
Moment kyç për Kosovën dhe shqiptarët në rajon
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka uruar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me rastin e fitores në Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare të vitit 2025 në Republikën e Kosovës, duke e cilësuar këtë rezultat si një moment kyç për të ardhmen e shtetit kosovar, transmeton Ulqini Online.
Në mesazhin e tij të urimit, Nimanbegu thekson se kjo fitore dëshmon besimin e thellë të qytetarëve të Kosovës në vizionin dhe programin politik të Kurtit, si dhe shënon një nivel më të lartë të vetëdijes politike dhe angazhimit qytetar në proceset demokratike të vendit.
Sipas tij, rezultati zgjedhor reflekton qartë përkushtimin për forcimin e shtetit të Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë qytetarët. Nimanbegu nënvizon se ky mandat i ri kërkon vizion, përgjegjësi dhe angazhim të vazhdueshëm për avancimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon.
Një rëndësi e veçantë, sipas kryetarit të Ulqinit, i jepet edhe perspektivës euroatlantike të Kosovës, të cilën ai e konsideron themel të zhvillimit të qëndrueshëm dhe sigurisë afatgjatë të vendit. Në këtë kontekst, fitorja e Vetëvendosjes shihet si një mundësi e re për forcimin e rolit ndërkombëtar të Kosovës.
Nimanbegu thekson gjithashtu se ky sukses krijon hapësirë për një angazhim më të madh institucional ndaj shqiptarëve në Mal të Zi, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje.
Në fund të urimit, ai shpreh, në emrin e tij personal dhe të Komunës së Ulqinit, dëshirën për suksese në përmbushjen e pritshmërive të qytetarëve të Kosovës dhe shpreh bindjen se kjo fitore do të shërbejë si katalizator për një të ardhme më të begatë për Kosovën, qytetarët e saj dhe për mbarë shqiptarët.
