Prezantimi i një pjese të gjetjeve arkeologjike të qytetit të Shasit


Në kuadër të manifestimin “Pranvera në Anë të Malit 2009”, në ciklin “Ana e Malit në vite” në maj të vitit 2009 u bë prezantimi i 1/3 së gjetjeve arkeologjike gjatë gërmimeve të bëra në Shas në vitin 1985.

Më poshtë mund të shikoni disa nga gjetjet e paraqitura në atë manifestimn si dhe fjalen përshëndetse të kryetarit të athershëm të Shoqatës ORA z. Ismet Kallaba.


Fjala përshëndetëse e kryetarit të shoqatës ORA, z.Ismet Kallaba, me rastin e hapjes së Manifestimit “Pranvera në Anë të Malit 2009” dhe prezantimi i disa të eksponateve të gjetura gjatë gërmimeve arkeologjike në Shas

I nderuar nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë,

Të nderuar personalitete të jetës politike, shkencore, ekonomike, kulturore, arsimore,

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Në emër të Organizatës Joqeveritare “Ora” Ju falënderoj të gjithëve që keni gjetur kohë për të marrë pjesë në hapjen e edicionit të gjashtë të Manifestimit “Pranvera në Anë të Malit”.

Që në fillim dua të falënderoj të gjithë ata që na kanë ndihmuar për realizimin e edicionit të sivjetshëm të këtij manifestimi.

Siç e tha edhe prezantuesja, gjatë gjashtë edicioneve të kaluara në aktivitetet e organizuara në kuadër të këtij manifestimi kanë qenë të ftuar dhe kanë marrë pjesë personalitete të ndryshme nga bota akademike dhe kulturore nga Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria. Këtë traditë e kemi vazhduar edhe sivjet dhe këtu sonte me ne janë arkeologu i shquar prof. Dr. Neritan Ceka, studiuesi i njohur prof. Dr. Shaban Sinani, si dhe personalitete të tjera të cilët na nderojnë me praninë e tyre.

Edicionet e kaluara të këtij manifestimi janë hapur në vende të ndryshme, si në Shas, Katërkollë vitin e kaluar e kemi hapur me Sesionin Shkencor të mbajtur në Ulqin, ndërsa sivjet po e hapim në një lokalitet të rëndësishëm historik dhe kulturor, Kalanë e Ulqinit, duke treguar dhe dëshmuar në këtë mënyrë se Manifestimi “Pranvera në Anë të Malit” pavarësisht se në fokus ka Anën e Malit, i ka tejkaluar kufijtë dhe karakterin e një manifestimi lokal.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

I nderuar z. Sinani,

I drejtohem personalisht z. Sinani duke qenë se ai ka hartuar Përfundimet e Sesionit Shkencor mbi Shasin të mbajtur në maj të vitit të kaluar.

Tre përfundimet kryesore të Sesionit Shkencor kanë qenë që të bëhet konservimi i eksponateve të gjetura gjatë gërmimeve arkeologjike në Shas në vitin 1985, të botohen aktet apo kumtesat e Sesionit në gjuhën shqipe, por mundësisht edhe në gjuhën malazeze dhe angleze.

Unë sonte me kënaqësi dua t’Ju njoftoj z. Sinani dhe Ju pjesëmarrës të tjerë të këtij aktiviteti se Organizata joqeveritare “Ora” i ka marrë seriozisht përfundimet e këtij sesioni dhe gjatë këtij viti ne kemi ndërmarrë disa aktivitete për realizimin e tyre.

Kësisoj më 3 nëntor të vitit të kaluar ne i kemi dërguar iniciativë-kërkesë Qendrës së Kulturës për konservimin e eksponateve të gjetura gjatë gërmimeve arkeologjike në Shas. Më pas në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës dhe Muzeun kemi hartuar projektin për konservimin e eksponateve në fjalë. Projekti ynë i përbashkët është mbështetur pjesërisht nga Fondi për Pakica.

Dua të kujtoj se në librin e inventarit janë regjistruar rreth 185 eksponate të gjetura gjatë gërmimeve arkeologjike në Shas.

Me shumën e fituar ne kemi arritur të konservojmë vetëm një të tretën e tyre. Këtë punë nuk e konsiderojmë të mbyllyr, por aktiviteti ynë do të vazhdojë më tej dhe ne shpresojmë se do të gjejmë mbështetje për realizimin e konservimit të pjesës tjetër të eksponateve të Shasit.

Maj e shtizes gjetur ne Shas

Po ashtu sa i përket botimit të librit, ai tashmë ka dalë nga shtypi dhe promovimin e tij do ta bëjmë sonte, ndërkohë që kemi konkurruar me një projekt për botimin e tij në gjuhën malazeze. Unë shpresoj se do të gjejmë mbështetje dhe se edhe botimi në gjuhën malazeze do të realizohet së shpejti.

Ndërkaq sa i përket përfundimit që ka të bëjë me vazhdimin e gërmimeve arkeologjike në Shas, ne jemi të vetëdijshëm që kjo është një sipërmarrje e madhe, por Organizata Joqeveritare “Ora” do të bëjë çmos për të animuar dhe nxitur institucionet relevante për vazhdimin e gërmimeve arkeologjike në Shas.

Në këtë aspekt, me qëllim të njohjes sa më mirë dhe vendosjes së bashkëpunimit, me ftesë të Shoqatës “Ora” më 19 nëntor 2008 është realizuar vizita e një grupi të arkeologëve të Institutit Arkeologjik të Shqipërisë në Shas. Për pjesën më të madhe të tyre kjo ka qenë hera e parë që kanë vizituar Qytetin e Vjetër të Shasit.

Qëllimi i vizitës ka qenë njohja me vlerat arkeologjike të këtij lokaliteti si dhe mundësia e realizimit të ndonjë projekti të përbashkët të gërmimeve arkeologjike të arkeologëve shqiptarë së bashku me ato malazezë dhe të huaj, nisur edhe nga përfundimet e Sesionit Shkencor “Shasi i lashtë, monument i kulturës”.

Më gëzon fakti që edhe në takimin e paradokohshëm të dy ministrave të Kulturës së Malit të Zi dhe Shqipërisë, si dhe kryetarit të Komunës së Ulqinit është diskutuar edhe për Shasin dhe mundësinë e realizimit të gërmimeve arkeologjike në këtë lokalitet.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Siç e thashë edhe më parë konservimi i një pjese të eksponateve të gjetura gjatë gërmimeve arkeologjike në Shas në vitin 1985 është realizuar me mbështetjen e Fondit për Pakica, andaj unë falënderoj Fondin për Pakica të Malit të Zi për mbështetjen financiare në realizimin e këtij projekti.

Falënderoj Qendrën e Kulturës Ulqin dhe drejtorin Shaban Gjeka për bashkëpunimin në realizimin e këtij projekti.

Falënderoj Muzeun e Ulqinit dhe drejtuesen e tij znj. Mileva Nikolaidis e cila ka treguar gatishmëri për realizimin e këtij projekti dhe ka bashkëkoordinuar punët rreth konservimit.

Preznatimi i eksponateve të gjetura gjatë gërmimeve arkeologjike në Shas për herë të parë pas 23 vjetësh përbën daljen e tyre nga terri dhe begaton ofertën e Muzeut të Ulqinit, sepse tani kemi një vitrinë dhe rreth 60 eksponate më tepër.

Dhe në fund, duke Ju falënderuar për pjesëmarrjen Tuaj e shpalli të hapur edicionin e gjashtë të Manifestimit “Pranvera në Anë të Malit”.

Ju faleminderit.

Temë nga projekti “”Shkruaj dhe lexo në gjuhën shqipe” – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2022”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

By admini