Partitë e ish Frontit Demokratik pro-rus dhe Partia Boshnjake, u bënë pjesë e qeverisë së Malit të Zi, pasi parlamenti malazez miratoi të martën me shumicë votash riorganizimin e saj, mes shqetësimeve të Shteteve të Bashkuara, kundërshtimit të presidentit të vendit dhe të opozitës.
Partitë pro-ruse dhe pro-serbe do të kenë dy poste zëvendëskryeministrash dhe tri ministri, ndërsa boshnjakët një post zëvendëskryeministri dhe pesë ministri.
Qeveri do të ketë 24 poste ministrash dhe 7 poste zv/kryeministrash, gjë që e bën atë më të madhen në historinë e parlamentarizmit në Malin e Zi.
Në fjalën e tij para deputetëve, kryeministri Milojko Spajiç vuri në dukje rëndësinë e qeverisë për të ardhmen e vendit.
“Kjo qeveri është një garantuese i qëndrueshmërisë dhe pjekurisë. Ne jemi shembull se si serbët dhe shqiptarët, serbët dhe boshnjakët, serbët dhe malazezët – të gjithë mund të jetojnë dhe punojnë së bashku. Ne do të jemi një fanar për gjithë Ballkanin”, tha kryeministri malazez.
Riorganizimi i qeverisë u kritikua nga partitë opozitare malazeze, të cilat thanë se hyrja e partive pro-ruse, nënkupton një qeveri që do të drejtohet nga Moska dhe Beogradi.
“Koka dhe truri janë në Moskë. Shefi i kësaj qeverie është (kryetari i parlamentit) Andrija Mandiç dhe në të nuk ka asnjë përfaqësues nga kombi malazez”, tha Andrija Nikoliç nga Partia Demokratike e Socialistëve.
Sipas opozitës këto parti “mbrojnë heqjen e sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë kundërshtarë të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, mohojnë gjenocidin në Srebernicë dhe mbështesin kriminelët e luftës Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç të dënuar në Hagë”.
Ky është riorganizimi i parë i qeverisë malazeze e cila u formua në fund të tetorit të vitit të kaluar, duke lënë në opozitë pas gati tre dekadash Partinë Demokratike të Socialistëve të ish presidentit Milo Gjukanoviç.
Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht se partitë dhe udhëheqësit që kundërshtojnë vlerat euroatlantike të mos jenë pjesë e pushtetit. Një qëndrim të ngjashëm kanë shprehur edhe institucionet evropiane.
Të martën, ambasada amerikane në Podgoricë shprehu shqetësimin e saj me përbërjen e re të qeverisë.
“Jemi të shqetësuar për përfshirjen në qeveri të partive dhe udhëheqësve që nuk e dënojnë agresionin rus në Ukrainë, kundërshtojnë sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe veprimet e të cilëve janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore“, tha ambasada amerikane në një përgjigje për Zërin e Amerikës.
“Si aleat dhe partner i ngushtë i Malit të Zi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin dhe njohin veprimet konstruktive të parlamentit dhe qeverisë, duke vënë në dukje aktivitete që janë në kundërshtim me vlerat euroatlantike dhe rrezikojnë përparimin e prekshëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane, duke u bërë thirrje qeveria dhe deputetëve të qëndrojnë të përqendruar në qëllimin e përbashkët të anëtarësimit në BE dhe të shmangin çështjet që nxisin përçarje.
Para seancës së parlamentit, presidenti malazez Jakov Milatoviç, tha se “Mali i Zi sot është viktimë e tregtisë më primitive politike dhe papërgjegjshmërisë që kryeministri vazhdimisht e demonstron ndaj drejtimit të vendit”.
Në një postim në platformën e medieve sociale X, presidenti shkroi se “kur menduam që asgjë nuk mund të na befasojë më, sot jemi dëshmitarë të një tjetër mashtrimi dhe fyerjeje ndaj mendjes së shëndoshë të qytetarëve të Malit të Zi. Pasi u bë e qartë për qytetarët se ideja e ndryshimit është tradhtuar, rrënimi i jetës politike dhe i proceseve demokratike vazhdon. Mostransparenca, mungesa e parimeve dhe tregtia me interesat shtetërore, arrijnë kulmin me votimin e qeverisë më të madhe në historinë e Malit të Zi, qëllimi i së cilës është mbrojtja e interesave individuale, e jo përmirësimi i shoqërisë sonë dhe rruga evropiane e vendit”.
Mali i Zi, një vend anëtar i NATO-s që nga viti 2017, konsiderohej si vendi më i avancuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ka hapur të gjithë kapitujt në negociatat për anëtarësim.
Por, për shkak të krizës politike dhe institucionale, që nga dhjetori vitit 2021 Mali i Zi nuk ka pasur një konferencë ndërqeveritare me BE-në, për shkak të përparimit të pamjaftueshëm në reformat e nevojshme për procesin e anëtarësimit. /VOA/