
U mbajt sesioni shkencor “ANA E MALIT – nga lashtësia deri sot”
Ulqin, 12 prill 2025 — Në ambientet e Hotelit Mediteran në Ulqin, të shtunën u mbajt sesioni shkencor me temë “Ana e Malit – nga lashtësia deri sot”, një ngjarje me rëndësi të veçantë që mblodhi studiues, historianë, arkeologë, gjuhëtarë dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore për të hedhur dritë mbi të kaluarën dhe të tashmen e kësaj treve etno-gjeografike shqiptare me rëndësi të jashtëzakonshme, shkruan Ulqini Online.
Qëllimi i konferencës ishte të ndriçojë aspekte të ndryshme të zhvillimit historik, shoqëror dhe kulturor të Anës së Malit, një zonë që, për shkak të rrethanave historike dhe politike, shpesh është detyruar të mbetet në periferi të zhvillimeve të mëdha, por që mbart brenda vetes një pasuri të rrallë identitare.
Në këtë sesion u prezantuan një sërë kumtesash të nivelit të lartë shkencor, duke përfshirë fusha të ndryshme të studimit. Studiuesi Ali Bardhi trajtoi mbishkrimet arabo-osmane në pllakat e objekteve ekzistuese në Anë të Malit – Ulqin, duke sjellë në vëmendje dëshmi të rralla epigrafike. Po aq interesante ishte edhe kumtesa e Anton Lulgjurajt mbi trashëgiminë prehistorike të Ulqinit dhe zonave përreth, e cila riktheu vëmendjen mbi rrënjët më të hershme të qytetërimit në këtë hapësirë.
Një nga punimet më të vlerësuara ishte ai i Ardian Muhajt, që analizoi rënien dhe deurbanizimin e qytetit të Shasit në mesjetën e vonë, ndërsa Bajram Xhafa solli në kujtesë rolin e Anës së Malit gjatë rrethimit të Shkodrës (1912-1913).
Tema ”Disa të dhëna onomastike-toponomastike dhe demografike të popullsisë autoktone arbërore në arealin e Anës së Malit (sipas burimeve sllave të shek. XIII-XIV dhe osmane të shek. XV-XVI)” e autorit Iljaz Rexha zgjoi interesim, ndërsa Eduard Caka i riktheu vëmendjen kohës së Kongresit të Berlinit dhe Lidhjes së Prizrenit, për të folur mbi popullsinë shqiptare në këtë zonë.
Një qasje më praktike solli Gazmend Kovaçi, i cili diskutoi për menaxhimin e trashëgimisë kulturore në Anë të Malit, dhe Nexhat Avdiu, që paraqiti potencialin turistik të zonës dhe mundësitë konkrete të shfrytëzimit të tij.
Integrimi i tokave shqiptare të Mbretërisë së Jugosllavisë në shtetin shqiptar nën okupacionin italian (1941): statuset që u përdorën për tokat veriperëndimore dhe veriore dhe zhvendosja e kufijve ishte tema me të cilin u paraqit Romeo Gurakuqi nga Shkodra
Përmes kumtesave të tjera si ajo e Helidon Sokolit mbi gjurmimet arkeologjike përgjatë lumit Buna, apo ajo e Sami Flamurit mbi shkrimet e humbura në lokalitetin e Kishave në Shas, u dëshmua edhe një herë vlera e rrallë arkeologjike dhe historike e këtij rajoni.
Ana e Malit në rrethimin e Shkodrës (tetor 1912 – prill 1913) e autorit Bajram Xhafa ishte mjaft interesante.
Në sesion u paraqiten edhe Gazmend Çitaku me temën ”Gjurmë të neolitit në Ulqin dhe rrethinë” , Haxhi Shabani me temën ”Ana e Malit në dritëhijet e restrospektivës dhe perspektivës së saj”, Nail Draga me temën ”Migrimi i popullsisë së Anës së Malit – shkaqet dhe pasojat” dhe Jusuf Osmani me temën ”Shpërngulja e popullatës malazeze nga Zeta nëpërmjet trevës së Anës së Malit në rajonin e Vrrakës në rrethinën e Shkodrës”.
Sesioni u mbyll me një reflektim të thellë mbi identitetin, trashëgiminë dhe sfidat aktuale të Anës së Malit, duke vënë në dukje nevojën për më shumë investime në kërkim, mbrojtje dhe promovim të kësaj zone që mbart brenda vetes një histori të lashtë, një kulturë të pasur dhe një identitet të fortë.
Ky aktivitet dëshmoi fuqishëm se Ana e Malit nuk është vetëm një krahinë me të kaluar të pasur, por edhe një hapësirë me potencial të madh për të ardhmen.