
Nga NIKË GASHAJ
Në aspektin e shtetit juridik mund të vërehen antinomi të shumta në tranzicion aktual të shoqërisë tonë. Gjegjësisht, edhe pse është bërë instalimi formalo-juridik i institicioneve juridiko-shtetërore të modelet liberal, përmbajtjen e tyre dhe për një kohë të gjatë do ta karakterizoj funksionimi këmbëngulës i institicioneve të shtetit partiak si antitezë e shtetit juridik.
Në Mal të Zi politika ishte dhe mbeti mbi ligjin, pra ligji, parimisht u reduktua dhe po reduktohet në shërbëtoren e politikës aktuale ditore. Një nga parimet e rëndësishme te shtetit juridik është universalizmi. Kjo do të thotë se normat juridike duhet të jenë universalisht të zbatueshme dhe të barabarta për të gjithë. Sundimi i ligjit është një ide emancipuese e barazisë së përgjithshme juridike, sigurisë dhe të parashikueshmerisë. Ajo bazohet në idenë se rregullat juridike për sa kohë që janë të vlefshme, kanë fuqi të barabartë detyruese si për pushtetarët ashtu dhe për të sunduarit. Thelbi i së drejtës nga ana morale dhe praktike, respektivisht parimet juridike janë: të jetosh me ndershmëri, të mos ofendosh të tjerët dhe t’i japësh secilit atë që i takon.
Në shtetin juridik, përbërsi më thelbësor është arsyeshmëria, ratio, si dhe kërkesa e ligjit duhet ta ketë parasysh idenë e drejtësisë dhe së drejtës, sepse ajo është baza e gjithë qeverisjes së mirë. Megjithate, në Mal të Zi, si vend në tranzicion, shikuar në përgjithësi, shteti juridik, respektivisht pushteti ligjor, është më tepër një ideal, realizimi i të cilit duhet synuar të bëhet gradualisht, sesa që është një realitet i prekshëm, më shumë ka të bejë me një teori, sesa me praktikë, si dhe më shumë është një ide, sesa institucion funkcional dhe efikas.
Shteti juridik, në të vërtet nuk është i mundur në këtë rajon në formën e tij “të pastër”. Megjithatë, ai pak a shumë mund të zbatohet, andaj shtrohet pyetja se në të cilën pikë, çast apo moment bëhet de facto juridik. Duhet të ketë një parameter minimal që pasqyron modelin e shtetit juridik, apo të shtetit ligjor që më poshtë nuk do të guxohej të shkohej. Përkundrazi, do të ishte vetëm një hapësirë për të manipuluar me këtë ide.
Në Mal të Zi janë të përhapura dukuritë e diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe fyerjeve, intolerancës, tensioneve politike dhe kërcënimeve në baza nacionale, fetare dhe politike. Po ashtu janë të pranishme dhe dukuritë e nacionalizmit, shovinizmit, klerikalizmit, ekstremizmit, të cilat manifestohen në mënyra të ndryshme, por më të rrezikshme janë atëherë, kur dukuritë e tilla hyjnë në institucionet e sistemit juridiko-politik.
Një nga çështjet e rëndësishme për të ardhmen e Malit të Zi si shtet i pavarur dhe sovran është afirmimi i multikulturalizmit, interkulturalizmit dhe tolerancës multietnike. Mali i Zi si shoqëri multietnike dhe multikulturore është një realitet, shprehja e këtij realiteti është multikulturalizmi si një politikë kulturore që synon në radhë të parë për bashkëjetesën e barabartë të kulturave. Prandaj, detyra e shtetit është të përcaktoj një strategji kombëtare(shtetërore) për afirmimin e multikulturalizmit dhe ndërkulturalizmit, si dhe mbrojtjes të të drejtave të pakicave etnonacioanale dhe masat për implementimin e tyre, dhe ato, eurokompatibile, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Për sendërtimin konsekuent të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, përveç bazave juridike, është e nevojshme të krijohen parakushte institucionale dhe kuadrovike, repektivisht të sigurohen ekspertë për përfaqësimin politik të shqiptarëve në institucionet juridiko-politike, për çka jemi në deficitë.
Në teorinë politike partitë nacionale paraqesin një institut demokratik në artikulimin e interesave kombëtare. Mirëpo, shtrohet pyetja: partitë nacionale a i përfaqësojnë interesat nacionale gjithëherë në mënyrë konsekuente, dhe nëse i realizojnë, në çfarë mase atë e bëjnë, apo vetëm vetmashtrojnë se atë e bëjnë, derisa në të vërtetë sendertojnë interesat e veta të veçanta, respektivisht të udhheqësive të tyre, dhe atë jo rrallë në dëm të popullit të cilin e përfaqësojnë apo kishte me u dashtë ta përfaqësojnë. Më së keqi është atëherë kur përfaqësuesit politikë të popujve pakicë bëhen vetëm transmetues i thjeshtë politik i shumicës parlamentare. Ashtu që interesat e popujve pakicë lëhen pasdore dhe nuk sendërtohen.
Siç dihet, pesë (5) parti shqiptare në Mal të Zi kanë nënshkruar marrëveshje koalicioni me partitë tjera të shumicës politike parlamentare në Mal të Zi. Struktura e këtyre partive është shumë heterogjene në pikëpamje politike dhe ideologjike. Në këtë kaos politik, vend të rendësishëm të ndikimit politik zënë partitë pro-serbe dhe pro-ruse, respektivisht të partive pro-çetnike. Raporti midis forcave politike në qeveri dhe parlament është i tillë që përfaqësuesit politik shqiptarë janë dhe mund të jenë të mbivotuar kur merren vendime politike, miratohen projekt ligje,etj. Në teorinë politike rekomandohet zbatimi i ashtuquatur i “vetos” së pakicës, kur ka të bëjë me marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me çështjet vitale apo substanciale të pakicave kombëtare. Mirëpo, në politikën e Malit të Zi një mekanizëm i tillë nuk ekziston, por dominon diktatura e shumicës politike mbi pakicën politike.
Mali i Zi po përballet me një krizë të politikës kuadrovike, si dhe me nacionalizmin serbë. Ish-kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, Dragan Vukçeviq, thotë se padija është problemi më i madh sot në Mal të Zi. Mbi të gjitha, në skenën politike dominon amatorizmi politik dhe papërgjegjshmëria politike. Dihet se përparimi shtetëror dhe shoqëror nuk mund të bëhet me politikanë dhe intelektual”llomotuas”, siç shprehej Zhan – Paul Sartri.
Ish-ministrja kroate e Punëve të Jashtme dhe profesoreshë universitare, Vesna Pushiq, thotë: “Sot, skena politike në Ballkan është e dominuar me politikanë, pa kurrë farë dije politike, por për ata, mosdija politike nuk i shqetson”. Ndërsa, presidentja e Maqedonisë së Veriut dhe profesoresh universitare, Gordana Silanovska – Davkova thotë, sotë:”politikanët ballkanik janë personazhe karikaturistë”.
Në shekullin 21-të, në shekullin e revolucionit shkencor dhe teknologjik, kur nga Perëndimi deri në Lindje janë rreth 100 disiplina të shkencave politike, në Mal të Zi, për fat të keq, me politikë merren kuadratë pa kurrfartë arsimimi politik, respektivisht njerëz politikisht jokompetentë në nivelin profesional dhe shkencor. Me një fjalë, amatorët politik, janë shumë të dëmshëm për zhvillimin dhe prosperitetin e shtetit dhe shoqërisë.
Me këtë rast, nuk mund të mospërkujtoj, fjalët e një mbreti spanjoll, i cili, përballë një liste kandidatësh për arrestim bërtiti: “Mediokriteti duhet futur në burg së pari”. Mirëpo, urdhi i mbretit spanjoll nuk do të mundej të zbatohej në Mal të Zi për arsyen e thjeshtë se ne nuk kemi ambiente të mjaftueshme burgu për ti strehuar të gjithë mediokritetet tek ne, e që janë një numër shumë i madh, veçenarisht i mediokriteteve politike.
Pikërisht për këtë, si dhe për shkak të kulturës së pazhvilluar politike demokratike bashkëkohore, gjendemi në një krizë të thellë politike dhe institucionale. Prandaj, pason një rrugë jo e lehtë drejt Bashkimit Europian.
Kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, Mali i Zi është bër anëtare e NATO-s, si dhe është përcaktuar për integrime në Bashkësinë Europiane. Megjithatë, partitë politike pro-serbe pro-ruse që bëjnë pjesë në pushtetin politik në organet shtetërore, nuk janë sinqerisht të përkushtuara ndaj vlerave politike perëndimore, por më tepër anojnë kah politika e Serbisë dhe Rusisë.
Shumica parlamentare në Parlament dhe në Qeveri ka arritur dukshëm të dëmtoj marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë të Malit të Zi me Kroacinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën. Në veçanti, Partitë politike pro-serbe dhe pro-ruse si pjesë e shumicës parlamentare në vazhdimësi janë kundër Kosovës si shtet i pavarur. Ato e trajtojnë Kosovën si pjesë të Serbisë.
“Miku” i koalicionit të partive shqiptare, Andrija Mandiq në vitin 2008. Bëri një grevë urie para Parlamentit të Malit të Zi për shkak të njohjes së Kosovës si shtet të pavarur nga Mali i Zi në atë kohë. Ish Kryetari i Kuvendit të Shqiprisë, Ilir Meta më 2016. pati një vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku është takuar me zyrtarë të lartë të shtetit dhe iu drejtua Parlamentit të Malit të Zi, mirëpo me atë rast një grupë i parlamentarëve të partive pro-serbe dhe pro-ruse në hyrje të Parlamentit e shpalosën një pllakatë me porosinë se “Kosova është pjesë e Serbisë”.
Kuvendi i Malit të Zi, në seancën në Cetinë(mars 2019.) e shqyrtoi Projektligjin për ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Antlantikut të Veriut për anëtarësimi e Maqedonisë së Veriut. Në seancë muar pjesë dhe Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Mirëpo, deputetët e partive pro-serbe dhe pro-ruse në Kuvend e ofenduan Xhaferin duke e quajtur “terorist” dhe anëtar të organizatës teroriste që gjoja ka gjujtur me armë në policinë maqedonase në Maqedoni. Me atë rast Andrija Mandiq e kritikoi ashpër pushtetin qeveritar të Malit të Zi të udhëhequr nga Partia demokratike socialiste për pritjen ceremoniale të Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Verut, Talat Xhaferin, me fjalë:”turp për ju”!
Me një 24 nëntor, policia e Kosovës njoftoi se gjatë një feste në manastirin e Deçanit kishte arrestuar tre persona të cilëve iu gjet automjeti me shenjën”Kosova është Serbi”. Prorokuria i ka akuzuar të arrestuarit për vepër penale për “Nxitjen e urrejtjes dhe intolerancës ndërnacionale”. Më von u vertetua se këta persona janë shtetas të Malit të Zi, prej të cilëve dy kanë qenë pjesëtarë të ushtris së Malit të Zi. Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, u bëri thirrje”administratës së Prishtinës” që t’i liroj nga paraburgimi. Në kërkesën e vet, Mandiqi nuk i drejtohet shetit të Kosovës, por siçë e quan ai”administratës së Prishtinës”, dmth. nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, megjithë se është në koalicion politik me partitë shqiptare në Mal të Zi. Më tutje, Mandiqi kritikon shqiptarët e Malit të Zi, duke u shprehur:”Të imanigjonim, në Mal të Zi, në Ulqin,Tuz, apo n ndonjë zonë tjetër ku jetojnë shqiptarët, në sjellemi në të njëjtën mënyrë, t’i arrestojmë të gjithë ata që tregojnë simbolet me duart e kryqëzuara, e që do të thotë formimin e” Shqipërsisë së Madhe”, e që projekti i tillë përfshin dhe një pjesë të mirë të Malit të Zi të sotëm. Deklarata e Mandiqit, tregon një urrejtje të madhe nacionaliste ndaj shqiptarëve në përgjithësi, por dhe mos njohjet elementare të simboleve kombëtare të shqiptarëve. Sepse nuk ka simbol të Shipërisë së Madhe. Vendosja e duarëve në formën e një shqiponjë dykrenare është një simbol nga flamuri kombëtar. Shumë shqiptarë të jetës publike, si muzikantë, aktorë, sportistë, bëjnë foto me duar në formën e shqyponjës dykrenore. Ata me atë dëshirojnë të tregojnë se janë shqiptarë. Pra ai është simboli i flamurit kombëtar dhe nuk paraqet provokim i kurr kujt.
Në Strazburg, më 16. Prill 2024. në Seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, dy delegatë nga shumica parlamentare të Malit të Zi: Maja Vukiqeviq(shefja e delegacionit të Malit të Zi), nga partia Popullore Demokratike e Milan Knezheviqit dhe Vasilije Çarapiq, nga “Europa tani” të Kryeministrit Spajiq nuk e përkrahën Kosovën për antarësimin në Këshillin e Europës, edhe pse Mali i Zi e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, qysh në vitin 2008. dhe ka vendosur marrëdhënie diplomatike. Po ashtu, delegatët e partive të lartëpermendura janë në koalicion me partitë shqiptare në Mal të Zi.
Qeveria e Malit të Zi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshruan një marrëveshje për bashkëpunim ekonomik, si dhe në fushën e turizmit e zhvillimit të pasurive të paluajtshme në Abu Dhabi më 28 mars 2025 dhe Parlamenti i Malit të Zi i miratoj ato më 22 prill me procedurë emirgjente me iniciativën e kryeministrit Milojko Spajiq. Marrëveshjet u miratuan me votat e shumicës parlamentare.
Deputeti i Aleancës shqiptare, Ilir Çapuni u shpreh në Parlamentin e Malit të Zi, se miratimi Marrëveshjes për turizëm dhe për zhvillimin e pasurive të palujtshme të Qeverisë së Malit të Zi me Emiratet Arabe cënon të drejtat e shqiptarëve në Ulqin si pakicë kombëtare, dhe duke iu referuar Ligjit për të Drejtat dhe Liritë e popujve pakicë në Mal të Zi kërkoi pauzën e Seancës së Parlamentit me qellim të konsultimit shtesë me Kryeministrin Milojko Spajiq dhe ambasadorin e BE-së Johan Satler. Mirëpo, sa për çudi, Kryeparlamentari Andrija Mandiq, Vojvodë i çetnikëve, partner politik dhe “mik” i partive shqiptare në pushtet e refuzoi një kërkesë të tillë.
Mirëpo, në anën tjetër, ekziston një praktikë, që pauza e seancës parlamentare u lëjohet të gjitha klubeve parlamentare me kërkesën e tyre, përveç deputetëve shqiptarë. Nuk e di sa janë të vetëdijshëm deputetët shqiptar se po diskriminohen edhe në parlament në baza nacionale dhe politike, edhe pse diskriminimi për çfarëdo baze është i ndaluar me legjislacionin e Malit të Zi dhe me të drejtat ndërkombëtare.
Edhe pse marrëveshja nuk e specifikon vendndodhjen e investimeve, Qeveria e Malit të Zi më herët njoftoi se ato i referohen investimeve të biznismenit arab Mohamed Alaban në turizëm për projekte – në jug dhe në veri të vendit. Plazha e Madhe në Ulqin është parapar për këtë projekët. Ky është një projekët me qira për 99-vjet i Plazhës së Madhe, ku do të ndërtoheshin objekte turistike dhe për banesa për shitje. Bëhet fjalë për ndërtimin e një kompleksi megaturistik.
Me zbatimin eventual të kësaj marrëveshje, ndërtimit të një kompleksi megaturistik në Plazhin e Madh, do të cenoheshin të Drejtat e Pakicave Kombëtare të garantuara me të drejtat ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me ndryshimin e strukturës demografike të popullësisë në Ulqin. Konkretisht, në Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare(Strazburg, 1995.), neni 16 përcakton:” Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës edhe shtetet tjera kontratuese të kësaj Konvente kuadër do të përmbahen nga masat që ndryshojnë strukturën e popullësisë në zonat e banuara me pjesëtarë të pakicave kombëtare…”Komiteti i Këshillit të Evropës do të përcjelli sesi shtetet kontratuese e zbatojnë këtë Konventë Kuadër(Seksioni IV, neni 24).
Më tutje, në Rekomandimin 1201 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, lidhur me mbrojtjen e pakicave kombëtare(1993.), Protokolli shtesë, neni 5 përcakton: “Ndalohen ndryshimet e qëllimshme në strukturën demografike të zonave të banuara me pakica kombëtare, të cilat janë të dëmshme për ato pakica.
Lidhur me këtë, duhet rikujtuar se integrimi europian kushtëzohet nga përmbushja e kritereve përkatëse për zgjerimin dhe anëtarësimin në Bashkësinë Evropiane, të cilat u vendosën nga krerët e shteteve dhe qeverive në takimn e Kopenhagës në vitin 1993. Këto kritere përfshijnë dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Pavarësisht se mendoj se do të ishte e nevojshme që Mali i Zi të zhvillohet në drejtim të decetralizmit demokratik dhe vetëqeverisjes lokale, më duhet të theksoj se qeveria aktuale po vepron në drejtim të kundërt. Domethënë, politika aktuale shtetërore ka më tepër ngjashmëri me konceptet autoritare dhe zgjidhjet institucionale nga e kaluara sesa me idetë dhe institucionet liberalo-demokratike. Pushteti aktual shtetëror përpiqet centralizimin administrativ dhe përqendrimin e pushetit dhe burimeve natyrore, që nuk është në përputhje me standardet europiane.
Zbatimi eventual i Marrëveshjes në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme me Emiratet e Bashuara Arabe, do të nënkuptonte tjetërsimin e Plazhit të Madh nga qytetarët e ulqinit dhe nga komuniteti lokal meqenëse marrëveshja ka të bëjë për zgjatje kohe prej një shekulli. Kjo do të krijonte rrezik që komuna e ulqinit por dhe shteti i Malit të Zi do të hubnin sovranitetin ekonomik në një nga pjesët më të bukura të bregdetit adriatik.
Besoj se Ulqini ka nevoj për investime, por për investues të tjerë me kushte të tjera të përshtatshme dhe në dakordim me Bashkësin lokale të ulqinit. Andaj, jam i mendimit se investitorët më të preferueshëm do të ishin nga shtetet e njohura të Evropës Prendimore, siç janë Gjermania, Austria, etj.
Partitë pro – sebe dhe pro – ruse, akoma nuk e njohin pavarësin e Malit të Zi, por ende e ëndrrojnë “Serbinë e Madhe”. Shpresojnë në ndryshime të marrëdhënieve ndërkombëtare në favor të tyre, për qëllim të ndryshimit të kufijve në rajonin Ballkanik. Andaj kanë për qëllim ndryshimin e ligjit të shtetsisë së Mal të Zi, respektivisht të futjes së shtetësisë së dyfishtë në Mal të Zi. Për miratimin e ligjit të tillë nevojitet vetëm një shumicë e thjeshtë parlamentare. Andaj, ekziston një shumicë parlamentare për miratimin e ligjit dhe pa deputetët shqiptarë.
Nxjerrja e ligjit në fjalë do të lejonte marrjen e shtetësisë së dyfishtë shtetsëve të Serbisë me origjinë malazeze. Sipas disa të dhënave statistikore, në Serbi sot jetojnë rreth 300 mijë banorë me origjinë malazeze, e që shumica e tyre janë asimiluar në nacionalitetin serb, dhe me marrjen e shtetsisë së dyfishtë do të fitojnë të drejtën e votës sikurse të gjithë shetasitë të tjerë në Mal të Zi. Ajo paraqet një rrezik të madh për destabilizimin politik dhe territorial të Malit të Zi, pra mund të fundoste Malin e Zi si shtet. Natyrisht që partitë politike shqiptare përballen edhe me përgjegjësi politike për lëvizje e zhvillime eventuale politike negative në Mal të Zi, në radhë të parë si partner koalicioni i shumicës aktuale parlamentare.
Së fundi, vetë partitë shqiptare më së miri, do ta vlerësojnë justifikimin dhe përgjegjësin politike të pjesëmarrjes së vet të mëtejshme në qeveri, në koalicion me parti pro-serbe(proçetnike) dhe proruse, për të cilat mund të thuhet se janë parti antishqiptare, dhe të cilat përhapin një politikë ekstreme nacionaliste serbe në Mal të Zi, por dhe në rajonin ballkanik. Partitë proçetnike dhe proruse në Mal të Zi, në një veprim sëbashku me forcat nacionaliste të asocuara në Serbi paraqesin një rrezik potencial të destabilizimit politik dhe territorial të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
Me një fjalë, nuk është e këshillueshme që politikanët shqiptarë të jenë vetëm dekor politik në qeverinë proçetnike dhe proruse, si dhe mbulesë institucionale para Evropet dhe Botës, për ta paraqitur qeverinë aktuale të Malit të Zi si multinacionale, e cila gjoja i respekton të drejtat e njeriut dhe të pakicave kombëtare.
(Autori është politolog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Dioklesë)