Ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve në fushën e arsimit

Nga Ismet Kallaba*

Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar gjatë muajve të fundit një sërë ndryshimesh dhe plotësimesh të ligjeve që rregullojnë fushën e arsimit, me qëllim të avancimit të procesit mësimor dhe standardeve në këtë fushë. Në mesin e tyre bëjnë pjesë edhe Ligji i përgjithshëm i arsimit dhe edukimit si dhe Ligji për njohjen e dokumenteve arsimore ndërkombëtare dhe barazimin e kualifikimeve.
Edhe pse realisht ka ekzistuar nevoja për ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve që rregullojnë fushën e arsimit, një pjesë e tyre, sidomos Ligji mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për njohjen e dokumenteve arsimore ndërkombëtare dhe barazimin e kualifikimeve i prek drejtpërdrejt studentët që i përfundojnë studimet jashtë Malit të Zi dhe e vështirëson procedurën e njohjes së diplomave të tyre. Në rastin konkret, ata që goditen më së shumti janë studentët shqiptarë nga Mali i Zi, të cilët i kryejnë studimet në gjuhën shqipe në universitetet e vendeve të rajonit. Praktikisht, ky ligj përbën kthim mbrapa, në periudhën para ligjit që deri tani ka qenë në fuqi, sepse për barazimin e kualifikimit studenti i duhet nënshtruar një komisioni pranë fakultetit përkatës në Malin e Zi, i cili ofron të njëjtin program studimi apo programin e ngjashëm me atë që studenti ka kryer në një institucion të arsimit të lartë jashtë vendit.
Edhe pse nuk thuhet shprehimisht në arsyetimin për nevojën e ndryshimit dhe plotësimit të këtij ligji, një ndër qëllimet e tij është ndalimi i diplomave false, që sipas burimeve të ndryshme në Mal të Zi janë mbi 20 mijë, të fituara në mënyrë të jashtëligjshme në vendet e ndryshme të rajonit. Por përkundër këtij qëllimi fisnik që duhet përshëndetur, pyetja që shtrohet është se nëse këto ndryshime do të parandalojnë diplomat false në të ardhmen dhe pse duhet të vuajnë dhe trajtohen në të njëjtën mënyrë edhe ata që i kanë kryer studimet në mënyrë të rregullt dhe të ligjshme?!

Redaksinë e gazetës sonë e kanë kontaktuar disa studentë dhe prindër, të cilët kanë shprehur pakënaqësi dhe shqetësime për këto ndryshime, sepse kanë filluar të ballafaqohen me pasojat e këtyre ligjeve. Ndonëse e kanë bërë njohjen e diplomës, disa kandidatë shqiptarë nuk kanë mundur t’i nënshtrohen dhënies së provimit profesional, pa e bërë barazimin e kualifikimit (diplomës). Për ta bërë këtë, atyre u duhet të paraqesin si dëshmi pranë komisionit të ngritur në fakultetin përkatës programin e studimit dhe planprogramet mësimore (syllabuset) e lëndëve. Kjo kërkesë e ligjit të ri i prek më së shumti studentët të cilët i kryejnë studimet në gjuhën shqipe, sepse planprogramet mësimore të lëndëve duhen të përkthehen në gjuhën malazeze. Një prind ka treguar se fëmija i tij ka paguar 1 000 euro për përkthimin e 100 faqeve të planprogrameve të lëndëve, krahas sorollatjeve të ndryshme në dyert e universiteteve dhe fakulteteve. Ndërsa disa studentë të tjerë kanë treguar se iu duhet të përkthejnë planprogramet mësimore, që në total arrijnë mbi 300 faqe, që do të thotë se vetëm për përkthimin e tyre duhet të paguajnë minimum 3 000 deri në 4 500 euro!
Por përpos efektit dhe pasojave financiare, ndryshimet e këtij ligji mund të kenë pasoja për studentët e ardhshëm, të cilët, për arsye të shmangies së këtyre peripecive pas kryerjes së studimeve, vendosin që studimet t’i kryejnë në Mal të Zi në gjuhën malazeze, pavarësisht dëshirës për t’i kryer ato në gjuhën amtare (shqipe).  

Pyetja që lind vetvetiu është se ku ishin deputetët shqiptarë kur u miratuan këto ligje në Kuvendin e Malit të Zi? A i kanë lexuar ato dhe a i kanë parashikuar pasojat? Apo, si duket, kanë pasur punë më të rëndësishme?! Përpos kësaj, partitë shqiptare janë po ashtu të përfaqësuara në Qeverinë e Malit të Zi dhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, e cila është përgjegjëse për arsimin.

*Marrë nga Koha Javore

By admini