Në esencën e “Shotës” është ruajtja e traditës muzikore e koreografike të trashëgimisë. E koncerti i fundvitit, pos festës, ka qenë një gërmim në hapësira të ndryshme shqiptare. Kësaj radhe, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve e ka zgjeruar hartën deri në Ulqin e prej aty ka marrë edhe “Vallen e peshkatarëve”, të cilën e ka rikthyer para publikut në Kosovë pas dy dekadash, kur e luajti për herë të parë
Nga Besartë Elshani
Institucionet kulturore e kanë bërë traditë ta mbyllin programin vjetor me organizime festive. Trupa e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” të hënën mbrëma ka sjellë xhevahiret e krijimtarisë muzikore e koreografike tradicionale. E veçanta ka qenë rikthimi i “Valles së peshkatarit” me koreografi të Haki Mulliqit.
Një vit aktivitete “Shota” e ka përthekuar me koncertin më shumë se njëorësh në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, në kryeqytet. Valltarët kanë qenë të angazhuar që para nisjes së koncertit në pritjen e mysafirëve. Është pjesë e një lloj skenari në çdo koncert të Ansamblit e një lloj nderimi për publikun. Në koncertin kurorëzues të vitit të institucionit, salla ka qenë përplot.
Numri i atyre që e kanë ndjekur koncertin në këmbë kanë qenë thuaja i barabartë me ata që kanë siguruar ulëse në sallën e ngushtë që tashmë është adresë për shfaqje teatri, baleti e koncertet e “Shotës” dhe jo vetëm. Të pranishëm kanë qenë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Zërat e bukur dhe valltarët profesionistë kanë nisur të shpalosin pasurinë e këngëve dhe valleve popullore të trashëguara ndër breza. Çdo varg i këngës, tingull i muzikës e hap i valles kanë sjellë atmosferë harmonike te publiku në kuadër të koncertit festiv.
Introja e ngjarjes ka qenë kënga “N’agim herët” e interpretuar nga Samir Krasniqi e më pas është sjellë edhe “Vallja çame” e mjeshtrit të koreografisë, Panajot Kanaçi. Loja e mrekullueshme e Orkestrës ka përcjellë lëvizjet e valltarëve. E njëjtë ka qenë edhe një valle nga drejtori artistik i ansamblit, Ylber Asllanaj.
Vargjet e këngës së Shqipërisë së Mesme i ka interpretuar këngëtari Riza Bytyqi, ndërsa ato që kujtojnë sekuencat e luftës nga Saranda Alija me këngën “A vritet pafajësia”.
Në pjesën e dytë është sjellë një valle shumë dinamike e Fehmi Shaqirit, ndërsa në repertor ka qenë edhe kolazhi i këngëve të bukura shqipe nga Samir Krasniqi, Liridon Sadriu, Violetë Kukaj, Saranda Alija dhe Myrvete Bajrami-Haziri. “Kalldrëmit pom shkon si shah”, “Për herë t’parë dashninë fillova” dhe “Vetëm për ty mendoj” kanë qenë disa prej këngëve që kanë interpretuar.
Drejtori i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, Mehmed Xhemajli ka thënë se gjatë vitit kanë pasur prezantime të mrekullueshme në vend e jashtë vendit.
“Vitin e kaluar kanë qenë diku rreth 20 paraqitje. Sivjet prej marsit deri më tash kemi bërë diku 38 paraqitje. Kemi qenë jashtëzakonisht të zënë. Kemi marrë pjesë në Austri, Kroaci, Maqedoni e Shqipëri. Ne duhet të bëjmë më tepër për diasporën. Duhet patjetër të kultivojmë vlerat kombëtare. Misioni ynë është që të ruajmë e kultivojmë vlerat tona kombëtare”, ka thënë ai.
E veçanta e koncertit ku është prezantuar melosi tradicional ka qenë “Vallja e peshkatarit” me koreografi të Haki Mulliqit e rikthyer dy dekada pas, prej kur ishte dhënë premierë nga trupa e “Shotës” në vitin 2003.
Të përvjelë e me rrjeta kanë hyrë në skenë valltarët. Gratë kanë qenë me veshje nusërie. Derisa kanë hapur rrjetat, pjesët e shkurtra si kërkesa ndaj shoqëruesve të tyre kanë qenë humoristike. Krejt bashkë edhe kanë kënduar këngë ulqinake. Krejt koreografia në tërësi ka qenë me motive nga qyteti i Ulqinit. Me të është sjellë një pjesë e traditës detare.
Autori i koreografisë ka thënë se nëpërmjet saj sillet tradita e një treve më pak e hulumtuar.
“Është një trevë që pak është hulumtuar, pak është prezente. Që nga veriu në jug kemi krijimtari që u kushtohen. Kemi edhe nga Maqedonia, por jo nga Mali i Zi, nuk ka pasur krijimtari koreografike. Por edhe për shkak të vlerave të saj më kanë ftuar ta inskenojmë. Më vjen mirë që më kanë ftuar, që e kemi ringjallur pas dy dekadash, diçka që e ka vendin në mesin e artistëve dhe të opinionit të gjerë”, ka thënë profesori Haki Mulliqi, autor i shumë koreografive popullore.
Sipas tij, “Vallja e peshkatarit” është shumë më e veçantë për nga koreografia e pjesa muzikore.
“Ka qenë shumë e veçantë, sepse për dallim prej valleve të tjera në Shqipëri e Kosovë, kjo është një lirikë tjetër ku nuk ka ndonjë ritëm të veçantë a dinamikë më të madhe. Kjo është në frymën e një qyteti ku ka detin, relaksin, Mesdheun. Është shtruar kjo frymë dhe të them të drejtën publiku e ka pritur shumë mirë. Personalisht, nga e gjithë krijimtaria ime, kjo ka qenë më e veçantë”, ka thënë Mulliqi.
Drejtori i përgjithshëm i “Shotës”, Xhemajli, ka thënë se edhe në programin e sivjetmë kanë pasur rikthimin e valleve të vjetra.
“Ansambli ‘Shota’ ka diku rreth 50 valle, filluam me rikthimin e tyre, kjo është ndër të parat që e kemi rikthyer. Në fakt duhet të ftohen edhe autorët e valleve, në rast se ka diçka ndryshe”, ka thënë ai.
Koreografia është sjellë me disa ndryshime. Mulliqi ka treguar se një pjesë e valltarëve të tanishëm e kishin luajtur këtë pikë edhe në vitin 2003.
“Në momentin kur më kanë ftuar ta bëj vallen, kam qenë shumë i lumtur, kam ardhur me shumë dashuri, kemi punuar kohën e fundit me Ansamblin. Një pjesë e tyre ka punuar me vallen edhe në premierën e parë”, ka treguar koreografi Haki Mulliqi.
Solisti kryesor Besnik Grajçevci ka qenë njëri prej valltarëve që e ka luajtur atë për të dytën herë para publikut.
ndryshe nga karakteri dhe motivi i valleve tona të përhershme, për arsye se është krejt tjetër emocion, tjetër tregim, edhe në aspektin vizual. Kostumografia ka qenë ndryshe prej asaj që jeni mësuar të shihni ansamblin ‘Shota’. Nëse merret parasysh imazhi im, si një burrë fisnik e kreshnik që janë mësuar të më shohin në skenë, sot kam qenë një peshkatar, me motive dhe elemente të një detari, aq sa kishte elemente humori, aq edhe krenari”, ka thënë Grajçevci derisa ka folur për koreografinë “Vallja e peshkatarit”. Ajo luhet shpesh nga ansamble amatore në Ulqin, e njohur edhe si “Dum Sharaveli” ose “Vallja e piratëve”. Disa studiues konsiderojnë se ajo vjen prej afrikanëve të Ulqinit, apo “harapëve” siç u referohen vendasit, të sjellë dikur si robër, më pas të integruar në familjet ulqinake e në shoqëri.
Për Grajçevcin viti 2023 ka qenë i ngarkuar me aktivitete. E ka vlerësuar edhe pjesëmarrjen masive të publikut.
“Ka qenë vit shumë i ngarkuar me aktivitete si brenda dhe jashtë Kosovës. Në veçanti vizitat e diasporës. Ka qenë ndjesi e veçantë, sepse është koncert për fundvit, ku ndërlidhet me emocionet festive të nëntorit dhe tani. E veçanta ishte që salla ishte përplot dhe ne kur shohim se ata po kalojnë mirë me neve, ajo reflekton edhe në punën tonë në skenë’, ka thënë valltari i “Shotës”.
“Shota” ka festuar me këngë, muzikë e valle përmbylljen e një tjetër viti në shpalosjen e traditës shqipe. /Koha Net/