Nga Gjekë Gjonaj
Sot në Katërkollë, Komuna e Ulqinit, Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet tona” organizoi për të katërtin vit me radhë ndarjen e bursave për studentët nga treva e Anës së Malit.
Donacionin me vlerë prej 34.500 euro e mundësuan Fondacioni Lukaj (50 %), Familja Hajdari (25%), Dina dhe Ahmet Kurmemaj (15 %) dhe donatorët tjerë (10 %). Përfitues të bursës janë 50 studentë.
Përfituesve të këtyre bursave ju mbetet të përfitojnë nga mundësia e shkëlqyer për të zhvilluar aftësitë akademike dhe profesionale.
Ky fondacion ka në krye të tij njerëz bamirës dhe donatorë të mrekullueshëm të cilët me zemrën e tyre të madhe, shpirtin human e të çiltër ndihmojnë me shumë dashuri e mirësi të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë, jo vetëm në vendlindjen e tyre, por edhe në treva tjera shqiptare në Mal të Zi.
Falënderimi u takon edhe të gjithë anëtarëve e vullnetarëve të këtij fondacioni, të cilët duke punuar pa shpërblim, në çdo veprimtari të këtij lloji, po ecin në gjurmët e dashurisë njerëzore.