Nga Hajrullah Hajdari
Gjurmët e jetës dhe vendbanimet ilire në Ulqin dhe rrethinën e tij përmendet që në kohën e bronzit. Valët e jetës, për më shumë se 2500 vjet, kanë shkruar ngjarje e rrebeshe të panumërta që herë pas here edhe e kanë rrezikuar ekzistencën e këtij qyteti. Por bukuritë mahnitëse, që natyra ja ka dhuruar kësaj treve, po ashtu ka lënë gjurmë në të kaluarën historike, herë të shndritshme e herë edhe shumë të zymtë. Kësaj radhe do të fokusohemi të ajo pjesë që Ulqinin e bëri joshës, jo vetëm për qytetarët e saj por edhe për të huajt, qoftë si udhëtarë, kalimtarë e sidomos për ata që e kanë zgjedhur si destinacionin e tyre për të kaluar pushimet apo për të kërkuar shërim nga sëmundjet e ndryshme që banjat e Ulqinit i ofrojnë, pra do të flasim për fillët e turizmit në Ulqin.
Falë pozitës së mirë gjeografike, kushteve klimatike dhe resurseve tjera suplementare në Ulqin ekzistonin kushte reale për zhvillimin e turizmit. Bukuritë natyrore të Ulqinit, bregdeti me rërë të imtë dhe cilësi shëruese, rrethina e pasur me prodhime bujqësore, ullishta, afërsia e lumit Buna dhe liqenit të Shasit e shumë çka tjetër, paraqitnin parakushte të mirëfillta për zhvillimin ekonomik, veçanërisht turizmit si një degë më fitimprurëse e ekonomisë.
Megjithatë, veprimtaria kryesore e ulqinakëve ishte detaria dhe bujqësia, veçanërisht ullishtaria. Fusha e Ulqinit, deri në tharjen e Baltës së Ulqinit (liqenit të Zogajve), ishte një bahçe e vërtetë për çdo familje ulqinake. Ndërkaq, si pasojë e hyrjes së ujit të detit në fushë, të ndikuara nga gabimet inxhinierike (me apo pa qëllim) fusha e Ulqinit e humbi vlerën që kishte pasur më herët. Pas Kongresit të Berlinit Malit të Zi iu dhuruan qytetetet bregdetare shqiptare Tivari dhe Ulqini. Këto dy qytete, sidomos Ulqini u stërmbushë me ardhacak të cilëve Knjaz Nikolla u kishte dhuruar tokën e ulqinakëve në Fushëne Ulqinit, Mal të Brisë e gjetiu. Natyrisht, kjo ndikoi në mirëqenien e familjeve ulqinake.
Trendi i zhvillimit të turizmit në Evropë kishte filluar që në pjesë e parë shekullit XIX , bëri që edhe Mali i Zi të këkojë mundësi për krijimin e kushteve themelore për angazhimin e shtetit për zhvillimin e turizmit.
Fillet e turizmit në Mal të Zi, sipas shënimeve të shkruara, janë të lidhura me rivieren e Hercegnovit, ku objektet e para turistike paraqiten në fundin e shekullit XIX. Megjithatë, paraardhës i hotelerisë në Mal të Zi konsiderohet të jetë fisniku hungarez Antal Magyar nga Budimpeshti, i cili në vitin 1902 ndërtoi një pansion të vogël në plazhin e gjelbërt në Zelenikë, i cili më vonë u quajt hotel „Plaža“.
Duke u mbështetur në dokumentet arkivore, literaturën e shkruar dhe zhvillimin e turizmit në përgjithësi mund të konstatojmë se zhvillimi i turizmit në Ulqin ka kaluar së paku në katër faza. Faza e parë përfshinë fazën e ndërgjegjësimit, e cila nisë në fillim të shekullit XX e deri në mbarimin e Luftës së Parë Botërore. Ishte kjo periudha kur larja në det akoma nuk kishte kaluar në traditë. Faza e dytë përfshinë arritjet e para në zhvillimin e turizmit e cila përfshinë kohën ndërmjet dy luftrave botërore. Faza e tretë është ajo e zhvillimit intenziv dhe përfshin kohën pas Luftës së Dytë Botërore e deri në shembjen e sistemit komunist në Jugosllavi dhe Faza e katërt e cila mund të konsiderohet si faza e rimëkëmbjes dhe konsidilimit, që pa dyshim vazhdon sot e kësaj dite.
- Faza e parë – faza e ndërgjegjësimit
Me bukuritë natyrore që kishte, kushtet klimatike të volitshme dhe pozitën gjeografike Ulqini vazhdimisht tërhiqte vëmendje të veçantë. Gazeta e atëhershme „Glas Crnogoraca“ në fund të shekullit XIX dhe në fillim të atij XX shpeshherë sillte shënime apo të dhëna për kushtet e mira që ofron bregdeti i këtij qyteti për vizitorët e rastit apo edhe për ato që kanë nevoja shëndetësore. Kjo bëri që shumë zyrtarë malazez, qytetarë të ndryshëm, përfaqësues diplomatik në Mal të Zi, por edhe të huaj gjatë muajve të verës të vizitojnë Ulqinin. Pothuajse të gjithë mahniteshin me aromën e detit, rërën e imtë dhe bukurinë e gjytetit – Kalasë nga ku shfaqej një pamje marramendëse në horizont. Numri dhe struktura e i vizituesve bëri që Drejtoria e Financave të Komunës së Ulqinit, në korrik të vitit 1889, të kërkojë mendimin e Ministrisë së Financave të Malit të Zi, për zbatimin e ligjit mbi taksat. Kjo argumentohet me një telegram dërguar nga Ulqini ministrit Niko Martinoviqit, në të cilin thuhet: „ Konsulli turk si dhe konsuj të tjerë që vijnë verës në Ulqin për të bërë banjë, tregtojnë birrë, duhan e artikuj të tjerë, dhe duam të dijmë se a duhet të paguajnë taksën apo jo“. Kjo tregon se banja (plazhi) e Ulqinit ishte në zë që në fund tëshekullit XIX dhe gjatë muajve të verës, frekuentohej nga turistë të vendit dhe të huaj. Gjithësesi, nga telegrami i përmendur vërejmë se Ulqini ishte edhe qendër tregtare ku të huajt tregtonin artikuj që në pjesën tjetër të Malit të Zi nuk gjendeshin apo nuk ishit të kualitetit si ato që mund të tregetoheshin në Ulqin.
Siç cekem Ulqini gjatë muajve të verës vizitohej nga përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Cetinë, të cilët sillnin me vete edhe intelektualë të sferave të ndryshme nga Evrpoa. Në verën e vitit 1905 në Mal të Zi, si mysafir i Knjazit, së bashku me motrën e tij Emilija, e cila studionte në Paris, vjen arkeologi u njohur rus Tuvon Venediktoviç Kibalçiç, me ç’rast vizitoi Tivarin, Ulqinin dhe Podgoricën. Ai u impresianua me bukuritë e Ulqinit dhe mundësitë që ofronte për zhvillimin e turizmit. Për këtë arsye, në vitin e ardhshëm (1906) ai erdhi përseri në Ulqin. Ai vizitoi Ranën dhe Kalanë dhe konstatoi se potencialet turistike të Ulqinit janë të llojllojshme dhe shumë interesante. I impresionuar nga bukuritë natyrore dhe mundësit e zhvillimit të këtij qyteti, u zotua se këtu do të investojë kapitalin e tij për të bërë këtë qytet më tërheqës dhe të kompletuar. Madje ai u përcaktua për dy troje në Kala, ku do të ndërtojë bibliotekën me sallë të leximit, muzeun dhe kafenenë e qytetit. Me të kthye në Vjenë, ku vazhdonte të vepronte, ai iu drejtua me lutje Kuvendit Popullor të Malit të Zi, me të cilën kërkon që të përkrahet iniciativa për ndërtimin e objekteve të përmendura dhe të përcaktohen kushtet lehtësuese për investim të kapitalit personal si shtetas i huaj. Kërkesën e Kibalçiçit e përkrahën dy deputetet nga Ulqini Savo Pllamenac dhe Savo Gjurashkoviq. Në arsyetim të pranimit të kërkesës së Kibalçiçit si të tyrën ato theksuan: „Duke marrë parasysh gjendjen e vështirë atje (mndohet në Ulqin), shpërngulja e fuqisë tonë punëtore dhe ushtarake në Amerikë, në emër të popullsisë së varoshit të Ulqinit dhe rrëthinës së tij, ne si deputet i bashkangjitemi kërkesës në fjalë“. S’ka dyshim se kjo iniciativë u pëlqeu pushtetarëve malazezë, aq më tepër kur bëhej fjalë për një ivestim të shtetasit rusë. Pasi deputetet ulqinakë e pranuan këtë kërkesë si të tyrën ajo u konsiderua si propozim. Komisioni i veçantë i Kuvendit Popullor e mori menjëherë në shqyrtim, kështu që Kuvendi Popullor në mbledhjen e LIII, më 1 shkurt 1907, pas shqyrtimit të kërkesës vendosi: „Autorizohet Qeveria e Principatës, nëse me Kibalçiçin mund të arrihet një marrëveshje për planet e tija të mëtutjeshme, që atij t’i jipen muret e kërkuara me tokën përkatëse“. Në bazë të kësaj iniciative Kuvendi Popullor në fillim të vitit 1907 kishte proceduar Projektligjin mbi privilegjet në investime, të cilin në mars të po atij viti, shtypshkronja e shtetit e shtypi në 100 kopje. Kjo tregon se interesimi i shtetit për investimin rus në Ulqin ishte i madh. Me të dëgjuar për nisjen e iniciativës Kibalçiç vjen përseri në Mal të Zi. Me 20 mars 1907 Ministria e Punëve të Brendshme i jep Kibalçiçit vërtetimin se Qeveria e Principatës e ka punuar ligjin dhe pritet aprovimi i tij.
Trualli i kërkuar kishte 1000m2 por nuk ishte i mjaftuashëm për investimet e pretenduara të Kibalçiçit, pranda ai iu drejtua kryetarit të Komunës së Ulqinit Ilija Srzentiqit që ti jepen edhe 500m2.Srzentiqi mënjëherë kërkesën ia përcolli Drejtorisë Krahinore me qendër në Tivar. Drejtoria e pranoi kërkesën dhe mënjëherë ia dërgoi MPB-së për aprovim. Pasi e pranoi kërkesë MPB-ja i dha urdhër Drejtorisë Krahinore që të bënte matjet e duhura të truallit. Por, siç ka ndodhur kurdoherë, sot e kësaj dite, kur është bërë fjalë për investime në Ulqin, Këshilii për ekonomi i Kuvendit Popullor jep mendim negativ, ndërsa as Këshilli Shtetëror ( Këshilli i Ministrave) nuk kishte vendim të qartë në lidhje me investimin e Kobilçiçit, ishte i përmbajtur. Vërejtjet e Këshillit Shtetëror për projektin e investimeve të përmendura kishin të bënin me rëndësinë e posaçme të qytetit të vjetër-Kalasë me interes për shtetin nga aspekti i sigurisë. Lidhur me këtë aspekt u vendos që shteti duhet të mbajë kontrollin e plotë për këtë hapsirë. Po ashtu, ekzistonin rezerva ndaj Kobilçiçit sepse duke qenë arkeolog me përvojë, gjatë punimeve mund të zbulonte artefakte nga epokat e hershme e të cilat mund t’i përvetësonte. Në bazë të kësaj rezerve ndaj Kobilçiçit u vendos që në kontratë të parashihet se një përfaqësues i shtetit çdo herë të jetë i pranishëm gjatë punimëve si dhe në rast nevoje në çdo moment shteti mund të nacionalizojë sipërmarrjen e Kobilçiçit.
Këto kushte të vëndosura, të cilat shikuar nga retrospektiva ishin më vend sepse Kalaja u shpëtua nga devestimet dhe lojërat ruse, sigurisht nuk i pëlqyen Kobilçiçit, kështu që ai në shtator të vitit 1907, pa paralajmërim e pa asnjë koment iku nga Ulqini.Kështu ky investim i cili premtonte dhe mund të vente themelet e zhvillimit të turizmit në Ulqini dështoi. (Koha Javore) – Vijon-