
Ish-kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, është zgjedhur kryeministër i Maqedonisë së Veriut. Ai do t’i prijë Qeverisë në detyrë që ka përsipër organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Xhaferi është kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ai u zotua se do t’i çojë përpara proceset e integrimit evropian.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 65 vota për e ka votuar ish-kryeparlamentarin, Talat Xhaferi, për kryeministër të vendit.
Xhaferi është kryeministri i parë shqiptar në këtë shtet dhe do ta drejtojë një qeveri teknike që rol kryesor ka transicionin e butë drejt zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale brenda 100 ditësh.
Pas marrjes së detyrës se re, ai ka shkruar se me formimin e qeverisë së re është përmbushur ëndrra për kryeministër shqiptar, dhe ka premtuar përmbushjen e ëndrrës për Maqedoninë Veriore demokratike, evropiane e të përparuar.
Krahas shtyrjes së proceseve drejt zgjedhjeve të reja, në fjalimin e tij në prag të votimit, ai u zotua se do t’i çojë përpara proceset e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Do të zbatoj të gjitha parakushtet ligjore, institucionale, organizative dhe operative për zbatimin e vullnetit të qartë të qytetarëve, duke synuar mundësimin e standardeve më të larta evropiane në procesin e fushatës zgjedhore dhe vetë zgjedhjet që të zhvillohen që të zhvillohen me ligjshmëri dhe legjitimitet të plotë dhe pranim konsensual të vullnetit elektoral të qytetarëve në plan nacional. Si dhe përpilimi i udhërrëfuesit për funksionimin e institucioneve demokratike deri në finalizimin e tyre”, ka thënë Xhaferi.
Qeveria teknike përbëhet edhe prej partive opozitar.
Rol në arritjen e marrëveshjes ka pasur edhe Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili theksoi orientimin e Maqedonisë si anëtare e NATO-s e vend kandidat në BE.
Ahmeti ka thënë se Marrëveshja paqësore e Ohrit i ka dhënë leje Talat Xhaferit që të bëhet zot në shtëpinë e tij.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë politikash do të drejtohemi. A do të mbetemi në instalimin e atyre ideve që gjithmonë kokën ta mbajmë te Moskva dhe stomakun te Evropa? Jo, këto dy gjëra bashkë nuk shkojnë, prandaj një zëri këtu, pa dallim përkatësie e ngjyre që i takojmë: jo Rusisë, po Evropës”, ka deklaruar Ahmeti.
Disa prej deputetëve opozitarë, si ata të partive VMRO-DPMNE, dhe të partisë së majtë kanë shprehur kundërshtime e rezerva për kryeministrin e ri.
Ato kanë akuzuar për korrupsion ndaj BDI-së dhe partive të tjera, porse në fund vetëm tri vota ishin kundër – meqë një pjesë e madhe e tyre dolën nga salla në momentin e votimit.
Në seancë nuk mori pjesë fare Lidhja Evropiane për Ndryshim – që është parti shqiptare.
Formimin e Qeverisë që e ka gjysmën e kabinetit me ministra shqiptarë e kanë mirëpritur edhe misionet diplomatike perëndimore në Shkup.
Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, kur e mori pozitën e ministrit të Mbrojtjes dhe më pas të kryeparlamentarit, hasi në rezistencë të partive nacionaliste maqedonase.
Një prej ditëve më të vështira e pati kur u pengua dhe iu hodh ujë në fytyrë nga ish- kryeministri Gruevski ,që i bënte thirrje të mos e lexonte tekstin ku e shpallte miratimin e ligjit për gjuhët, që e avanconte pozitën e gjuhës shqipe në institucionet maqedonase. /Koha Net/