Diskursi politik
Në vendet e ish kampit socialist në pluralizëm ku bën pjesë edhe Mali i Zi, funksionimi i shtetit ka marrë përmasa të politizimit, nga del se koncepti i barazisë qytetare është zbehur në çdo aspekt, sepse parësore janë partitë politike të cilat përbëjnë shumicën parlamentare qoftë në nivel lokal apo shtetëror, ku asnjë qytetar nuk mund të jetë i kënaqur me një mjedis të politizuar sepse nuk vlerësohet profesionalizmi e meritokracia, por dominon përkatësia partiake, që nuk është në favor të demokracisë parlamentare si kudo në botën e qytetëruar
Nail Draga
Duke analizuar rrjedhat shoqërore ne periudhën e pluralizmit del qartë se kemi të bëjmë me defekete funksionale të cilat janë trashëguar nga koha e monizmit. Është pikërisht psikologjia e kohës së shkuar moniste e cila është ngulitur thellë në qenien e individëve të cilët e kanë të pamundur të eliminojnë qasjen e tillë edhe tash në sistemin shumëpartiak. Madje te individë të ndryshëm ende është i pranishëm koncepti i autoritarizmit duke mbetur vesi me negativ i trashëguar nga koha e monizmit.
Nga një qasje e tillë kemi organizimin autoritar të subjekteve politike, duke kriuar kultin e individit, ku antarësia e tyre nuk mund të moderohet me konceptin e zgjedhjes dhe të ndërrimit të udhëheqësit në mënyrë demokratike.Një dukuri e tillë është pothuaj identike në tërë hapësirën e vendeve të ish kampit socialist, ku as shqiptarët nuk janë përjashtim.
Politizimi i demokracisë
Problem themelor në procesin e demokratizimit në Mal të Zi paraqet politizimi i institucioneve, përkatësisht ndikimi politik ndaj institucioneve si rezultat i pushtetit shumëvjeçar të një partie politike. Një situate e tillë nuk ka dilemë se ka ndikuar në polarizimet shoqërore, e cila është bërë virus i përgjithshëm shoqëror. Madje edhe pas ndryshimeve të pushtetit nga gushti i vitit 2020, një dukuri e tillë vazhdon me të njëjtin ritëm por me strukturë tjetër politike.
Më rëndësi përkatësia politike e jo diploma
Nuk është befasi se në pluralizëm në Mal të Zi trendi i përshtatshmërisë individuale dhe i përkatësisë partiake dominon ndaj përgatitjes profesionale. Një dukuri e tillë të kujton kohën e monizmit, e cila këtu ka pasur lënë pasoja deri në ditët tona. Pra kemi të bëjmë me zhvlerësimin e diplomës, dukuri e cila ka marrë përmasa shqetësuese jo vetëm në Mal të Zi por në tërë regjionin. Por, me këtë rast duhet thënë se në pozitë të pavolitshme janë ata individë pa përkatësi partiake të cilët janë të detyruar ti bashkangjiten asaj ne pushtet apo koalicionit qeverisës, sepse për ndryshe rrezikohen të mbesin pa punë! Kemi të bëjmë me politizimin e pushtetit si në nivel lokal e ate qendror, që është bërë çështje ditore me pasoja shoqërore, tash dhe në të ardhmën.
Nga shteti ligjor te ai i drejtësisë
Jo rrallë kemi pasur rast të dëgjojmë se duhet të funksionojë shteti ligjor për të pasur demokraci të mirëfilltë qytetare. Por, si duket janë ngatërruar konceptet sepse çdo shtet funksionon në sajë të ligjeve të veta, por çështja qendron ne ate se a kemi shtet të drejtësisë. Këtu qendron problemi sepse kemi koncepte diametralisht të kundërta në lidhje me këtë çështje, sepse ligjshmëria nuk do të thot edhe drejtësi.
Duke marrë parasysh se si më parë edhe tash kemi pasur vendime gjyqësore që janë bazuar në ligje por nuk janë vendime në favor të drejtësisë, jep për të kuptuar se koncepti i drejtësisë mbetet ende larg qytetarit. E dhëna se për vepra të njëjta vendoset me qasje të ndryshme, del qartë se nuk kemi të bëjmë fare me drejtësi, por me qasje subjektive qe nuk ka të bëjë fare me procedurë ligjore-juridike, por me anshmëri politike. Dhe në raste të tilla e pësojnë ata të cilët nuk kanë mbeshtetje politike, ndërsa të tjerët nuk janë të rrezikuar sepse pas tyre qendron vet partia-shtet.
Çdo kush e ka të qartë se kemi të bëjmë me diskursin politik, përkatësisht të partisë-shtet, e cila vendosë gjyqtarët e prokuroret në të gjitha nivelet, andaj një veprim i tillë nuk është befasues.Mbetet çështje tjetër se deri kur do të ekzistojë një veprim i tillë që nuk është në favor të demokracisë, barazisë qytetare dhe të drejtësisë së proklamuar në aktet juridike.
Monizmi me parullën e “vëllazërim-bashkimit”
Në ato mjedise ku pakicat kombëtare janë të pranishme dhe përbëjnë pjesë të konsiderueshme të popullsisë së vendeve përkatëse ekzistojnë modele të mbrojtjës ligjore dhe institucionale të tyre. Ndonëse në aspektin ligjor çështjet e pakicave kombëtare janë rregulluar me kushtetutë dhe ligje përkatëse, çështja qendron të ana praktike, që do të thot se sa janë respektuar ligjet e tilla në praktikë dhe sa janë të kënaqur pakicat me pozitën dhe statusin e tyre.
Pakicat kombëtare në kohën e monizmit nuk kishin ndonjë trajtim të veçantë legjislativ dhe si të tilla, trajtoheshin përmës konceptit të përgjithshëm qytetar, pa pasur subjektet e tyre.Ishte kjo koha e parullës së “vëllazërim-bashkimit” ku çdo gjë projektohej nga zyrat e komiteteve duke përcaktuar dhe të drejtat e pakicave në veprimtaritë e ndryshme shoqërore. Madje, përcatoheshin edhe individët si më të përshtashëm dhe të pranueshëm për pushtetin e kohës. Ndërsa varësisht prej rrethanave shoqërore edhe kërkesat më elementare nga pjesëtarë të pakicave vlerësoheshin si kërkesa nacionaliste.Ishte kjo koha e mbijetesës për shqiptarët sidomos pas vitit 1981, kur kishte marrë hov fushata antishqiptare duke luftuar gjoja nacionalizmin shqiptar.
Përfaqësimi autentik në pluralizëm
Por, nga viti 1990, me miratimin e pluralizmit politik, pakicat kombëtare, përkatësisht popujt e ndarë formuan subjektët e tyre politike të cilat ishin përfaqësuesit e tyre autentik në mbrojtje të identitetit kombëtar. Një veprim i tillë ishte përgjigje ndaj pushtetit i cili nuk ka treguar gadishmëri për barazi qytetare e nacionale të shqiptarëve, por në mënyrë perfide ka vepruar kundër identitetit kombëtar të shqiptarëve në hapësirën e tyre etnogjeografike.
Dhe nga ajo kohë shqiptarët marrin pjesë në zgjedhjet politike në nivel lokal e ate shtetëror, duke qenë zëdhënës të kërkesave të tyre për barazi qytetare e nacionale. Është çështje tjetër se sa janë realizuar kërkesat e tilla, duke marrë parasysh se shumica qeverisëse ende vazhdon me sindormin antishqiptar që nuk është në favor të pluralizmit politik dhe të demokracisë parlamentare.
Në pluralizëm pavarësisht rrethanave shoqërore me gjithë pengesat subjektive, shqiptarët në Mal të Zi, kanë arritur disa drejta, të cilat iu ishin mohuar më herët. Por, iu mbetet qe përfaqësuesit e shqiptarëve të vazhdojnë në koordinim për avancimin e pozitës dhe të statusit të tyre në këtë mjedis. Këtu kryesisht mendojmë në përfaqësimin proporcional, në organët qeveritare, pastaj në investime, e sidomos në fushën e arsimit dhe të kulturës duke u udhëhequr me kuadro profesionale si kudo në botën demokratike.
Çështjet e tilla janë jetike për shqiptarët dhe nuk duhet të trajtohen si personale apo partiake, sepse kemi të bëjmë me të drejtat e mohuara që janë në mbrojtje të identitetit kombëtar shqiptar në këtë mjedis.
(Nëntor 2024)