emocionale dhe njerëzore, duke e bërë tekstin të gjallë dhe autentik.
Një tjetër aspekt me vlerë është dokumentimi i jetës fetare, i xhamisë dhe i varrezave, si dhe i arsimit në gjuhën shqipe. Këto kapituj dëshmojnë për rezistencën kulturore dhe identitare të banorëve, të cilët, pavarësisht kushteve të vështira historike dhe politike, kanë ruajtur gjuhën, fenë dhe traditat e tyre.
Në planin stilistik, gjuha e përdorur është e thjeshtë, e qartë dhe e drejtpërdrejtë, pa ngarkesa të panevojshme retorike. Kjo i shërben qëllimit dokumentues të librit. Në disa raste, teksti merr formë rrëfimtare, çka e afron lexuesin me jetën reale të personazheve dhe ngjarjeve të përshkruara.
Në përfundim, “Shtodri në breg të Bunës” është një vepër me rëndësi të veçantë për historiografinë lokale dhe për kulturën shqiptare në Mal të Zi. Ajo nuk është vetëm histori e një fshati, por edhe histori e qëndresës, e kujtesës dhe e identitetit shqiptar në një hapësirë kufitare. Libri i Fadil Salës mbetet një thirrje për brezat e rinj që ta njohin, ta ruajnë dhe ta vazhdojnë dokumentimin e trashëgimisë së tyre kulturore.
/Marrë nga Koha Javore/
