Shpërndahen mbi 600 tituj të blerë nga buxheti i shtetit

Blerja e librave dhe shpërndarja e tyre nëpër bibliotekat në Kosovë dhe jo vetëm, shihet si mbështetje për autorët e botuesit, por edhe si mënyrë për tërheqjen e lexuesve dhe rritjen e interesimit për librin. Të hënën në mesditë Ministria e Kulturës e ka promovuar ngjarjen dhe sipas saj 32 bibliotekave publike nëpër qytetet e Kosovës si dhe në Preshevë, Ulqin dhe Manastir, u dhurohen nga 604 tituj librash. Kjo ngjarje, tradicionale e institucionit, është konsideruar investim në dije e pasurim i ofertës për lexuesit.

Kështu e ka vlerësuar zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani. Ka bërë të ditur se librat e revistat që dhurohen janë blerë gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar.

“Dhurimi i titujve për bibliotekat e vendit nuk nënkupton vetëm pasurimin e denjë të koleksioneve, por nënkupton edhe investim në dije, në lexueshmëri e në pasurimin e ofertës sonë që ua bëjmë lexuesve dhe adhuruesve të librit. Në mesin e këtyre titujve gjejmë shumë gjini letrare e revista të ndryshme të cilat janë blerë nga Ministria e Kulturës gjatë vitit 2023 dhe 2024”.

Zëvendësministrja Osmani ka përmendur buxhetin prej një milion eurosh për blerjen, botimin dhe mbështetje direkte të autorëve.

“Rritja e numrit të librave që po dhurohen sivjet, pos që është akumulim i blerjes së librave përgjatë dy vjetëve, njëkohësisht është seri e vazhdueshme e mbështetjes dhe vëmendjes së MKRS-së ndaj librit. Nga një fond që e kishim prej 160 mijë eurosh për librin e rritëm në një milion euro, duke përfshirë blerjen, botimin, mbështetjen direkte për autorin. Ky është një hap para për përforcimin e rolit të autorit, të shtëpive botuese, librarive dhe të bibliotekave në jetën kulturore të Kosovës”.

Nerimane Kamberi, kryesuese e Këshillit të Librit, përbërje e re e të cilit u emërua në gushtin e sivjetmë, ka thënë se buxheti ka qenë e para çështje që është diskutuar në mbledhjen e parë konstituive me ministrin Hajrulla Çeku. Ajo është shprehur e lumtur që nuk janë harruar komunat shqiptare jashtë Kosovës. Derisa ka folur për librin dhe lexuesit, ka thënë se nuk ka krizë në këtë drejtim.

“Libri, lexuesit, nuk janë në krizë. Sigurisht kemi sfida të shumta, edhe Këshilli, të gjithë anëtarët, bashkë me mua dhe gjithë personeli i ministrit do të punojmë që me atë buxhet të promovojmë më shumë librin dhe sigurisht se ky donacion në komuna është edhe një dëshmi e punës që është bërë deri tani dhe që do të bëhet”.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, ka thënë se pasurimi i fondit librar e bën komunikimin përmes librit si “një nga proceset njohëse më të sigurta dhe shpesh edhe estetike, veçmas për ata lexues që e çmojnë veprën dhe e njohin rëndësinë e saj”.

“Librat quhen shpesh si qirinj të përjetshëm të dijes dhe të njohurive që akumulohen dhe çojnë në vetëdije e në këtë mënyrë edhe në lumturi. Ndaj përkrahja me blerjen e tyre, sigurisht që e përçon këtë ndjenjë. Biblioteka duke qenë një nga institucionet më të rëndësishme në ruajtjen e trashëgimisë intelektuale, kulturore, në ruajtjen e urtësisë kolektive, roli i tyre është misionar dhe kjo e bën veçanërisht jetik rolin e bibliotekave komunale dhe të asaj Kombëtare në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, intelektuale dhe në dokumentimin e historisë së Kosovës”.

Thirrja publike për përkrahje financiare të blerjes dhe botimit të librave si dhe revistave letrare ka qenë e hapur për një muaj në këtë fillim të këtij viti.

Në këtë konkurs janë mbështetur vepra me vlerë kulturore artistike dhe kombëtare, përkthime të cilat paraqesin arritje të përgjithshme artistike dhe vepra të botuara në dy vjetët e fundit nga botues të regjistruar në Republikën e Kosovës. Sa i përket konkursit për botimin e librave janë mbështetur vepra të pabotuara të të gjitha gjinive letrare, përkthimet e veprave dhe kompletet e veprave të zgjedhura të autorëve të spikatur.





























By admini