Në kërkim të qyteteve të moçme shqiptare – Ulqini, qendër e madhe iliro-arbërore
Shkruan prof. Dr. Jahja Drançolli*
Vendbanimi i Ulqinit daton nga shekulli XV-XII para erës sonë, kohë e cila veçohet me diferencime etnike dhe me paraqitjen e etnosit ilir në histori. Këtë qytet-lima e zënë ngoje historianët dhe gjeografët e njohur të antikitetit, Plini, Tit Livi, Ptolemeu dhe Tabela e Pojtingerit. Ndërkaq në Mesjetë historiani bizantin Kostadin Porfirogjeneti në veprën “De administrando imperio”.
Lashtësia e qytetit
Gjurmët e para të lokalitetit të Ulqinit vërehen në periudhën ndërmjet shek. XV-XII para Krishtit, përkatësisht nga kjo kohë daton lokaliteti Shkëmbi i Kuq në Zogaj, në rrethin e Ulqinit të sotëm. Ulqini në periudhën paraurbane dhe urbane paraqiste një tip të veçantë të kështjellave ilire. Nga ndonjë studi-ues serioz, banorët e vjetër të Ulqinit kanë qenë Taulantët. Ndërkaq, sipas Plinit, Labeatet ilirë ishin të pranishëm në Ulqin edhe gjatë sundimit romak. Me ardhjen e romakëve (163 para/Kr.), qyteti zuri të quhet Olcinium. Është e njohur se romakët shumë herët kanë filluar të themelojnë vendbanime për qytetarët e vetë. Vendbanime të tilla, ata i quanin konventa apo oppida. Në vargun e tyre hynte edhe Olciniumi. Me këtë emër e ndeshim te Plini dhe Tit Livi. Plini, historian i antikitetit, thek-sonte se Olcinium (Ulqini i sotëm) më parë është quajtur Colchinium, meqë e kanë themeluar Kolkasit (“Olcini, më parë i quajtur Kolkin, sepse u themelua prej kolkasve”, C. Plini Secundi, Naturalis Historiae, lib. III, 22[26]). Lidhur me zhvillimin historik të Ulqinit në kohën e antikitetit ruhen pak të dhëna të shkruara. Përjashtim bëjnë njoftimet e historianit më të madh të antikitetit, Tit Livit, i cili Ulqinin e zë ngoje në kontekst të Luftës III iliro-romake (“… në Iliri L. Anici siç kemi thënë më sipër, nënshtroi mbretin Gent, dhe pasi vendosi një roje në Shkodër, që ishte kryeqyteti, vuri në krye të saj Gabinin dhe në qytetet e rëndësishme Rizon dhe Ulcini, K. Licinin” (Titi Livi, Ab Urbe Condita, lib. XLV, 26, 3). Livi bën fjalë edhe për qëndresën e ulqinakëve kundër roma-këve në luftën e Gentit.
Njoftimet jo të mjaftueshme të burimeve të shkruara nuk mund të plotësohen aq sa është e nevojshme me burime arkeologjike. Gërmimet arkeo-logjike janë kryer vetëm në pjesën veri-përendimore të murit rrethues të kalasë së vjetër të Ulqinit, ku janë zbuluar dy varre të zbukuruara me afreska të traditës paleokristiane. Aty afër, janë nxjerrë disa fragmente pllakash të parapetit nga shek VI, dhe katër kapitele jonike. Një impostkapitel i gjetur këtu, ka të gdhendur monogra-min e Krishtit. Nga këto njoftime arke-ologjike themi se, Ulqini ishte përfsh-irë shumë herët në organizimin kishtar të Prevalit. Pra, njohuritë tona që ndër-lidhën me antikitetin e Ulqinit mbësh-teten vetëm në këto gjetje, si dhe në di-sa gjetje arkeologjike të rastit apo në vrojtime. Qyteti më 444 pëson rënd nga termeti. Vendbanimi i ri u ngritë në shek. VI mbi një shkëmb të madh mbi det.
Emri i qytetit
Nga fundi i shek. XIX, lëvizja më e madhe bëhet në pjesën qendrore dhe të dystë të qytetit dhe në kodrën juglindore, por Ulqini i vjetër i kohës romake gjendej në veri të këtij qyteti të dyfisht, në një vend me gërmadha, i cili sot quhet Ulqini i vjetër (në harta gjeografike Dulcigno Vecchio), madje, po këtë emër e mbante edhe gjatë mesjetës (Dulcignum, Olsignum, Licinium, romanisht-Dolchin, sllavisht-Licin). Te gjeografi më i madh i antikitetit Ptolemeu (shek. II pas/Kr.) e gjejmë si Olkinion. Vicinium, ndërkaq, ishte emri i qytetit, që paraqitet si stacion me rëndësi në shek. III, sipas itinerarit rrugor Tabula Peutingeriana. Po më këtë emër e nde-shim edhe në Kosmogarafinë (Cosmo-graphia) e Anonimit të Ravenës (Ravennatis Anonymi).
Gjatë mesjetës së hershme, Ulqini e ruan emrin e vjetër. Më vonë janë gjetur gërmadha në ishullin e vogël afër kepit, që gjendet në veriperëndim të Ulqinit të sotëm, në gjirin të Krruçit, e që për herë të parë e kanë ubikuar me Ulqinin e vjetër (“In mari Dulcini veteris”). Ndërkaq, në shek. VIII dhe në fillim të shek. IX është bërë kontinuiteti i jetës qytetare në këtë lokalitet. Nga kjo kohë daton edhe një kishë e stilit pararoman. Themelet e kësaj kishe janë gjetur me rastin e ndërtimit të një kishe në kohën e Balshajve. Ajo që tërheqë më tepër vëmendjen këtu është zbulimi i Tabernakullit (lat.-ciborium), që ruhet edhe sot dhe fsheh këto mbishkrime latine: Ulcinium, Dulcinium, Dulcig-num, Olchinium, Olsignum, Licinium, Lukindum dhe Lecina. Nga këto mbishkrime mund të konstatohet, se në Ulqin ka ekzistuar vijimësia e jetës qytetare prej kohës antike në atë mejetare. K. Porfirogjenet (perandor dhe historian bizantin, shek. X) në veprën e tij monumentale “De Admini-strando Imerio”, theksonte se Lezha, Tivari dhe Ulqini kanë qenë të lidhura administrativisht dhe në apektin strategjik me Themën e Durrësit, dhe këto i konsideronte për fortifikata (ta kastilia). Në kohën e fushatës së Samu-ilit në Dalmaci në vitin 980, Ulqini me siguri ka qenë i fortifikuar, meqë Samuili, edhe pse e rrethoi gjatë nuk mundi ta pushtonte.
Qyteti, gjatë mesjetës së zhvilluar, kishte një portë nga ana e detit dhe një nga ana e tokës. Shkëmbi ulet nga ana e detit. Këtu ishte pika më e dobët e murit të qytetit, e cila ishte forcuar me një pirg shumë të fortë (“la torre delle Madona”) dhe me bastionin e shën Dominikut. Në vitin 1370 Ulqini u bë qendër konsullare venedikase. Qyteti e zgjeroi rrethin e vet në kurriz të Bashkisë së qytetit të Shasit (1406). Pas shumë riparimeve venedikase (1429) dhe pas termetit katastrofik (më 1444), që dëmtoi rënd kështjellën, muret e qytetit dhe pjesën më të madhe të shtëpive; këto mure quhen ende antike (1553, aniche mura, caduchi e vecchie) dhe nuk kishin korridore me frengji në vend që ishin shumë të pjerrët (sopra alti grebani), kështu që nuk ishte e mundur për tu kapur përqark mureve të qytetit.
Në Ulqinin e sotëm gjejmë disa indikacione, të cilat mund të flasin në favor të identifikimit me Olcinium-in. Këtej, studiuesit Prashniker dhe Shober (Praschniker-Schober) theksojnë se në themelet e një kishe të stilit roman, kanë gjetur gurë të gdhendur të gelqerës në përdorim sekundar. Gurë të tillë studiuesit e përmendur kanë gjetur në një mur të ndërtuar pa llaç, i cili është gjetur afër një kishe, përkatësisht në perëndim të qytetit të sotëm. Në murin perëndimor të Ulqinit, para dyerve të hyrjes, në drejtim të varrezave, muri i ri është ndërtuar mbi të vjetrin. Konstruksioni i murit të vjetër u shëmbëllen mureve çiklopike, zbulim ky në Shqipëri dhe Mal të Zi.
Qendër e princërve Balshaj
Në kohën e sundimit të Gjergj Strazimir Balshës (1385-1405), Ulqini shpallët qendër e princërve Balshaj. Raguzanët, Gjergj Strazimirin e konsideronin si “Princ të Ulqinit”. Ky qytet, tërhoqi vëmendjën e pushtuesë-ve më të fuqishëm të mesjetës, si të nemanjidëve, mongolëve, venedika-sëve dhe turqëve. Pasi që e kishin nën-shtruar pjesën më të madhe të Arbërisë, turqit pushtuan Ulqinin më 1571.
Meqë, Ulqini një kohë ishte qendër e Balshajve, kurse republika e Venedikut kishte aspirata të mëdha për të dhe për qytetet përqark, në vitin 1405 qytetarët e Ulqinit, për t’u ikur trazirave, e zgjodhën Venedikun për mbrojtës të tyre. Shtytje për këtë ishte veçanërisht vdekja e Gjergj Strazimirit dhe sundi-mi i dobët i Balshës III. Mirëpo, në vitin 1413 Balsha III bënë kthesë duke e kthyer Ulqinin, të cilin e mbajti deri në vdekje (1421).
Pozita e mirë e Ulqinit, sidomos lidhjet e mira me hinterlandin, i bënë të mundur të bëhet qendër më rëndësi detare-tregtare. Në limanin e Ulqinit janë parë detarët-tregtarët e financierët nga qytete të ndryshme të evropës, e veçanërisht venedikasit dhe raguzanët.
Kuvendi dhe zhvillimi kulturor i qytetit
Ulqini sikur edhe qytetet e përparuara bregdetare në Mesjetë, zotëronte Kuvendin e Qytetit. Në këtë institucion të lartë tuboheshin bujarët dhe zejtarët e këtij qyteti. Pjesëmarrësit e këtij Kuvendi në tubime të veta kanë pasur të drejta të barabarta. Ulqini kishte edhe Statutin, i cili daton nga viti 1330.
Ulqini, duke zotëruar të gjitha tiparët e qyteteve të përparuara të kohës, mes tjerash, u shqua edhe si qendër e njohur kulturore. Në këtë qytet u zhvillua një veprimtari e gjërë artistike Këtu kanë ardhur në shprehje edhe format e arteve figurative aktuale për kohën kur u zhvilluan. Këtej, qyteti zotëronte me një punëtori të njohur skalitësve. Punët e tyre datojnë nga vitet 813-820. Në puntorinë e Ulqinit janë skalitur vepra të mëdha artistike, që zihen ngoje në të dy anët e Adriatikut, sidomos gjatë shek. XIV, ku u shquan skalitësit, Mikeli, Gjergj dhe Gjoni. Arkitektura në këtë qytet duhet të ketë pasur traditë të moçme. Nga shtresa e Ulqinit mesjetar, ruhen disa gërmadha të godinave, që kanë elemente të stilit romanik dhe gotik. Në vitin 1397, Gjergj Strazimiri bëri përpjekje të mëdha për ndërtimin e Ulqinit. Në këtë aspekt ai angazhoi njerëz edhe nga Raguza dhe Venediku. Këto projekte të nisura nga Gjergj Strazimiri i vazhdoi Balsha III. Duke qenë se Ulqiqni në aspektin e organizimit kishtar ishte një ipeshkvi e njohur, në kohën e Gjergj Strazimirit u ndërtua edhe katedrala e qytetit. Në ndërtimin e saj morën pjesë mjeshtarët e njohur, që kanë punuar, mes tjerash, edhe në ndërtimin e kishave në Kosovë, sidomos në Pejë dhe Deçan. Derisa burimet materiale na mundësojnë të flasim sadopak për arkitekturën e vjetër të Ulqinit, sa i përket artit skulpturor (edhe pse janë gjetur rastësisht eksponate të gdhendu-ra në gur) dhe pikturës, të dhënat janë mjaft modeste. Prej të dhënave të sipërme mund të konkludojmë se Ulqini ishte një qendër me rëndësi në pjesën jugore të Detit Adriatik dhe se roli i tij vërehet që nga ditët më të hershme të qytetërimit, duke mos u ndërprerë deri në ditët e sotme.
*Prof. Dr. Jahja Drançolli është drejtor i Insti-tutit Arkeologjik të Kosovës dhe shef i Katedrës së Historisë të Universitetit në Prishtinë.
Temë nga projekti “”Shkruaj dhe lexo në gjuhën shqipe” – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2022”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.