Vendosja e monumentit të komandantit çetnik Pavle Gjurishiq në fshatin Gornje Zaostro të Beranit është provokim i radhës i Kishës Ortodokse Serbe dhe i forcave retrograde serbe që duan të ngjallin pasiguri dhe destabilizimin e Malit të Zi. Ky nuk përbën një rast të izoluar, por një veprim të planifikuar, i cili pasqyron dhe nxjerr në pah situatën reale në të cilën ndodhet Mali i Zi. Pavarësisht se monumenti i Gjurishiqit, i njohur për krimet e kryera ndaj myslimanëve dhe malazezëve dhe bashkëpunimin me Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore, është hequr pas reagimit të Ministrisë së Kulturës dhe Medias, ky veprim ka treguar edhe një herë dobësinë e shtetit dhe të Qeverisë së Malit të Zi, pafuqinë e saj në zbatimin e ligjit si dhe zbatimin e standardeve të dyfishta në raste të ndryshme. Për më tepër, përfshirja direkte e disa pushtetarëve të partive proserbe në gjithë këtë incident e bën ngjarjen edhe më të rëndë, ndërsa heqja e monumentit dhe zhvendosja e tij në një objekt fetar (kishë) të Kishës Ortodokse Serbe është tregues i origjinës apo i burimit të vërtetë të së keqes (problemit). Njëkohësisht, një veprim i tillë hedh dyshime për ekzistencën e një marrëveshjeje të heshtur (të fshehtë) ndërmjet organizatorëve të këtij incidenti dhe institucioneve e organeve shtetërore.
Edhe pse që në momentin e nënshkrimit dhe miratimit të Marrëveshjes Themelore, e cila rregullon marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe, në kohën kur kryeministër i Malit të Zi ishte Dritan Abazoviq, është ditur se ajo është e dëmshme për Malin e Zi, ky rast ka zbuluar hapur pasojat e kësaj marrëveshjeje. Sepse qeveria, edhe sikur të kishte vullnet, që qeverisë aktuale të Malit të Zi i mungon, i ka duart e lidhura në raport me Kishën Ortodokse Serbe, e cila falë kësaj marrëveshjeje ka siguruar ekstraterritorialitet, më saktë shtet brenda shtetit, në objektet e veta fetare dhe lirinë për të strehuar brenda objekteve të saj, monumente të ndaluara si shtatorja e komandantit çetnik Pavle Gjurishiq, apo edhe kriminelë dhe armë (si për shembull, në manastirin në Banjska të Kosovës, në bazë të një marrëveshjeje të ngjashme).
Në anën tjetër, përpjekja për të barazuar aktin e jashtëligjshëm të vendosjes së shtatores së një krimineli të dëshmuar (Pavle Gjurishiq) me monumentin kushtuar patriotit shqiptar Isuf Çelaj në fshatin Vuthaj të Gucisë, i cili ka luftuar për mbrojtjen e popullit të vet dhe të trevave shqiptare, si dhe për të cilin ekzistojnë dëshmi të shkruara se i ka mbrojtur edhe malazezët, përbën një orvatje për zhvendosjen e vëmendjes së opinionit nga ngjarja e fundit dhe keqinterpretim të qëllimshëm të fakteve historike. Edhe më e rrezikshme është kur pjesë e kësaj loje, në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme, bëhet Ministria e Kulturës dhe e Medias, konkretisht ministrja Tamara Vujoviq, e cila merr rolin e një gjykatëseje, e cila duke kërkuar prishjen e monumentit të Isuf Çelajt, në fakt don të barazojë dy akte apo raste të pakrahasueshme – mbrojtësin me udhëheqësin e krimeve dhe masakrave. Në këtë teatër absurd, ajo “harron” të përmendë vendosjen e kishës metalike nga Kisha Ortodokse Serbe në Rumi, në vitin 2005, me ndihmën e ushtrisë, pa kurrfarë lejeje dhe dokumentacioni përkatës. Kjo “kishë e sherrit”, siç është quajtur me të drejtë nga disa studiues shqiptarë, e toleruar nga pushteti i kaluar në Mal të Zi, në krye me Partinë Demokratike të Socialistëve, i ka hapur rrugë veprimeve të ardhshme uzurpatore e përçarëse të Kishës Ortodokse Serbe.
Por, në fakt, duhet të jetosh me iluzione dhe të mos jetosh me realitetin që të presësh një reagim tjetër nga koalicioni qeverisës – një qeveri pa bosht, pa politikë të unifikuar për shumë çështje jetike shtetërore, qoftë sa i përket politikës së jashtme apo të brendshme, një amalgamë jonatyrore dhe konglomerat forcash politike të cilat i ndanë shumëçka dhe e vetmja gjë që i bashkon është interesi për pushtetin. Një qeveri në të cilën secila parti apo koalicion i trajton dhe i konsideron ministritë që drejton si çifligje të saj, ku të tjerët nuk kanë të drejtë të përzihen.
Duke qenë pjesë e kësaj qeverie, partitë shqiptare nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë për veprimet rrënuese të forcave retrograde të cilat kanë mbështetjen e partive politike proserbe në Qeverinë e Malit të Zi. Është e vërtetë se shqiptarët pas vitit 2020 kanë përfituar disa të drejta që pushteti i mëparshëm ua ka mohuar. Po ashtu është e vërtetë se shqiptarët janë aktualisht më të përfaqësuar se asnjëherë në Qeverinë e Malit të Zi, por edhe në pozitë delikate dhe të pafavorshme, sepse ata duhet t’i bëjnë mirë llogaritë nëse qëndrimi i mëtejshëm në pushtet shkon në favor apo në dëm të tyre. Ata nuk duhet të heshtin ndaj paralajmërimeve të ministres së Kulturës dhe Medias për prishjen e monumentit të patriotit Isuf Çelaj.
Mali i Zi ndodhet tashmë në udhëkryq! Rrezikimi i shtetësisë së Malit të Zi nga forcat retrograde serbe, të afërta apo të grumbulluara në partitë politike serbe dhe Kishën Ortodokse Serbe, dhe të mbështetura haptas nga Serbia dhe Rusia, është real dhe më i madh se kurrë, ndërsa proceset integruese evropiane, përkatësisht anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian me këto forca në pushtet duket gjithnjë e më i largët. Jo vetëm që në Malin e Zi është e pranishme dukuria e rikthimit të narrativës së viteve ’90 të shekullit të kaluar, por serbët falë rrethanave të favorshme, duke qenë edhe pjesë e pushtetit, kanë kaluar në realizimin në vepër të ideve të veta shoviniste. Në një situatë të tillë, pavarësisht se partitë shqiptare janë deklaruar qartë për pavarësinë dhe shtetësinë e Malit të Zi, qëndrimi i mëtejshëm në pushtet me partitë proserbe (që veprojnë dhe punojnë kundër shtetësisë dhe proceseve integruese të Malit të Zi) rrezikon që ata të akuzohen si bashkëpunëtorë dhe bashkëfajtorë në rrënimin e shtetësisë së Malit të Zi.
Për momentin duket se Mali i Zi dhe forcat pro pavarësisë në opozitë nuk kanë fuqi të përballen me kërcënimet serbe. Historia e ka dëshmuar se serbët njohin vetëm gjuhën e forcës! /Koha Javore/

By admini