Duke u bërë pjesë e qeverisë së re, partitë shqiptare i kanë hyrë një aventure, duke marrë përsipër rrezikun për dështimet dhe pasojat e saj, pa çka se fuqia e tyre në qeverinë e re do të jetë minimale dhe ato nuk kanë mundësi të ndikojnë në vendimet e saj. Ndërsa vetë qeveria e re e Malit të Zi paraqet një eksperiment të radhës, të cilin qytetarët e kanë provuar me dy qeveritë e kaluara. Edhe kjo qeveri pritet të ketë fatin e dy qeverive të mëparshme, të dala nga zgjedhjet e 30 gushtit 2020, të cilat nuk kanë arritur ta mbyllin mandatin katërvjeçar dhe të jetë jetëshkurtër.

Nga Ismet Kallaba

Vendimi i partive politike shqiptare të dy koalicioneve kryesore të përfaqësuara në Kuvendin e Malit të Zi për të qenë pjesë e qeverisë së re (të 44-të me radhë) të Malit të Zi ka shkaktuar me të drejtë reagime në opinionin brendashqiptar dhe malazez, për shumë arsye. Pikësëpari, sepse nisur nga përvoja e deritanishme, ka qenë i paimagjinueshëm dhe jo i natyrshëm një koalicion i partive shqiptare me forcat politike proserbe, siç janë ato që në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë përbërë koalicionin “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” (ish-koalicionin e dikurshëm Fronti Demokratik). Prandaj, në këtë kontekst mund të thuhet se me hyrjen e tyre në qeverinë, pjesë e së cilës do të jenë forcat ekstreme proserbe, partitë shqiptare kanë thyer një tabu, duke rënë ndesh me parimet e tyre programore dhe të proklamuara zëshëm, sidomos në fushatat parazgjedhore.

Së dyti, duke qenë parti të pakicës së vetme që kanë pranuar të jenë pjesë e qeverisë së re të Malit të Zi, të dominuar nga forcat me orientim proserb, partitë shqiptare kanë marrë përsipër barrën dhe përgjegjësinë e madhe. Për këtë arsye ka qenë e pritshme që partitë shqiptare, por edhe vetë shqiptarët si popull, do të kritikohen e madje edhe të akuzohen për tradhti ndaj interesave kombëtare dhe shtetërore të Malit të Zi nga forcat politike promalazeze dhe të gjithë ata që mbrojnë idenë e pavarësisë së Malit të Zi dhe qasjen se me këtë qeveri rrezikohet shtetësia e Malit të Zi. Nga ana tjetër, më shumë sesa nevoja reale për partitë shqiptare, duke qenë se e ka pasur të siguruar shumicën qeverisëse, mandatorit Millojko Spajiq, i cili pritet të jetë kryeministër i ardhshëm i Malit të Zi, pjesëmarrja e partive të pakicave, në këtë rast i partive shqiptare, i është dashur thjesht për imazhin e qeverisë së tij si proevropiane në sytë e ndërkombëtarëve. Në këtë mënyrë, ai nuk ka dashur të përsërisë gabimin e qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq, kur partitë e pakicave u lanë jashtë qeverisë, për ç‘gjë ka pasur kritika të shumta nga ndërkombëtarët.

Shikuar realisht, ka mjaft argumente për dhe kundër pjesëmarrjes së shqiptarëve (nënkupto partive shqiptare) në qeverinë e ardhshme të Malit të Zi. Shqiptarët në Malin e Zi duhen të vendosin vetë për fatin e tyre dhe të mos jenë peng i askujt – i luftës politike ndërmjet forcave politike promalazeze dhe proserbe, i një partie apo koalicioni të caktuar, sepse thënë me gjuhën popullore, partitë shqiptare nuk kanë lidhur kurorë me Partinë Demokratike Socialiste dhe me partitë tjera të krahut promalazez, me të cilat kanë qenë më herët në pushtet. Ata nuk duhen të fajësohen dhe të pësojnë për shkak të interesave politike e shtetërore të Malit të Zi, duke u gjendur gjithmonë në pozita jo të favorshme, në rolin e “shpëtimtarit” të Malit të Zi. Ata e kanë dëshmuar këtë katërçipërisht në referendumin për pavarësinë e Malit të Zi në vitin 2006.

Përkundër kësaj, është e vërtetë se partitë shqiptare edhe kësaj radhe janë ndodhur në një pozitë të palakmueshme dhe përballë një vendimi të vështirë. Dilema që shtrohet është nëse shqiptarët (partitë shqiptare) duhen të jenë pjesë e sistemit (pushtetit) apo të qëndrojnë jashtë tij në rrethanat ekzistuese. Nisur nga përvoja në të kaluarën mund të konkludohet se pozita e përgjithshme e shqiptarëve në Malin e Zi nuk ka ndryshuar për të mirë, jo vetëm kur nuk kanë qenë në pushtet, por edhe kur kanë qenë pjesë e qeverisjes në nivel shtetëror, me përjashtim të ndonjë përfitimi personal. Është fakt se në qeverinë aktuale të Malit të Zi, të kryeministrit në detyrë Dritan Abazoviq, shqiptarët kanë qenë më të përfaqësuar se kurrë më parë në historinë e pluralizmit politik në Mal të Zi. Prandaj, nuk duhet të nënvlerësohet edhe ky fakt si një prej faktorëve përcaktues në vendimmarrjen e partive shqiptare për pjesëmarrje në qeverinë e re. Së këndejmi, mospjesëmarrja e partive shqiptare në qeverinë e re të Malit të Zi do të nënkuptonte largimin me vullnetin e vet nga postet drejtuese që kanë fituar gjatë qeverisjes së kryeministrit Abazoviq e bashkë me këtë edhe të privilegjeve që gëzojnë falë ushtrimit të tyre.
Partitë shqiptare të të dy grupimeve kryesore politike duket se e kanë pasur vendimin e marrë që më herët lidhur me pjesëmarrjen e tyre në qeverinë e ardhshme, por i gjithë problemi ka qenë se si të arsyetohen para votuesit të vet dhe opinionit shqiptar. Prandaj, më duken jo të besueshme e aq më pak bindëse arsyetimet e tipit se e kanë pasur të lehtë marrjen e vendimit për shkak të orientimit proevropian të kryeministrit Spajiq. Sepse pavarësisht deklarimeve publike, qeveria e re nuk mund të jetë kurrsesi evropiane derisa në përbërjen e saj ka forca politike që janë kundër Bashkimit Evropian e sidomos kundër NATO-s, anëtare e së cilës është Mali i Zi. Në procesin e vendimmarrjes për hyrje ose jo në qeverinë e re, koalicionet shqiptare (Forumi Shqiptar dhe Aleanca Shqiptare) kanë zhvilluar edhe një lojë politike brenda llojit, duke pritur se cili prej tyre do ta marrë më përpara vendimin. Në këtë mënyrë e kanë pasur më të lehtë justifikimin e vendimit kundrejt organeve drejtuese partiake, anëtarëve dhe simpatizantëve të vet, me arsyetimin se “kur munden të jenë ata, pse të mos jemi edhe ne?!”.
Duke u bërë pjesë e qeverisë së re, partitë shqiptare i kanë hyrë një aventure, duke marrë përsipër rrezikun për dështimet dhe pasojat e saj, pa çka se fuqia e tyre në qeverinë e re do të jetë minimale dhe ato nuk kanë mundësi të ndikojnë në vendimet e saj. Ndërsa vetë qeveria e re e Malit të Zi, në bazë të marrëveshjes së firmosur të partive që do ta përbëjnë atë, paraqet një eksperiment të radhës, të cilin qytetarët e kanë provuar me dy qeveritë e kaluara. Edhe kjo qeveri pritet të ketë fatin e dy qeverive të mëparshme, të dala nga zgjedhjet e 30 gushtit 2020, të cilat nuk kanë arritur ta mbyllin mandatin katërvjeçar dhe të jetë jetëshkurtër. Përbërja e qeverisë nga parti të rrymave të ndryshme dhe kundërthënëse me njëra-tjetrën bën që ajo të jetë “një qeveri pa kokë” dhe pa të ardhme, pa një orientim të qartë programor dhe që nuk garanton se do të kemi një qeveri unike për sa u përket çështjeve më thelbësore që lidhen me Malin e Zi, veçanërisht në fushën e politikës së jashtme. Ndërkaq, vetë kabineti i fryrë qeveritar me një numër stërmadh të ministrive (plot 18) dhe zëvendëskryeministrave (katër) flet qartë se kemi të bëjmë me një qeveri që më tepër përbën plotësimin e kërkesave, ambicieve dhe interesave personale të partive politike dhe përfaqësuesve të tyre sesa të interesave të qytetarëve. /Koha Javore

By admini