
Figurë e ndershme e arsimit, kulturës dhe atdhetarizmit
Nga Gjekë Gjonaj
Shkrimtari, rrëfimtari dhe dramaturgu italian, Luixhi Pirandello, fiutes i Çmimit Nobel për letërsi në vitin 1934, i lindur para një shekulli e gjysmë në Agrigento, Sicili, në njërën prej veprave të tij shkruan :
“ Është më lehtë të jesh hero,
sesa një njeri i ndershëm.
Hero mund të bëhemi njëherë rastësisht,
Njeri i ndershëm duhet të jesh gjithmonë”.
Kjo thënie e urtë e Luixhi Pirandellos mendoj se mishërohet me personazhin e këtij shkrimi, Bajram Rexhën nga fshati Kllezën ( Ana e Malit ) me të cilin u njoha në një konferencë shtypi në vitin 1993, me rastin e themelimit të Unionit Demokratik të Shqiptarëve, partisë së dytë politike shqiptare në Mal të Zi, në periudhën e pluralizmit politik në këtë vend. Atëherë shfrytëzova rastin t’ia uroj postin e kryetarit të kësaj partie, ndonëse shumë vite më përpara kisha dëgjuar për këtë profesor të dalluar të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e Ulqinit nga nxënësit e tij malësorë, të cilët e kujtojnë për kulturën, nivelin arsimor, aftësinë profesionale, përkushtimin ndaj punës me nxënës, dashurinë dhe kujdesin e thellë për ta, për misionin e shenjtë të mësimdhënësit, kërkesën e madhe për rregull, disiplinë e punë sistematike me ta, por dhe për veprimtarinë e tij të ndershme atdhetare.
Pesë vite pas njohjes sime me këtë figurë të ndershme të arsimit, kulturës dhe atdhetarizmit, valët e jetës me sollën në Ulqin, ku gjeta një banesë me qira, afër banesës së tij ( në hyrjen tjetër të pallatit) ku jetonte me bashkëshorten, një grua anamaleshë me veti të larta morale, zemërgjerë dhe bujare. Që nga ajo kohë e deri në vdekjen e tij ishim dhe mbetëm miq të dashur. Vizitat familjare të ndërsjella ishin të shpeshta, por më shpesh e vizitoja unë, sepse më thoshte: Eja ti tek unë se je shumë më i ri, ndërsa unë e kam paksa të vështirë të ngjitëm shkallëve në katin e tretë.
Ndeja me këtë njeri të thjeshtë në dukje, por intelektualisht të ngritur, ishte kënaqësi e veçantë. Nga biseda e tij, me atë butësi e qetësi që e karakterizonte, mësova shumë jo vetëm nga fusha e kulturës, arsimit, por edhe nga e kaluara e historisë së dhimbshme të popullit shqiptar. Asnjëherë nuk më rastisi ta vizitoj e të mos e gjeja me libër në dorë, në tavolinë ose duke u marrë me punë intelektuale, por edhe me ato politike si lider partie. Asnjëherë nuk arrita ta bind të shkojmë në ndonjë kafene në qytet. “ Kjo për mua është kohë e humbur”, më thoshte.
Për të dëshmuar ndershmërinë e profesor Bajram Rexhës, ashtu siç e njoh unë, do t’më duhej një artikull i gjatë, por po përmendi vetëm pesë shembuj:
1.Pas ca vitesh pune në arsim dhe si kryetar partie jetoi dhe vdiq në një banesë të pajisur me mobile modeste, mjaft të vjetëruara.
2.E mbaj mend, jo vetëm unë por edhe të tjerët që e kanë njohur, të veshur gjithherë me një kostum ngjyrë hiri, të cilin e ka veshur vite të tëra, derisa ndërroi jetë.
3. Bashkëshortja e tij, vazhdimisht bënte punë dore me grep, ndërsa prodhimet e saj artizanale të shumëllojshme i shiste në treg.
4.Edhe pse kishte nën kontroll gjithë buxhetin jo të vogël të partisë, nuk e shpërdoronte asnjë cent, por e ruante si buxhetin e tij familjar. Nuk i shkonte ndërmend të blinte një veturë të markave të njohura, të thjeshtë apo luklsoze të, as të kërkonte një shofer personal, për nevojat e partisë.
“ Shumica e fondeve që ka partia jonë janë nga paratë e shqiptarëve, që me zemër e duan popullin e vet, të cilët kërkojnë, nga të zgjedhurit e tyre në institucionet shtetërore, t’u sigurojnë të drejtat e tyre, me shekuj të munguara nga pushtetarët e kohës. Misioni im në politikç nuk është përfitimi, luksi personal e jo më larg qoftë shpërdorimi i këtyre mjeteve financiare, por shërbimi me nder e dinjitet ndaj qytetarëve shqiptarë në Mal të Zi, pa kursyer mundimin, sakrificën, shëndetin dhe kapacitetin tim intelektual për të mirën e tyre,” më tha.
5. Në një vizitë të rastit, në mbrëmje, e gjeta të ulur në një kolltuk me stofë të vjetër pranë tavolinës. Në anën tjetër të tavolinës gruaja e tij qëndiste me grep. Në tavolinën e tij, siç më tha, ishte duke llogaritur shpenzimet e faturave të zyrtarëve të partisë. Duke e ditur se ai nuk ka kohë për të humbur, e luta të vazhdojë punën ku kishte mbetur. Vazhdoi me shikimin dhe llogaritjen e faturave. I thelluar në ato, në shenjë pakënaqësia ndaj dikujt apo diçkaje, duke menduar se po flet pa zë me vetveten, dëgjova pëshpëritjen e tij të heshtur:
“ Një uiski,
dy uiski,
tre uiski,
katër uiski,
pesë uiski,
gjashtë uiski,
shtatë uiski,
tetë uiski.
A nuk keni pasur mjaft dy por tetë uiski?”
Nuk e kuptoi fare se e dëgjova dhe këtë kurrë nuk ia tregova. Këto dhe shembuj të tjerë të punës së ndershme të profesor Rexhës i kam biseduar në takime të rastit me disa shokë dhe miq të mi. Konstatimi përfundimtar i shumicës së tyre ishte:
“ Do të kalojnë shumë vite që, në krye të ndonjë partie politike shqiptare ( nderim për të tashmit dhe të ardhshmit), të jetë një person kaq i arsimuar, atdhetar, fisnik e i ndershëm si Bajram Rexha. Të tillë ka pak shqiptar”.
Një nga virtytet kryesore të karakterit të Bajram Rexhës ishte fisnikëria ndaj njerëzve, që buronte, në fund të fundit, nga respekti që kishte për të tjerët. Ai kishte dy lloj kulturash; kulturën e fituar nga librat dhe shkolla, dhe kulturën e zemrës dhe të shpirtit, që është dhuratë nga natyra. Ai rrezatonte atë kulturë si trëndafili aromën e këndshme, si dielli dritën. E vëreje atë në dritën e syve të tij. E shihje kur qeshte me atë zë të ëmbël. E kuptoje nga fjalët e buta dhe të matura kur fliste.
Profesor Bajram Rexha më shumë se çdo profesion tjetër e donte arsimin, procesin mësimor, punën me nxënës. I vetëdijshëm se nëse bie niveli i arsimit shqip shkatërrohet edhe populli shqiptar, mbase, siç thoshte, nga një mjek i paditur vdesin njerëzit, kurse nga një inxhinier që s’ka dituri shemben urat, qysh se mori ditarin në dorë dhe hyri në klasë në vitin shkollor 1955/56 në shkollën fillore në Katërkollë,( Vlladimir) , si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe, iu përkushtua me shumë sukses këtij profesioni të veçantë që e dashuronte me gjithë zemër dhe e donte sa jetën.
Për punën e suksesshme me nxënës, për dhjetë vite pune në Gjimnazin “ Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin, formimin e Grupit letrar “ Shpresa”, grupit recitues dhe të dramës, që përgatiste herë pas here shfaqje ( drama) dhe recitime u vlerësua nga kolegët, prindërit dhe qytetarët e Ulqinit, që ishin adhurues të poezisë dhe dramës. Nga ana tjetër u bë “ halë” në sy për ata të cilët nuk e donin arsimin shqip dhe përparimin e brezit të ri shqiptar.
Sistemi komunist, për ta ndaluar zhvillimin dhe përparimin e Shkollës së Mesme në Ulqin dhe arsimimin e shqiptarëve në Mal të Zi, pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, më 27 dhjetor të atij viti e përjashtuan atë nga partia dhe nga puna bashkë me katër profesorë nga Gjimnazi i Ulqinit dhe katër mësimdhënës nga shkolla fillore “ Bedri Elezaga”, për arsyen e vetme se bënin punën e tyre, kundërshtuan planifikimin ogurzi të institucioneve sllavo-malazeze të arsimit në Mal të Zi për të bërë ndryshime në planprogramet mësimore të gjuhës shqipe, historisë, artit muzikor, artit figurativ etj., me arsyetimin se planprogramet ekzistuese kishin shumë orë nga kultura shqiptare. Këta mësimdhënës shqiptarë, në mesin e të cilëve ishte edhe Bajram Rexha, mbetën pa bukën e gojës, në rrugë të madhe, siç thotë populli ynë. Ata pa asnjë faj e paguan rëndë ndëshkimin e pushtetit, sepse kërkuan që në programin mësimor të gjuhës shqipe të shtohet numri i orëve të shkrimtarëve shqiptarë, si : Atë Gjergj Fishta, Fan Noli, Faik Konica , Millosh Gjergj Nikolla ( Migjeni) , Naim e Sami Frashëri, Kolë Jakova… dhe të zvogëlohet numri i orëve të shkrimtarëve sllavë. Më e rënda për këta pishtarë të arsimit dhe atdhetarë të vërtetë ishte fakti se nuk gjetën kurrë drejtësinë, por u dënuan dhe u trajtuan si armiq të shtetit, që nuk ia duan të mirën as popullit të vet.
Ishte kjo periudha kur, siç tregojnë dëshmitarët e kohës, në një tubim të Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës , organizuar në hapësirën publike para se të hyhet në Plazhin e Vogël në Ulqin, dëgjohej nga disa shqiptarët brohoritja: “ Šta će nama Fišta, Konica, Nolji, Midjeni, Frašeri i drugi albanski pisci kada imamo Vuka Karadžića” ( Çfarë na duhet neve Fishta, Konica, Noli, Migjeni, Frashëri dhe shkrimtarët e tjerë shqiptarë kur e kemi Vuk Karaxhiqin).
Megjithë vuajtjet vështirësitë ekonomike, kërcënimet e poshtërimet që iu bënë Bajram Rexhës nga ana e regjimit, ai mbeti një personalitet i nderuar dhe i dashur për të gjithë shqiptarët që e njihnin ose kishin dëgjuar për të. I ndershëm lindi, me nder u edukua dhe u shkollua, me nder ushtroi gjithë veprimtarinë e tij jetësore të çmuar dhe me nder vdiq.( K.J)