SHF “ Bedri Elezaga” në Katërkollë  zgjidhet midis gjashtë shkollave në Mal të Zi  të jetë pjesë e programit vullnetar të Korpusit të Paqes Amerikane

Erik Berman, vullnetari  amerikan që   do t’u  mësojë anglishten  nxënësve të Anës së Malit  

“Vullnetari amerikan, Erik Berman   është një njeri i shkëlqyer, me arsim, kulturë dhe përvojë të lartë. Në vetëm pak ditë, ai u bë i preferuari jo vetëm mes  nxënësve, por edhe mes stafit të shkollës  dhe prindërve. Ky është një njeri që promovon paqen dhe miqësinë në botë. Ai vjen çdo ditë në shkollë, merret me aktivitete të ndryshme me nxënësit dhe është një person pozitiv”, thotë drejtori i shkollës, Mustafë Bardhi

Nga Gjekë Gjonaj

Para më pak se dy  javësh  nxënësit dhe stafi mësimdhënës i SHF “Bedri Elezaga” në Katërkollë-Anë të Malit   mirëpritën dhe pritën mysafirin e tyre të dashur, Erik Berman  nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili pas betimit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë u bë anëtari   më i ri i këtij të kolektivi vyer dhe të  suksesshëm arsimor.  Erik Berman është një vullnetar i Korpusit të Paqes Amerikane, i cili kishte nderin të ishte pjesë e grupit të parë të vullnetarëve që do të  shërbejë  në Mal të Zi, por edhe përgjegjësinë për t’u treguar qytetarëve të vendit tonë se çfarë është Korpusi i Paqes dhe për të ndihmuar qytetarët tanë të kuptojnë më mirë amerikanët dhe kulturën amerikane, si dhe qytetarët amerikanë për të kuptuar më mirë kulturën malazeze.

Drejtori i shkollës,  Mustafë Bardhi nuk e fsheh kënaqësinë që një vullnetar amerikan do të japë gjuhën angleze për dy vite shkollore, nga i cili   do të mësojnë shumë  jo vetëm nxënësit por edhe  i gjithë kolektivi i shkollës. “Vullnetari amerikan, Erik Berman   është një njeri i shkëlqyer, me arsim, kulturë dhe përvojë të lartë. Në vetëm pak ditë, ai u bë i preferuari jo vetëm mes  nxënësve, por edhe mes stafit të shkollës  dhe prindërve. Ky është një njeri që promovon paqen dhe miqësinë në botë. Ai vjen çdo ditë në shkollë, merret me aktivitete të ndryshme me nxënësit dhe është një person pozitiv. Është një privilegj për shkollën tonë, e cila u zgjodh midis gjashtë shkollave në Mal të Zi, të jetë pjesë e këtij programi vullnetar të Korpusit të Paqes, i cili drejtohet nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne jemi të nderuar dhe të kënaqur sepse për herë të parë patëm rastin të punojmë dhe të bashkëpunojmë me personalitete të tilla siç është  amerikani  Erik Berman, ” thotë  Bardhi.

Mësuesja e gjuhës  angleze e shkollës,Vjollca Lika thekson  bashkëpunimin e mirë me vullnetarin amerikan. “Ai jo vetëm se  do të zhvillojë mësime të gjuhës angleze, por do të ndërmarrë edhe iniciativa dhe do të organizojë aktivitete të ndryshme arsimore jashtëshkollore, të gjitha me qëllim të shkëmbimit të njohurive dhe përvojës mes dy vendeve, Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e arsimit”, u shpreh  Lika.

Kujtojmë se Korpusi i Paqes, e ka nisur programin në Mal të Zi me ftesë të Qeverisë së Malit të Zi dhe bashkëpunimit  ndërmjet Korpusit të Paqes dhe Qeverisë së Malit të Zi, është një tregues i qartë i lidhjeve të forta ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Malit të Zi.

By admini