
Kuvendi i Komunës së Ulqinit ka miratuar Buxhetin për vitin 2026 në vlerën prej 23.862.000 euro, i cili shënon një rritje prej gati 25 për qind krahasuar me buxhetin e planifikuar për vitin 2025, duke konfirmuar një qasje të qartë zhvillimore dhe një hap të rëndësishëm fiskal të vetëqeverisjes lokale.
Sipas njoftimit nga Kabineti i Kryetarit të Komunës së Ulqinit, struktura e buxhetit reflekton orientim të fortë drejt investimeve kapitale, të cilat përbëjnë rreth 30 për qind të buxhetit total, ndërsa shpenzimet korrente përbëjnë pak më shumë se 40 për qind, çka dëshmon për fokusin në projekte afatgjata me interes publik, shkruan Ulqini Online.
Një pjesë e konsiderueshme e rritjes së shpenzimeve korrente lidhet me themelimin e dy ndërmarrjeve të reja publike: Ndërmarrjes për menaxhimin e Kripores së Ulqinit dhe Ndërmarrjes Publike Transporti Urban, të cilat pritet të përmirësojnë ndjeshëm shërbimet komunale dhe funksionalitetin urban.
Me buxhet janë planifikuar gjithashtu mjete për transformimin e Agjencisë për Zhvillim dhe Ndërtim të Ulqinit në agjenci komunale për përgatitjen e dokumenteve të detajuara urbanistike, në përputhje me legjislacionin e ri.
Buxheti për vitin 2026 përfshin projekte të rëndësishme infrastrukturore, si rindërtimi i rrugës së Kosovës me trotuar, investime në oborret e shkollave dhe zgjidhjen e problemeve afatgjata të qasjes në institucionet arsimore, me qëllim rritjen e sigurisë së fëmijëve dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
Po ashtu, është paraparë përfundimi i punimeve në rrugën Mujo Ulqinaku, ku aktualisht po realizohet sanimi i infrastrukturës rrugore dhe sistemit të kanalizimit të ujërave të zeza, ndërsa projekti pritet të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me ujë për lagjet përreth.
Në kuadër të themelimit të ndërmarrjes publike Transporti Urban, buxheti parasheh edhe blerjen e dy autobusëve, me qëllim funksionalizimin e plotë të këtij shërbimi të ri për qytetarët.
Administrata lokale mbetet e fokusuar në rritjen e të ardhurave komunale, veçanërisht përmes veprimtarive komunale, tarifave për pajisjen e tokës ndërtimore dhe legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, si dhe përmes përmirësimit të arkëtimit të tatimeve mbi pasuritë e paluajtshme.
Komuna e Ulqinit pret që sezonin e ardhshëm turistik ta presë më e përgatitur, duke marrë parasysh investimet e vazhdueshme në infrastrukturën ujësjellëse dhe kanalizuese, si dhe projektet e planifikuara për përmirësimin e shërbimeve komunale në të gjithë territorin e qytetit.
Investime të rëndësishme priten edhe në fushën e planifikimit hapësinor, përfshirë përgatitjen e dokumentacionit për Tregun e Gjelbër dhe Qendrën Shtoj, zgjerimin e Mandraqit me 70 vende të reja ankorimi, si dhe ndërtimin e impiantit për përpunimin e ujit të pijshëm.
Në fund, buxheti parasheh rritje të ndjeshme të mjeteve për klubet sportive, manifestimet kulturore, si dhe një rritje të konsiderueshme të agrobuxhetit, me fokus në përmirësimin e kushteve për zhvillimin e bujqësisë.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka deklaruar se buxheti për vitin 2026 është shumë ambicioz dhe përfaqëson një hap të guximshëm për të gjitha strukturat komunale, duke theksuar se Komuna do të vazhdojë me realizimin e projekteve në interes të qytetarëve, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë, përmes përmirësimit të parqeve urbane dhe këndeve të lojërave.
