Të hënën në hotelin Mediteran në Ulqin, u mbajt kokteji tradicional i fundvitit, ku përfaqësues të institucioneve lokale, punonjës të administratës, përfaqësues të shërbimeve publike dhe mysafirë të shumtë festuan përfundimin e vitit 2025.

Me këtë rast, nga faqja zyrtare e Komunës së Ulqinit mësohet se u theksua se viti që po lëmë pas nuk ka qenë i lehtë, por pavarësisht sfidave, institucionet dhe qytetarët e Ulqinit arritën të përballen me sukses falë bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët. Mesazhi kryesor i këtij takimi ishte se sfidat u kapërcyen dhe se suksesi u arrit së bashku, shkruan Ulqini Online.

U shprehën falënderime të veçanta për të gjithë punonjësit dhe zyrtarët që kanë kontribuar gjatë vitit në shërbim të qytetit dhe qytetarëve, duke ndihmuar që Ulqini të jetë më i mirë, më i sigurt, më i pastër dhe më i bukur. Po ashtu, u vlerësua mbështetja e institucioneve qendrore, falë së cilës gjatë vitit 2025 u garantua një nivel i lartë rendi dhe sigurie.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe punës së institucioneve lokale, të cilat, sipas vlerësimeve, kanë qenë aktive dhe të palodhura gjatë gjithë vitit, si në sezonin dimëror ashtu edhe në atë veror. Kjo ka bërë të mundur që qyteti të përballojë me sukses një sezon turistik shumë të mirë dhe të hyjë në vitin 2026 me pritshmëri edhe më të mëdha.

Në fjalimet e mbajtura u theksua se menaxhimi i një qyteti si Ulqini, me rreth 20 mijë banorë, paraqet sfida të veçanta gjatë sezonit turistik, kur numri i njerëzve në qytet rritet në mbi 100 mijë në ditë. Kjo kërkon përgatitje dhe angazhim maksimal gjatë gjithë vitit.

U vlerësua kontributi i Veprimtarive Komunale, Ujësjellësit dhe Kanalizimit, policisë, institucioneve të drejtësisë, shërbimeve të zjarrfikësve, policisë komunale si dhe ekipeve pranë kabinetit të Kryetarit, të cilat kanë qenë në shërbim 24 orë në ditë për qytetin dhe turistët.

Falënderime të veçanta iu drejtuan edhe qytetarëve të Komunës së Ulqinit për durimin dhe mirëkuptimin e treguar gjatë realizimit të investimeve në territorin e komunës. Sipas vlerësimeve, kjo dëshmon gatishmërinë e qytetarëve për ndryshime pozitive dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Në fokus për vitin 2026 mbeten përmirësimet në infrastrukturë, ujësjellës, kanalizime, ndriçim publik, parqe dhe parkingje, me synim përmbushjen e nevojave të qytetarëve dhe rritjen e besimit në institucione.

Në fund, u shpreh mirënjohje për diasporën ulqinake, e cila vazhdimisht ka qenë përkrah qytetit, si në kohë të mira ashtu edhe në periudha të vështira, duke kontribuar dhe investuar në zhvillimin e tij.

Një mesazh falënderimi iu drejtua edhe turistëve të shumtë që vizituan Ulqinin gjatë vitit, me zotimin se qyteti do të vazhdojë të ruajë trashëgiminë e tij historike, kulturore dhe turistike, duke synuar që viti 2026 të jetë edhe më i mirë në cilësi shërbimi, pastërti, rend dhe siguri.

By admini