Në gazetë ditore NHT „Riviera e Ulqinit“ ka publikuar shpalljen për dhënien me qira të shtëpizave në Adë, në periudhë 25 vjeçare dhe çmim fillestar prej 1.385.000 euro me TVSH. Afati për dorëzim të aplikimit është 7 ditë dhe i vetmi kusht është që qiramarrësi potencial të paraqesë një projekt konceptual. Bie në pah qartë se kjo shpallje është e jashtligjshme dhe se bie ndesh me interesat e Ulqinit dhe Malit të Zi e që si qëllim ka shkatërrimin e mëtejmë të turizmit në Ulqin dhe nuk ka të bëjë me zhvillimin e avancimin e tij, por vetëm pasurimin e individëve të caktuar, thuhet në një reagim të Avokat Besmir Murati, anëtar i Këshillit Qendror Forca e Re Demokratike.

Të japësh një shtëpizë me qira në zonën më të bukur të bregdetit  e që shërben për biznes për vetëm 3.7 euro në ditë një “partneri strategjik” është një tallje me qytetarët dhe veçanërisht me punëtorët që kanë kaluar gjithë vitet e punës dhe të jetës së tyre duke u përpjekur të ngrejnë standardet e turizmit me dijen dhe punën e tyre. Kjo bëhet edhe më e dhimbshme duke ditur se si ka degraduar kjo perlë nga  politikat e mëparshme “zhvilluese” të Qeverisë. 

Duket qartë  se Qeveria i njeh „investitorët”, duke marrë para sysh që si kusht i vetëm parashihet që brenda afatit 7 ditorë të dorëzohej një projekt i detajuar konceptual për një resort turistik. Është e pamundur fizikisht dhe teorikisht që të përpilohet një plan konceptual për një sipërfaqe prej rreth 1.7 hektarësh ose rreth 17.000 m2 brenda 7 ditëve. Duke vepruar në mënyrë të lartpërmendur dhënësi po përpiqet që me anë të një shpalljeje fiktive të bëjë transparente punën e tij, duke menduar se qytetarët janë mendjelehtë dhe nuk do të reagojnë, vazhdon reagimi i Avokat Besmir Muratit.

Lëshimi pa tender, pa garanci bankare i shtëpizave në lokacionin më të mirë të mundshëm, mbi bazën e një lloj „shpalljeje“ dhe ate para zgjedhjeve, nuk tregon asgjë tjetër veçse injorancë, mosnjohje të ligjit, neglizhencë dhe synimin që individë të caktuar të pasurohen. Në të njëjtën kohë është edhe tendencë për ndalimin e aksesit në bregdet për qytetarët, siç është bërë në një numër të madh rastesh. Ka gjasa që për Qeverinë, ky lloj „valorizimi” i resurseve turistike të shfaqet si një investim kapital në raportin e zbatimit të strategjisë së zhvillimit të turizmit, por tashmë është e qartë për të gjithë, siç ka qenë deri tani, që qytetarët nuk do të ndjejnë asnjë përfitim apo benefit.

Me këtë i bëjmë thirrje Qeverisë dhe NHT „Riviera e Ulqinit“, të anulojë shpalljen e mësipërme dhe që nëse dëshiron të valorizojë resurset, këtu mendojmë në valorizim të denjë, të dëgjojë mendimin e qytetarëve dhe ekspertëve dhe të mos vazhdojnë me praktikën e „investimeve kapitale e strategjike”.

Në fund, informojmë opinionin e gjerë se si parti politike do të monitorojmë nga afër rastin në fjalë dhe „investimet“ e ngjashme dhe se do të reagojmë në kohë. Ju bëjmë poashtu me dije se lidhur me këtë do të informojmë të gjitha institucionet përkatëse shtetërore dhe ndërkombëtare.

Ulqini dhe Mali i Zi meritojnë zhvillim real dhe jo pasurim të individëve përmes shpalljeve të montuara, përfundon reagim i Avokat Besmir Murati, anëtar i Këshillit Qendror Forca e Re Demokratike.

By admini