Shtresimet historiko – legjendare lidhur me Krajën e Sipërme (3)

Prof. Dr. Bahri Brisku

Me këtë rast ne po cekim edhe disa shembuj që gjenden në hapësirën tonë tnike, të cilët e kanë marrë emërtimin e tyre sipas zanatit.

Priftaj (Popoviq) në Arbnesh të Krajës. Hoxha sipas zejes së besimit islam – hoxhë. Bibaj, katundi afër Ferizajit në Kosovë; Muçaj sipas zejes së detarisë; Pula në Kosovë, sipas pularisë që kanë patur dikur; mbiemri Sahatçiu, sipas mjeshtërisë së sahatave; Pëllumbaj, merreshin me kultivimin e Pëllumbave; Molla dhe katundet me emërtim Mollë etj.

Për katundin Brisk dikur është thënë që emërtimi i tij rrjedh nga termi brijë – brinjë toke, rrip i ngushtë! Sikur të vërehet mirë, konfigurimi i katundeve të tërë Krajës është i sajuar me brinja tokash. Pra, nuk përthekon logjikë e domosdoshme që Brisku, emërtimin e vet, ta ketë nga Brinjat e tokës në të cilat ndodhet ky katund e që janë të njinjishme me konfigurimin e tërësishëm të Krajës së Sipërme! Përveç armëve të ftohta si heshta, shpata etj., është dëshmuar që në furkatoret e Briskut janë krijuar edhe mjetet më të lashta të mbrojtjes – shigjetat. Ky lloj farkimi ka mbetur në kujtesën e popullit, të cilën gjerësisht na tregoi veprimtari i kësaj ane – Zef Brisku, i cili aktualisht banon në Ulqin. Ne kësaj radhe nuk do të merreshim me këtë çështje sikur të mos të hasnim në një të dhënë interesante historike.

Në veprën “Crnogorsko Primorje i Krajina” të studiuesit Andrija Joviqeviq, i cili në faqen 68 të këtij studimi shkruan që më 1959 mërkoviqasit sipas historianit të njohur – Jeriçekut gjatë luftës kundër venedikasve, si armë të tyre kanë përdorur edhe shigjetat e prodhuara nga metali adekuat. Në vazhdim të këtij teksti thuhet që për efikasitet të suksesshëm për zhdukjen e armiqve me anë të këtyre, gjilpërat e shigjetave vendasit i helmonin me një lloj helmi që e përfitonin nga barishtet e vendit.

Supozojmë pasi që Mërkoviqi gjendet në afërsi të Briskut e Shestanit, në anën tjetër të Rumisë, nuk përjashtohet fakti që shigjetat e tilla do të jenë farkuar në furkatoren e Briskut. Këtë fakt e begaton rasti i gjetjes së një pjese të një lloj shigjete në rajonin e Briskut.

Duke u nisur nga llojllojshmëria e eksponateve që janë gjetur deri më tani në rajonin e Krajës së Sipërme, nëse krijohen mundësitë materiale që të bëhen gërmime arkeologjike në afërsi të një mori rrënojave, edhe në emërtimet e qytezave të kësaj hapësire etnografike do të hasim në eksponate kualitative, me të cilat do të ndriçohen fuqimisht rrezatimet e etnosit tonë shqiptar në këtë anë. Gjithsesi pasi një lagje e tërë e Briskut është marrë edhe me prodhimin masiv të brisqeve, mbetet çështje e përfunduar e zanafillës, prejardhjes së mikrotoponimit Brisku nga prodhimi i këtij mjetit prehës, i cili prodhohej me dorezë të drurit dhe nga brirët e dhive dhe të edhave të rritur. Lidhur me mjeshtrinë e farkëtarëve të Briskut, kemi gjetur te një pronar i familjes Farkaj (Kovaçi) një kullë hekuri në të cilin farkëtarët i jepnin veglës formën e saj. Kulla në fjalë është një eksponat shumë i lartë. Më qëllim që të caktohet koha e prodhimit të saj, pronari e ka dërguar në analizë shkencore. Sipas formës, gjendjes fizike dhe legjendës lidhur me këtë vegël parësore të farkëtarëve të Briskut, është fjala për një eksponat muzeal shumë të lashtë. Atje një rrugicë quhet Rruga e Farkajve.

Supozojmë që edhe ky objekt plotëson tezën që Brisku është katund me traditë të lashtë të përpunimit të hekurit dhe se emërtimi i tij na vjen nga një vegël prodhuese e tyre që në këtë rast kemi të bëjmë me prodhimin e thikave dhe brisqeve. Kështu edhe katundi Gështenjë e ka marrë këtë toponim në bazë të prodhimit masiv të kësaj peme – gështenjës. Ashtu si Brisku që u emërua me emrin e prodhimit të vet – brisqeve dhe derivateve të tjera lidhur me këtë, kështu e
kanë marrë emrin edhe shumë katunde të Krajës. Një veti e tillë tradicionale hedh dritë në faktin që ky rajon etnik shqiptar merrej me shumë mjeshtri që ishin të shpërndara në tërë Krajën. Me këtë rast po i cekim dy katunde të tilla që e kanë marrë emërtimin ashtu si Brisku, sipas prodhimit të zejes së vet.

Katundi i Kacajve, të cilët prodhonin kaca, sheke vere dhe djathi. Të gjithë banorët e katundit mbajnë mbiemrin Kacaj. Gjithashtu në Krajën e Poshtme, në Arbnesh gjendet lagja e Çekajve – Çekanëve, të cilët merreshin me farkëtari si ata të Briskut. Kjo lagje e ka marrë emërtimin sipas çekanëve me të cilët farkonin hekurin. Tërë familjet e kësaj lagjeje edhe sot e mbajnë emrin Çekaj – Çekanë, ashtu si Brisku nga farkimi i brisqeve. Në bjeshkë mbi Ljare gjendet një toponim me emërtimin Shpella e Harushës që vërteton se dikur në këto bjeshkë ka patur arinj, për të cilën ekzistencë na flet edhe poeti Don Ndre Mjeda, ku për veshjen kranjane thotë se ishte “Vesh e njesh me lëkurë harushe…!” Në kohën e lashtë, Kraja me popullsi ka qenë më e madhe se Tivari e Cetina e atëhershme. Dispononte me 30 kishë. Ekzistimi i tyre si tempuj të besimit të vjetër – katolik shqiptar hedh poshtë tezat e disa pansllavistëve për ekzistimin e etnosit sllav në këtë hapësirë arbërore.

Temë nga projekti “Fol, shkruaj dhe përdore gjuhën tënde, gjuhën shqipe” –  Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2025”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

By admini