Diskursi demografik
Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave(INSTAT) në lidhje me regjistrimin e popullsisë në vitin 2023, dëshmojnë se në Shqipëri banojnë 2,402,113 banorë, ku 50.4% janë të gjinisë femër, ndërsa 49.6% janë meshkuj, ndërsa sipas strukturës kombëtare 91% janë shqiptarë, 2,8% minoritete dhe 5,6% nuk janë deklaruar. Ne krahasim me regjistrimin e fundit(2011) del se janë rreth 420 mijë banorë me pak, që është dëshmi e procesit të emigrimit të popullsisë me pasoja të shpopullimit të vendit
Nga Nail Draga
Më së fundi me 28 qershor nga Instituti i Statistikës(INSTAT) u publikuan të dhënat nga regjistrimi i popullsisë në Shqipëri, ku është vlerësuar se më datë 18 shtator 2023, në vend janë 2 402 113 banorë, të cilët përbëjnë 755 950 familje, me madhësi mesatare 3.2 anëtarë për familje, të cilët jetojnë në 1 082 529 banesa.
Ndryshimet demografike në kohën e tranzicionit
Ndonëse në regjistrimin e popullsisë në vitin 1989, popullsia e Shqipërisë kishte 3.2 milion banorë, pas vitit 1990, apo siç njihet koha e tranzicionit, ajo nisi të zvogëlohet duke shënuar një fazë të re në zhvillimin politik, ekonomik dhe demografik të Shqipërisë.
Kemi të bëjmë me ndryshime shoqërore e politike, sepse nga viti 1990 edhe në Shqipëri u miratu pluralizmi politik, ku rol të veçantë ka luajtur dukuria e emigrimit të popullsisë, me ç´rast ndikoj në uljen e lindshmërisë, e me këtë në zvoglimin e popullsisë, qe u dëshmu në regjistrimet vijuese të popullsisë: 3,1 milion(2001), 2,8(2011) dhe 2,4(2023). Pikërisht regjistrimi i fundit, është nën ate te mbajtur në vitin 1979, ku popullsia e Shqipërisë ishte 2,6 milion banorë.
Numër i lartë i të emigruarve
Në dekadën e parë poskomuniste në Shqipëri 1990-2001, numri i të emigruarve llogaritet rreth 650 mijë individë, duke vazhduar me të njëjtin trend edhe në vitet vijuese. Kështu, nga viti 2001-2011 vlerësohet se rreth 500 mijë individë emigruan nga Shqipëria, nga del se kemi të bëjmë me një mesatare prej rreth 50 mijë individë në vit. Në disfavor të shtimit natyror të popullsisë është edhe lindshmëria, sepse numri i lindjeve ka ardhur në rënie, nga 53 mijë në vitin 2001 në 34 mijë në vitin 2011, ndërsa, numri i vdekjeve në këtë periudhë mbeti në nivele të qëndrueshme, rreth 20 mijë vdekje në vit, duke rezultuar me një shtesë natyrore pozitive. Gjithashtu, referuar periudhës 2011-2023, popullsia e Shqipërisë karakterizohej nga një shtesë natyrore pozitive deri në vitin 2020, dhe në 2021 mbas pandemisë COVID-19, numri i vdekjeve tejkaloi numrin e lindjeve. Për vitin 2023, nga të dhënat administrative rezultuan rreth 24 mijë lindje dhe 22 mijë vdekje, duke shënuar rikthim në shtesën natyrore pozitive.
Nëse krahasojmë të dhënat nga regjsitrimi i fundit të popullsisë të mbajtur në vitin 2011, kur popullsia ishte 2.821.977 banorë, ajo pësoi rënie 420 mijë banorë më pak.
Në sajë të regjistrimit të popullsisë janë siguruar të dhëna të vlefshme për të hartuar strategji kombëtare, për të udhëhequr zhvillimin mbi ekonominë, arsimin, punësimin, shëndetësinë, kushtet e banimit, karakteristikat etno-kulturore dhe për të ndihmuar në kuptimin e nevojave në ndryshimet popullsisë si dhe objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.
Popullsia sipas qarqeve
Në sajë të dhënave të publikuara sipas qarqeve në Shqipëri pothuaj 1/3 e popullsisë jeton në qarkun e Tiranës(32%) ndërsa më pas me 10% janë Fieri e Elbasani, Durrësi(9%), Korça(7%), Shkodër, Vlorë e Berat(6%), Dibër e Lezhë(4%),ndërsa si më parë edhe tash qarqet me më pakë banorë janë ai i Kukësit dhe i Gjirokastrës(3%), të cilët veçohen jo vetëm me emigrim të theksuar të banorëve.
Struktura kombëtare me ndryshime të minoritetet
Në sajë të dhënave për strukturën kombëtare të popullsisë dominojnë shqiptarët me 2.186.917 banorë(91%), ndërsa pjesën tjetër prej 2.8% e përbëjnë minoritetet e 5.6% janë të pa deklaruar në aspektin kombëtar.
Në kuadër të minoriteteve janë paraqitur ndryshime të theksuara. Në këtë aspekt me të numërt vazhdojnë të jenë grekët me 23.485 banorë, ndërsa të minoritetet tjera janë paraqitur ndryshime sasiore qe janë si ne vijim; të deklaruar si egjyptianë 12.375 banorë, romë 9813, bullgarë 7057, boshnjakë 2963, arumunë 2459, maqedonas 2281,serbë 584, malazezë 511, ndërsa pa përgjigje janë 134.507 qytetarë.
Struktura fetare pësoi ndryshime
Ne lidhje me strukturën fetare të popullsisë, del se kemi ndryshime ne krahasim me regjistrimin e fundit të popullsisë. Me të shumtë janë pjesëtaret e përkatësisë së fesë islame 45.7%, bektashi 4.8%, ateist 4.0%, ortodoks 7.2%, katolikë 8.4%, të papërcaktuar 19.4% dhe pa përgjigje 10%.
Reagime ndaj rezultatëve të publikuara
Në atë ditë qe u publikuan të dhënat nga regjsitrimimi i popullsisë, reaguan nga Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), si e vetmja parti që përfaqëson interesat e komunitetit maqedonas në Shqipëri, shpreh indinjatën dhe mospranimin e rezultateve të publikuara të Censusit 2023, duke theksuar se shifrat për minoritetin maqedonas janë të manipuluara dhe të falsifikuara. Procesi i regjistrimit të popullsisë nuk ishte i drejtë dhe transparent, dhe nuk u zbatuan standardet ndërkombëtare dhe ato të Eurostatit, duke kërkuar që të bëhet një census i ri. AMIE shton se në zonën e Prespës, Gorës dhe Gollobordës ku jeton minoritet maqedonas është bërë presion nga ana e Bullgarisë dhe janë dhënë pashaporta për qytetarët shqiptarë.
Një nga problemet që kemi pasur gjatë periudhës përpara fillimit të regjistrimit të popullsisë dhe gjatë tij ështe presioni nga ana e Bullgarisë që minoritetit maqedonas të deklarohet bullgar.
Ky presion vinte pas njohjes nga Shqipëria në vitin 2017, të një minoriteti inekzistent bullgar brenda kufijve të saj, pas kërcënimit të Bullgarisë me vendosjen e vetos ne rrugën evropiane, ku sipas të dhënave zyrtare të censusve të realizuara ndër vite si dhe censusi i vitit 1989 dhe ai i fundit në vitin 2011, në Shqipëri nuk është vetdeklaruar asnjë banor si bullgar.
Nga publikimi i të dhënave nga regjistrimi i popullsisë përveç maqedonasve nuk ka ndonjë reagim tjetër ne lidhje me prezantimin e të dhënave sa i përket strukturës kombëtare të popullsisë, çështje e cila ka të bëjë me identitetin e çdo qytetari në Shqipëri.
Ortodoksët e katolikët të pakënaqur me regjistrimin
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka reaguar lidhur me regjistrimin e popullsisë, duke kundërshtuar rezultatin e deklarimit të besimit fetar. Sipas regjistrave tanë të pagëzimeve, thuhet në deklaratën e kishës tregohet qartë se numri i të krishterëve ortodoksë është shumë herë më i madh nga sa rezulton në Cens, duke kujtuar se sipas statistikës së vitit 1927 kemi këto të dhëna: myslimanët sunitë dhe bektashinj përbënin 67.5%; ortodoksët 22.3% dhe katolikët 10%.
Në lidhje me regjistrimin e popullsisë kanë reaguar edhe nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, ku kanë shprehur dyshime për numrin e katolikëve të regjistruar. Siç duket ky regjistrim ka nxitur qe ky komunitet të angazhohen për të kryer një regjistrim në famullitë e dioçezat, për të eliminuar dilemat e prezantuara për pjesëtarët e komunitetit katolik në Shqipëri.
Nga të dhënat e prezantuara për regjistrimin e popullsisë sipas strukturës fetare del qartë se qytetarët nuk kanë treguar ndonjë përkushtim personal ne lidhje me këtë strukturë që dëshmohet edhe nga të dhënat numerike. Kështu, numri i madh i besimtarëve të pacilësuar (13.8%), të atyre që preferuan të mos përgjigjen (10.2%), dhe të atyre që nuk ishin të disponueshëm (5.6%) – që në total janë 29.6% – e bën të paplotë tablonë e besimeve fetare në Shqipëri. Kemi të bëjmë me një te dhënë e cila meriton një analizë të veçantë, për të dhënë përfundime të pranueshme se cili ishte ai faktor për një deklarim të tillë, si asnjëherë deri më tash.
Popullsia po plakët
Në krahasim me regjistrimin e vitit 2011, kur mosha mesatare e popullsisë ishte 35 vjeç, kësaj here ajo pësoi ndryshime dhe është 42.5 vjeç, pra për 7 vjet më shumë që është dëshmi se popullsinë e Shqipërisë e ka përfshi moshënimi demografik, proces i cili do të jetë me pasoja afatgjate në popullsinë e vendit.
Shpopullimi proces me pasoja
Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se në regjistrimin e popullsisë i cili ishte i dymbëdhjeti në historinë e shtetit shqiptar, popullsia rezidente ishte 2,402,113 banorë. Ndërsa dymbëdhjetë vjet më parë, në regjistrimin e vitit 2011, popullsia faktike ishte 2.8 milionë banorë ndërsa shtesa natyrore për periudhën 2012-2023, pra diferenca mes qytetarëve të lindur dhe atyre të vdekur, është 88 mijë vetë. Kjo do të thotë se në rast se Shqipëria nuk do të kishte emigrim, popullsia do të shtohej me 88 mijë vetë në vend që të tkurrej me 400 mijë.
Por, nuk ka dilemë se numri i shqiptarëve që kanë përjetuar emigrimin ka gjasa që është më i lartë për shkak se në popullsinë rezidente 2023, përfshihen edhe shqiptarët që emigruan në dekadat e mëparshme dhe u rikthyen në vend në dekadën e fundit.
Pikërisht nga këto te dhëna del qartë se në çdo vit përgjatë 12 viteve të fundit nga Shqipëria janë larguar së paku 40 mijë vetë ose gati 1.5% e popullsisë rezidente. Kjo e dhënë dëshmon në mënyrë transparente se Shqipëria po shpopullohet, me pasoja të mëdha shoqërore e kombëtare tash e në të ardhmën.
(Korrik 2024)