Demë Mulliqi, Shkolla fillore kosovare ZILJA E THYER në Mal të Zi 1998/99, Botoi: Drini Graf, 2008

Viteve të fundit nga autorë të ndryshëm,  kanë dalë në qarkullim  botime në lidhje me dhunën, ekzodin dhe zhvendosjen e shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1998/99. Por, Demë Mulliqi dallohet nga të tjerët sepse duke qenë vetë dëshmitar okular na sjell librin Shkolla fillore kosovare ZILJA E THYER në Mal të Zi 1998/99, botuar në vitin 2008. Kemi të bëjmë  pikërisht me një titull jo të zakonshëm, por aty ku ka angazhim  dhe pasion e bashkëpunim mund të mbijetohet dhe të arrihen edhe rezultate. Eshtë pikërisht angazhimi i autorit Mulliqi, si pedagog shumëvjeçar, i cili ia ka arritur që edhe Zilja e thyer të kryej misionin e vet  arsimor dhe kombëtar.

Nga Nail  Draga

Opinioni i gjerë është i njohur se dhuna sistematike serbe në Kosovë pas eliminimit të autonomisë në vitin 1989, mori përmasa të gjëra diskriminuese në shumë fusha të jetës duke përfshirë  sidomos arsimin. Një veprim i tillë nuk ishte i rastit sepse rrezikun pushteti serb e shihte pikërisht te masa e gjerë e nxënësve dhe të studentët që ishin dhe mbeten shpresa e ardhmërisë në Kosovë. Duke rezistuar ndaj masave  ndëshkuese serbe, përfaqësuesit e arsimit në Kosovë gjetën rrugë të tjera për të mos iu nënshtruar pushtuesit serb. Kështu ndonëse të larguar nga objektet shkollore, shqiptarët  hapën shtëpiat e tyre si rrugë e vetme alternative për të mbijetuar. Por, nga viti 1998, masat represive të dhunës arritën kulmin, sidomos në pjesën perëndimore të Kosovës, në Rrafshin e Dukagjinit. Duke mos patur mundësi të përballimit të situatës, popullsia shqiptare e Kosovës ishte e detyruar të lëshoj vendlindjen. Ishte ky fillimi i një eksodi biblik, ku në vitin 1998-99 nga Kosova u larguan me dhunë rreth 1 milion shqiptarë.

Një numër i i konsiderueshëm  i tyre u vendos në Mal të Zi, sidomos duke filluar nga shtatori 1998 e më pas. Ishte kjo koha e mbijetesës për këtë popullsi e cila po përjetonte sikurse në vitin 1912/13  kur fqinjët tanë sllavët  filluan të zbatonin në praktikë projektin ekspansionist të Naçertanies, për spastrime etnike e zgjerime territoriale.

Por, në një situatë të tillë persona me dinjitet arsimor dhe pedagogjik nga Kosova, morën iniciativën për  të zhvilluar procesin mësimor në viset shqiptare në Mal të Zi. Përveç shtabeve të emergjencës për të zhvendosurit, që ishin themeluar nga Ulqini e deri në Rozhajë, tash u themelua edhe Komisioni për arsim. Pas shumë përgatitjeve  disa mujore nga viti 1998, pikërisht me 19 shkurt 1999, filloj të punojë në Ulqin Shkolla fillore kosovare ZILJA E THYER, në Mal të Zi. Dhe kjo shkollë e zhvilloj mësimin në Rozhajë, Plavë, Malësi-Tuz dhe Ulqin. Ishte kjo një punë titanike dhe shembull i qëndresës, organizimit  e mbijetesës, për të mos humbur një vit shkollor. Përsoni përgjegjës dhe meritë për organizimin e kësaj veprimtarie humane, morale e patriotike është autori i këtij libri Demë Mulliqi. Ai nuk ishte vetëm, por kishte bashkëpunëtorë të zellshëm që nuk kursyen asgjë për t’ia arritur qëllimit. Duke lexuar këtë libër del qartë se është i gjatë numri i të angazhuarve, nga skena politike, arsimore, kulturore e humanitare i atyre që e ndihmuan këtë proces. Autori na ofron të dhëna me interes, me emra e mbiemra, momente me rëndësi të veçantë, edhe pse momentet zhgënjyese nuk kanë munguar por nuk e kanë dëshpëruar që të heq dorë nga misioni i shenjtë i arsimit. Autori na paraqet një rast të veçantë, ku një nxënëse e kl. VII nga komuna e Klinës ka marrë me vete ditarin e klasës, sepse ishte e sigurt se ai do të humbasë përgjithmonë. Dhe kjo nxënëse e cila ishte e vendosur në Kosiq të Anës së Malit dëshmon se sa e vlerësojnë shqiptarët arsimin dhe edukimin.

Monografia iu kushtohet të gjithë atyre që punuan disa muaj pikërisht nga data 19 shkurt e deri më 30 qershor 1999, kur përfundimisht me sukses e përfundoj misionin e vet shkolla kosovare Zilja e thyer. Monografia përbëhet nga katër pjesë të cilat janë të shkoqitura në kapituj, tituj dhe nëntituj.

Në pjesën e parë i kushtohet rëndësi bisedave para fillimit të vitit shkollor, realizimit të vitit, aktiviteteve shkollore me aktivitete të lira, ndihmat për shkollën kosovare në komunën e Ulqinit si dhe aktivitetet pas kthimit në Kosovë.

Në pjesën e dytë paraqitet gjendja e shkollave fillore kosovare nga Rozhaja, Plava e Gucia, Tuzi dhe Ulqini.

Pjesa e tretë është përmbledhje e dokumenteve që paraqet një arkiv në miniaturë, ndërsa pjesa e katërt  paraqet një album i cili është dëshmi autentike e të angazhuarëve gjatë punës së kësaj shkolle në viset shqiptare në Mal të Zi.

Ishte kjo një punë e madhe sepse gjatë vitit shkollor 1998/99 në trojet shqiptare në Mal të Zi e vijuan vitin shkollor rreth 2500 nxënës. Autori na ofron të dhëna të dokumentuara të cilat nesër do të jetë një lëndë me interes për hulumtues të tjerë. Andaj gëzon fakti se i tërë materiali dokumentar do të dorëzohet në Arkivin e Kosovës. Një veprim i tillë është shumë i qëlluar, sepse “ka ndodhur ajo që është e shkruar”.

Në lidhje me këtë mision arsimor kontribut ka dhënë edhe autori i këtij vështrimi, i cili në cilësinë e drejtorit në SHF”Bedri Elezaga” në Katërkollë(Ulqin) nga tetori 1998 pa hezituar  ka sistemuar nxënësit kosovar në procesin mësimor  në vitin shkollor 1998/99 që dëshmohet nga dokumentacioni shkollor, por edhe në këtë botim.

Dhe në fund duhet përgëzuar autorin për këtë monografi me vlera jo vetëm arsimore, e cila është dëshmi autentike e kohës, që e kemi përjetuar të gjithë, duke dëshmuar solidaritet  që do të mbesë e shënuar në historinë e arsimit shqip, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.

Duke marrë parasysh se në këtë botim figurojnë emrat e shumë personave shqiptarë nga Ulqini e deri në Rozhajë, ky libër duhet të jetë pronë  e secilit individ apo institucion arsimor. Vetëm në këtë mënyrë do të ruajmë kujtesën tonë për kohën e ekzodit biblik të kosovarëve dhe rikthimin e tyre në Kosovën e çliruar më 12 qershor 1999.

Uroj dhe shpresoj që ky botim me vlerë në të ardhmen e afërt të ribotohet edhe me plotësime  të ndryshme, por të botohet me një dizajn cilësor, sepse në saje të përmbajtjes dhe lëndës së shtjelluar e meriton.                                                                                

(Botohet  me rastin e vdekjes së Demë Mulliqit(1946-2023) pedagogut,intelektualit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare)

By admini