Banorët e fshatit Bore dhe Lisën të izoluar për shkak të përmbytjeve
Nga Gjekë Gjonaj
Reshjet e dendura të shiut gjatë javës së shkuar kanë shkaktuar mjaft probleme në Komunën e Ulqinit. Zonat më të rrezikuara janë fshatrat kufitare përgjatë brigjeve të lumit Buna-Lisna dhe Bore. Ato fshatra janë bllokuar plotësisht prej gjashtë ditësh për shkak të vërshimeve të rrugëve, na tha të dielën që lamë pas Hajredin Osmani, banor i fshatit Bore, për çka u vërtetuam edhe ne. Në fshatin Bore, ku jetojnë pesë familje, nuk mund të arrihet me automjet, pasi rruga në gjatësi prej rreth 1.000 metra është e përmbytur, ndërsa uji arrin deri në një metër. Banorët e atij fshati të përmbytur mund të kalojnë vetëm me varka. “Uji ka hyrë edhe në shtëpinë time. U përmbytën kati i parë i shtëpisë, guzhina dhe dhoma e gjumit ku flinin nëna ime 80 vjeçe dhe vëllai im. Arritëm të nxjerrim disa gjëra nga shtëpia dhe t’i vendosim në nivele ku uji nuk do t’i rrezikojë, por uji ka shkaktuar shumë dëme. Kemi arritur të shpëtojmë disa gjëra, por uji ka shkaktuar mjaft dëme, thotë Osmani. Ai pohon se nga ky fshat pesë nxënës shkojnë në Shkollën Fillore “ Bedri Eelzaga” në Katërkollë dhe se varka është transporti i vetëm i tyre dhe i të gjithë banorëve të tjerë. “ Varkat i kemi punuar vetë. Po ashtu edhe motorët e tyre i kemi blerë nga buxheti ynë familjar. Pa varkat ne do të ishim plotësisht të izoluar dhe nuk do të mund të qarkullojmë e as të funksionojmë normal, meqë jemi të detyruar të lundrojmë një kilometër nëpër ujë për të dalë në breg, ku i kemi automjetet, ” shprehet Osmani. Ai thotë se uji për fat të mirë nuk i ka hyrë në stallën e bagëtive, ku i mbanë 6 krerë lopë dhe 15 krerë dele. “ Lopët dhe delet jam i detyruar t’i mbajë të mbyllura , sepse të gjitha sipërfaqet e tokës janë nën ujë. Bagëtive u kam siguruar një sasi të konsiderueshëm me ushqim për dimër , mirëpo nëse vërshimet do të zgjasin shumë kohë, atëherë më duhet të blej ushqim shtesë”, thekson Osmani, i frikësuar nga përkeqësimi i motit. “ Gjithçka është nën ujë”. Të gjithë jemi në rrezik. Kemi frikë se a do të përkeqësohet moti, a do të fryjë erë jugore, e cila pengon që lumi Buna të derdhet në det, apo do t’i lëshojnë digat në hidrocentralin e Drinit në Shqipëri “, shton Osmani. Ky kryefamiljar , sikurse edhe bashkëfshatarët e tjerë, të cilët nuk dëshiruan të flasin për gazetë për shkak se siç na thanë ata kot flasim, shprehet shumë i zhgënjyer në pushtetarët e Komunës së Ulqinit. “ Përmbytjet në këtë zonë janë të kahershme, pothuaj të përvitshme. Deri më sot ( e dielë) askush nga pushtetarët, as nga Shërbimi i Mbrojtes dhe Shpëtimit, as nga Shtabi Komunal i Emergjencës nuk na ka vizituar, përveçse na kanë kontaktuar përmes telefonit. Për ne nuk janë kujdesur ashtu siç do të duhej në këto raste as pushtetarët e mëparshëm. Komisionet e caktuara nga ata kanë ardhur dhe kanë vlerësuar dëmet materiale. Na kanë premtuar se do të na i paguajnë ato . Por, në të shumtën e rasteve nuk e kanë mbajtur fjalën. Që nga viti 2010 e deri më sot, unë nuk kam marrë asnjë cent nga komuna jonë për dëmet materiale nga përmbytjet. Edhe vlerësimet dhe pagesat që janë bërë në fshatin tonë kanë qenë shumë më të ulëta në krahasim me dëmet materiale në fshatra tjerë të përmbytur, edhe pse ne gjithmonë jemi më të rrezikuarit nga gjithë të tjerët, ” thekson me keqardhje Osmani. Kjo papërgjegjësi e të zgjedhurve të tyre në pushtetin vendor të Ulqinit me vite të tëra ka shkaktuar revoltë e pakënaqësi të madhe tek banorët e këtushëm, me shpresë se pushteti i ri do ta ndërpresë këtë padrejtësi të madhe që u është bërë banorëve të cilët kanë pasur dëme të konsiderueshme materiale.
Situata është e rënduar edhe në fshatin Lisën, ku jetojnë afro 15 familje. Rruga është e përmbytur, sikurse edhe tokat përreth, ndërsa fshatarët kanë mbetur të izoluar . Përpjekjet tona për të marrë deklaratën e tyre lidhur me situatën ishin të pasuksesshme. “Kemi folur mjaft, aq sa jemi lodhur, dhe askush prej pushtetarëve tanë nuk ka ndjenja njerëzore për hallet e shqetësimet tona. Na premtuan shumë e nuk bënë asgjë për ne”, na tha një banor, i cili insistoi të mbetet anonim. Nën ujë është edhe fshati Fraskanjel, por situata atje është më e mirë se sa në Lisën dhe Bore.
Kur do të ndërgjegjësohen drejtuesit e Komunës së Ulqinit dhe t’i shpëtojë këta banorë nga kjo dhimbje?