Foto: COK

Tekuondistja Andrea Berishaj është shpallur sportistja më e mirë e Malit të Zi, pasi Bordi Drejtues i Komitetit Olimpik të Malit të Zi vendosi njëzëri t’i ndajë asaj vlerësimin më të lartë kombëtar sportiv. Pas xhudos, karatesë dhe boksit, edhe një tjetër sport luftarak fitoi sportisten më të mirë në vend.

Anëtarja e klubit podgoriças S3, në vitin që po përfundon, fitoi medalje bronzi në Kampionatin Evropian për seniore dhe në Kampionatin Botëror për moshat deri në 21 vjeç, shkruan cdm, transmeton Ulqini Online.

“Është një nder dhe privilegj i madh për mua të marr këtë çmim që vjen nga institucioni më i lartë i sportit tonë. Ai është një konfirmim i rezultateve, por edhe dëshmi se me punë të palodhur, disiplinë dhe besim në vetvete mund të arrihen të gjitha qëllimet. Këtë vlerësim e përjetoj si një përgjegjësi të madhe dhe një shtysë të fortë për të vazhduar edhe më fuqishëm”, tha Berishaj.

Pjesa më emocionale e fjalimit të saj iu kushtua motrës së madhe, Anxhelës, e cila më herët kishte hapur rrugën për tekvondon malazez në arenën ndërkombëtare.

“Mirënjohjen më të madhe ia detyroj familjes sime, e veçanërisht motrës sime Anxhela – idhullit dhe frymëzimit tim”, tha Andrea, mes duartrokitjeve të të pranishmëve.

Ajo falënderoi gjithashtu Federatën e Tekvondos së Malit të Zi, trajnerët dhe shokët e klubit, duke theksuar se pa mbështetjen e tyre asnjë sukses nuk do të kishte vlerën e vërtetë.

“Sporti të mëson se rënia nuk është fundi, por fillimi i një rruge të re. Mbajtja e stemës së shtetit është nderi dhe përgjegjësia më e madhe. Çdo paraqitje e përjetoj si një mundësi për të përfaqësuar me dinjitet Malin e Zi. U bëj thirrje sportistëve të rinj të besojnë në veten e tyre dhe të mos heqin dorë kurrë nga ëndrrat e mëdha”, përfundoi Berishaj.

By admini