Hajrullah Hajdari

Nga Hajrullah Hajdari

Situata politike pas ngadhnjimit të partizanëve dhe komunistave ndaj okupatorit fashist, në krahinën e Plavës dhe Gucisë ishte e rëndur dhe jostabile.Populli shqiptar nuk e pranonte më dëshirë mobilizimin dhe pushtetin që po instalohej. Sipas dy shkresave që sekretari i qelisë partiake në Guci dhe Plavë, dërguar Komitetit të KPJ-së për rrethin e Andrijevicës, më 27 janar 1945 dhe më 19 shkurt 1945, rekvizicioni i madh gjatë luftës dhe mobilizimi i popullsisë i ka frikësuar masat e gjëra popullore madje dhe i ka demoralizuar shumë. « Mobilizimi po shkon me vështirëse sepse po shpekullohet nga Komandat e Vendit dhe nga këshilltarët e pushtetit popullor. Gjatë muajit janë mobilizuar (në ushtri) 138 persona, janë kapur 2, kanë ikur 36, ndërsa në batalionin e punëtorëve janë mobilizuar 103 veta» thuhet në shkresë dërguar nga Gucia. Sigurisht bashkëpunimi i PKJ-së dhe PKSH-së gjatë luftës dhe proklamimi i të dyjave se pas ngadhnjimit ndaj okupatorit secili popull pjesëmarrës në luftë do të vëndosin vet për të ardhmen e tyre nga njëra anë,  dhe nga ana tjetër veprimet ushtarake dhe të OZN-ës dhe mënyrës si po instalohej pushteti vendor, bënin që shqiptarët e kësaj ane, si edhe në gjithë territorin e Jugosllavisë, të demoralzohen e të kërkojnë rrugë dhe mënyrë për të dalur nga situata rënduese që falë veprimeve të OZN-ës dhe njësive ushtarake po mbretnonin. Sipas të njëjtës shkresë, dërguar nga Gucia, ka raste që « populli po ikë nga lëvizja e jonë dhe po u bashkohen partizanëve shqiptarë. Kjo po bënë që masat popullore të ankohen e mendohen ». Ndërkaq, në shkresën dërguar nga Plava ndër të tjera thuhet: “ Edhe pse situate politike është përmirësuar pak, nuk mund të jemi aspak të kënaqur, sepse ka një numër të madh Albanofil të cilët nuk dëshirojnë në asnjë mënyrë  t’i takojnë Malit të Zi, e të cilët duan shkëputje dhe baskangjitje me Shqipërinë”. Ky fakt e nxiti OZN-ën duke përfshirë edhe njisitet ushtarake, që të veprojë me nxitim e të ndëshkojë çdo shqiptar që  synonte ose i bashkangjitej aradhave partizane të Shqipërisë ose kishte kurajo të kërkonte bashkimin me shtetin amë. Dënimet e shumta të shqiptarëve, me gjyq e pa gjyq, gjatë viteve 1944 dhe 1945 e që vazhduan deri në vitin 1948 e më vonë, ishin të frikshme, sepse plaçkitjet, vrasjet dhe dhimbjet të krijuara nga malazezët dhe serbët që nga viti 1913 e deri në vitin 1941 me përmasa gjenocidiale, jetonin akoma në kujtesën e popullit të viktimizuar të kësaj ane. Për të ilustruar sadopak vuajtjet dhe dënimet e padrejta ndaj popullsisë së kësaj krahine, zgjodha të komentoj shkurtimisht nga dy dosje gjyqësore të viteve 1945,1946,1947 dhe 1 të vitit 1948 të gjykatave popullore dhe asaj ushtarake të kohës, ku të akuzuar, të pandehur dhe të dënuar janë pikërisht banorët e Plavës dhe Gucisë.

  • Dënimet drastike pa pa prova faktike  të fajësisë

Sadik Balidemaj, nga fshati Martinaj, i biri i Bajramit dhe Hatës, e lindur Ulaj, 39 vjeç, gjatë luftës kishte qenë zëvëndës i komandantit të vendit dhe ishte kujdesur për ruajtjen e rendit dhe qetësisë. Nëpër fshatra qarkullonin njerëz të dyshimtë kështu që plaçkitjet dhe torturat nga çetnikët ishin të pritshme. Për t’ju shmangur këtyre veprimeve çetnike,  komanda e vendit ishte e detyruar  të organizojë roje pothuajse nëpër çdo fshat. Kishte paraljmërime të sigurta se në fshatin Brezejovicë vepronin formacione paramilitare dhe të rrezikshëm për komunitetin myslimanë dhe shqiptarë. Me datën 13 tetor 1943, ishin vrarë Dashiq Andrija, Milija dhe Miliq, Rajkoviq Millije dhe Milosh dhe Prashçeviq Leka dhe Nova. Sadik Balidemaj në atë datë nuk kishte qenë në këtë fshat, por në detyrë në vendin e quajtur “Qafë Xhamija”. Megjithatë, Sadiku nga prokurori ushtarak Anto Malishiq akuzohet si ekzekutor i këtyre vrasjeve. Kolegji Gjyqësor i Gjykatës Ushtarake, pranë Komandës së III të Vendit në Berane, i përbërë nga kryetari major Jovo Shqepanoviq dhe anëtarët Brano Boriçiq dhe Jagosh Shqekiq, më datën 12 mars 1945 solli aktgjykimin nr.33-48-8, me të cilin Sadiku shpallet fajtor për vepren penale vrasje të paraparë në nenin 14 të Dekretligjit mbi Gjyqet Ushtarake dhe dënohet me vdekje me pushkatim. Arsyetimi i aktgjykimit është shumë i shkurtër dhe kontraverz. Gjatë gjithë procedurës provuese nuk u gjet asnjë provë direkte për kryerjen e vepres penale nga ana e të akuzuarit. Aktgjykimi bazohet vetëm në dëshmitë e dëshmitarëve malazezë duke mos dhënë  asnjë fakt konkret për viktimat, profesionin, nëse ishin të armatosur apo jo, partizanë apo çetnik, ndërsa provon fajësinë e të pandehurit po ashtu pa asnjë provë.  Sadik Balidemaj nuk e pranoi në tërësi akuzën duke ofruar dëshmi e dëshmitar se ai në ditën kritike nuk ka qenë në vendin e krimit, prandaj as që mund të ishte ekzekutor.

Prokurori Publik i Qarkut Berane, më 29 shtator 1945, ngriti aktakuzën nr. 114/45 kundër  Hasan Kukaj, nga Krusheva, i biri i Jusufit dhe Gjylës, e lidur Hoti, 65 vjeç, Zymer Kukaj, nga Vuthaj, djali i Haxhis dhe Zojës, e lindur Zeneli, 50 vjeç, Sadri Kukaj, nga Vuthaj, djali i Rexhepit dhe Umës e lindur Kulenaj, 35 vjeç dhe Rexho Kastrat, nga Gucia, djali i Mazos dhe Qamës e lindur Pjetroviq, 42 vjeç, për kryerjen e vepres penale kundër popullit dhe shtetit të paraparë në nenin 3, pika 3 dhe 4 të Ligjit mbi veprat penale kundër popullit dhe shtetit. Hasan Kukaj, shumë vite ishte plakë i fshatit dhe përfaqësues i fisit Kukaj, akuzohet se pas kapitullimit të ish-Jugosllavisë ka formuar formacione policore dhe ushtarake dhe duke shfrytëzuar pozicionin dhe pushtetin më 23 korrik 1941, së bashku me të tjerët ka rrethuar shtëpinë e Alo Gjurkoviqit, ku fsheheshin Mitar Llonçareviq, Miliq Novoviq, Ivan Fatiq, Todor Stojkoviq dhe Gavro Llonçareviq, të cilët, sipas akuzës, i lidhen me konop dhe në vendin e quajtur “Potok Kolenoviqa” i kanë pushkatuar. Hasani po ashtu akuzohet se ka qenë këshilltar i Prenk Calit,  Shemso Ferrit dhe Bejto Plavës, të cilët kanë organizuar disa sulme në territoret e liruara si në Vojna Sellë në vitin 1941 dhe në Brezejovicë në vitin 1944, pas të cilës ngjarje ka ikur në Shqipëri ku nga organet e Mbrojtjes Popullore arrestohet në mars të vitit 1945. Zymer dhe Sadri Kukaj akuzohen se si ushtarë të formacionit të organizuar ushtarak nga nënshtetas jugosllav të krahinës së Gucisë së bashku me të akuzuarin e parë kanë marrë pjesë në rrethimin e shtëpisë së Alo Gjurkoviqit dhe pushkatimin e të lartpërmendurve dhe pastaj kanë ikur në Shqipëri, ndërsa Rexho Kastrati, si pandur i pushtetit të atëhershëm vendor, ka marrë pjesë në rrethimin e shtëpisë së Alo Gjurkoviqit dhe po ashtu gjatë vitit 1941, ka abuzuar me të burgosurit duke i rrahur e maltretuar.

Gjyqi Popullor i Qarkut Berane e pranoi aktakuzën dhe më 20 tetor 1946  Kolegji i kësaj gjykate me kryetar Tomo Saviq dhe anëtarët Lubo Shqekiq dhe Svetozar Stojakoviq, solli aktgjykimin nr. KZP.9/45 sipas të cilit Hasan Kukaj dënohet me vdekje me pushkatim, Zymer dhe Sadri Kukaj  dhe Rexho Kastrati dënohen me nga 20 vjet heqje lirije dhe humbjen e të drejtave politike dhe qytetare për 10 vjet pas mbajtjes së denimit!  Edhe me këtë rast në procedurën provuese nuk u gjet asnjë dëshmi faktuese e krimeve për të cilën akuzohen të pandehurit. Nuk u provue arsyeja e fshehjes së viktimave në shtëpinë e Alo Gjurkoviqit apo nëse ato ishin partizanë, çetnikë apo plaçkitës ordiner të shqiptarëve. Gjyqi u besoi vetëm dëshmitarëve malazezë e sidomos grave dhe familjarëve të viktimave, të cilët deklaruan se ditën kritike kanë qenë prezent të shpija e Alo Gjurkoviqit dhe kanë parë Hasanin duke komanduar me akcionin. Shtrohet pyetja kush ishin viktimat, pse u fshehen në atë shtëpi dhe si është e mundur që në momentin kritik familjarët ishin prezentë dhe askush nga ato nuk pësoi asnjë shqetësim?!  Vetë Alo Gjurkoviqi deklaroi në seancën kryesore se nuk e ka parë me sytë e tij Hasanin dhe të tjerët të kenë kryer veprën penale për të cilën të akuzuarit ngarkohen, ndërsa për familjarët prezentë deklaroi se nuk është i sigurt se kanë qenë apo jo! Gjyqi si dëshmi të vërtetë, ndër të tjera, pranoi dëshminë e dëshmitarit Cveto Turkoviqit i cili deklaroi se Hasanin e njeh shumë mirë si reakcionar dhe mik i Salë Nikoçit dhe Shemso Ferrit dhe bashkëpuntorë i Prekë Calit, por nuk përmendi asnjë dëshmi në lidhje me akuzën kryesore.Edhe deklarata e Aleksandar Gariqit, komandir i stacionit (të policisë!) se nuk ka qenë prezent por e ka parë Hasanin me shokë nga shtëpia e Haso Çekiqit nuk mund të merret si provë për kryerjen e veprës penale të përmendur. Shtrohet pyetja si është e mundur që komandiri i stacionit në momentin kritik së bashku me babain dhe nipin shkoi në shtëpinë e komshiut për të parë kryerjen e veprës penale  e si komandir i stacionit nuk mori asnjë masë?! Dëshmitarët Radonja Komatina, Milivoje Noviqeviq dhe Rasho Lutiq deklaruan se kishin dëgjur të thirura: “O gajret Hasan Kuka” ose”Përpara Hasan Kuka” por për ngjarjen nuk flasin, ndërsa gjyqi i pranoi si dëshmi të vërteta në bazë të cilave do të bazohet edhe aktgjykimi. Të akuzuarit natyrisht nuk e pranuan fajësinë duke dhënë dëshmi se ditën kritike nuk ka qenë prezentë, sepse atë ditë ka qenë në Guci, me pushkë në dorë, së bashku me Medo Çekiqin duke munduar të shpëtojnë Millovan Vujosheviqin nga armiq të panjohur të cilët atë ditë kanë plaçkitë e vrarë nëpër Guci. Nga sa cekëm më lart, gjatë procedurës provuese nuk u gjet asnjë provë direkte e kryerjes së veprës penale nga të akuzuarit, ndërsa fakti se dëshmitari kryesor në shtëpinë e të cilit kinëse është kryer vepra penale, edhe përkundër kërcnimeve e ndryshimit të deklaratave, deklaroi se nuk  i ka parë të akuzuarit të kenë qenë prezentë, dhë dëshmia e pakontestueshme e Hasan Kukës se ditën kritike ka qenë në Guci e jo në vendin e krimit, dëshmon edhe njëherë se çdo shqiptarë që në kohrat e trazuara të okupimit fashist ka punuar për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në vend apo ka guxuar të përmend bashkëpunimin me Shqipërinë, pa marrë parasysh veprën dhe motivin e saj, duhej të dënohej së paku sa për t’i frikësuar të tjerët me qëllim të shtypjës së ndnjenjës patriotike të tyre.    

By admini